Ledio Ahmetaj, jeta në emigrim dhe pasioni për diplomacinë
2024-01-15 10:07:53

Ledio Ahmetaj gjate nje aktiviteti (Foto personale)

Ledio Ahmetaj jeton prej 20 vitesh bashkë me familjen në Itali. Ai ka përfunduar studimet e larta në fushën e diplomacisë, një pasion që në fëmijëri për t’u bërë diplomat. Ledio flet shtatë gjuhë të huaja  dhe ka udhëtuar në mjaft vende të botës. Shqipëria është vendi që Ledio dëshiron të zhvillojë eksperiencën e tij si diplomat, por dhe Amerika e Jugut është një nga preferencat e tij. Ai që në moshë të vogël ka qenë i pasionuar pas mësimit të gjuhëve të huaja, dhe kjo ka bërë që të futet në rrugën e diplomacisë, për të njohur më shumë kultura dhe histori të vendeve të ndryshme të botës. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin e tij për diplomacinë, udhëtimet dhe synimet e tij profesionale për të ardhmen.

CMG: Si lindi pasioni për të ndjekur fushën e diplomacisë?

Ledio Ahmetaj: Unë e fillova rrugëtimin shkollor me një pasion shumë të madh për gjuhët e huaja. Në vitin 2008 zhvillova një pasion shumë të madh për kulturën amerikane dhe spanjolle dhe ishte pikërisht ai vit kur Spanja fitoi kampionatin europian. Kështu që u bëra shumë entuziast në atë moment për gjuhët e huaja dhe vazhdova studimet për gjuhë të huaja, Fillova studimet në bachelor për përkthyes, sepse doja të bëja përkthyesin në kabinat e Parlamentit Europian, dhe pak nga pak me eksperienca të ndryshme, me Erasmus, që e bëra në Lizbonë në vitin 2019 ndryshoi pak ky pasion, duke u bërë më konkret. Kështu që në atë moment dëshiroja të bëhesha  diplomat, por akoma nuk e dija shumë mirë sesi mund  të ndodhte kjo. Kalova nga fusha e gjuhëve të huaja, ku bëra një master në gjuhë të huaja për bashkëpunim ndërkombëtar, dhe pastaj masteri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomaci. Kjo është dhe fusha ku po përfundoj studimet tani dhe më mungon vetëm tema e diplomës. Pasi të mbaroj me temën e diplomës synimi im është që të bëj konkursin për t’u bërë diplomat.

CMG: Sa gjuhë të huaja flet?

Ledio Ahmetaj: Unë flas shtatë gjuhë të huaja, gjuhën shqipe e flas më shumë në familje dhe me shokët që kam në Tiranë. Ndërkohë që italishtja është gjuha që më bëri të rritem nga ana profesionale dhe ajo personale, sepse jetoj në Itali prej vitit 2003. Pastaj njoh dhe gjuhë të tjera si spanjisht që e di shumë mirë, anglisht, frëngjisht, portugalisht dhe gjermanisht.

CMG: Nëse do ishe shkolluar në Shqipëri a do të ndiqje degën e diplomacisë këtu?

Ledio Ahmetaj: Besoj se gjithë ne kemi ndonjë pasion të brendshëm, dhe nuk i dihet fatit se ku na sjell, por gjithmonë e kam patur këtë pasion për dimensionin ndërkombëtar. Nuk e di nëse do të bëhesha diplomat apo të merresha me banka, me anën private ose publike, por Italia më ka dhënë mundësitë për t’u bërë ai që dua të jem sot, pra diplomat. Italia më ka dhënë mundësitë me eksperienca ndërkombëtare dhe sdudimet. Kështu që unë e falenderoj shumë Italinë, dhe pse ndjehem shumë krenar që jam shqiptar. Rrugëtimin tim profesional dua ta bëj me Italinë, sepse dhe instrumentet profesionale janë më të përshtatshme me realitetin italian.

CMG: Para një viti ke zhvilluar praktikën mësimore në Ambasadën Italiane në Tiranë. Kjo ishte zgjedhja juaj për të bërë praktikën në Shqipëri?

Ledio Ahmetaj: Unë për të bërë këtë lloj praktike duhet të kisha rezultate shumë të larta. Kështu që shënova dy preferenca, ku njëra ishte për Ambasadën Italiane në Athinë, dhe tjetra për Ambasadën Italiane në Shqipëri. Komisioni vlerësoi që unë mund të jepja më të mirën në Shqipëri dhe caktuan që ta zhvilloja praktikën në Ambasadën Italiane në Tiranë, ku fillova më  15 maj dhe e përfundova në muajin shtator të vitit 2023.

Ledio Ahmetaj ne interviste per CMG

CMG: Si ishte si eksperiencë të punoje me stafin e Ambasadës Italiane në Tiranë?

Ledio Ahmetaj: Mendoj se ishte një fat i jashtëzakonshëm, sepse ishte një koinçidencë që bërë këtë eksperiencë në një moment të mirë nga ana turistike, dhe puna në ambasadë ishte shumë e rëndësishme. Ky ishte një fat sepse unë mund të shikoja se çfarë ndodhte në ambasadë, ku bashkëpunova sepse dija dhe gjuhën shqipe. Kam patur eksperiencë në tre fusha kryesore, në anën kulturore, të shkollave dhe universitetit si dhe në anën tregtare dhe ekonomike. Unë përfitova shumë nga kjo eksperiencë, ku më bindi që e vetmja gjë që dua të bëj në jetë është diplomati. Pastaj nuk i dihet jetës dhe fatit, por tani e kam synimin ashtu si e kisha më parë, që të jem një diplomat.

CMG: Ke bërë shumë udhëtime në vende të ndryshme të botës. Çfarë janë udhëtimet për ty?

Ledio Ahmetaj: Udhëtimi për mua është një mënyrë për të shmangur monotoninë e jetës dhe mërzinë. Mendoj se një person nëse shpenzon burimet ekonomike në udhëtime, rritet shumë si njeri dhe pasurohet shumë. Unë dashuroj shumë pjesën mesdhetare, dhe këtë gjë e bëj duke vizituar shtetet e veriut, të cilat më japin një emocion jo aq të thellë siç ma japin shtetet si Spanja, Portugalia, Italia dhe Greqia. Kam bërë së fundmi një udhëtim në Tajlandë dhe aty u binda që njeriu duhet të udhëtojë që të kuptojë veten e tij, por dhe sesi funksionojnë kulturat e tjera dhe jeta.

CMG: Cili nga vendet ku ke udhëtuar të ka lënë më tepër mbresa?

Ledio Ahmetaj: Natyrisht Tajlanda dhe Singapori kanë qenë komplet ndryshe. Ne kemi mundësi të shkojmë në Paris, Spanjë apo Budapest, dhe që pak a shumë është kulturë europiane. Ndërkohë që duke shkuar në Tajlandë dhe Singapor ke mundësinë të shikosh një botë komplet ndryshe. Kështu që këto dy vende më kanë lënë një përshtypje shumë të mirë, sepse edhe njerëzit vetë ndjeheshin shumë të qetë dhe me më pak halle e stres. Përsa i përket kuzhinës, unë do të jem pak patriot sepse si kuzhina shqiptare, greke dhe turke nuk ka. Kam një mendim shumë të qartë, që sado që të udhëtosh, zemra i përket gjithmonë vendit ku ke lindur dhe je rritur. Pavarësisht faktit që unë dua të jem diplomat, shtetet më të bukura për mua mbeten Italia dhe Shqipëria.

CMG: Sa të ka mbështetur familja gjatë shkollimit dhe deri sot?

Ledio Ahmetaj: Unë kam fatin që kam një familje që më ka mbështetur gjithmonë, jo vetëm mua por edhe vëllain. Familja më ka thënë që unë mos të mendoj gjithmonë për sakrificat ekonomike, sepse ata nuk kanë dashur ta kenë peng që unë nuk kam bërë një eksperiencë për çështje ekonomike. Kështu që kam patur një mbështetje që besoj se nuk mund ta kisha provuar në ndonjë kontekst tjetër. Jam shumë i kënaqur  dhe shpresoj që një ditë t’ua shpërblej me gjithë zemër.

CMG: Ku do të kishe dëshirë ta provoje eksperiencën tënde të parë si diplomat?

Ledio Ahmetaj: Unë në këto vite, para se të bëhem diplomat e kam menduar shumë se ku mund të punoj. Sigurisht një eksperiencë në Shqipëri do të më interesonte shumë, sepse aty do të isha totalisht brenda vendit ku jetoj. Katër vite në Shqipëri nuk do ishin keq për mua, por në të njëjtën kohë do të doja shumë të provoja edhe Amerikën e Jugut, sepse e njoh shumë mirë spanjishten dhe kjo mund të më japë mundësinë të futem brenda kulturës së shtetit që do të shkoja, për të provuar një kulturë ndryshe. Pra Amerika e Jugut dhe Shqipëria mund të jenë preferencat e para.

Ledio Ahmetaj gjate nje udhetimi (Foto personale)

Ledio Ahmetaj ne Paris (Foto personale)

CMG: Si duhet të jetë një diplomat model?

Ledio Ahmetaj: Mendoj se një diplomat model nuk duhet të rrijë vetëm në zyrë, por duhet të provojë sa më shumë nga kulturat dhe ta kuptojë kulturën me të mirat dhe të këqijat e vendit. Gjithashtu duhet të analizojë realitetin për atë që është, dhe pse kjo bëhet pak e vështirë sepse je punonjës i shtetit dhe çfarë të thotë ministria e jashtme italiane atë duhet të bësh. Kjo gjë është vetëm nga ana profesionale, sepse nga ana personale kur të kthehesh në Itali dhe të shkruash biografinë tënde, në atë moment duhet të jesh i bindur që e ke jetuar këtë karrierë 360 gradë. Pra ke përfituar nga çdo rast për të njohur mirë njerëzit dhe kulturën e vendit. Unë mendoj se nuk duhet të mbetesh me stereotipe apo vetëm me atë që të thotë ministria e jashtme, por duhet të kesh kënaqësinë  dhe pasionin, për t’u futur brenda kulturës ku po shkon dhe ku po punon.

CMG: Si është një ditë e zakonshme e juaja në Itali?

Ledio Ahmetaj: Jeta ime nuk është shumë monotone, sepse ndryshon nga një muaj në muajin tjetër. Aktualisht unë po punoj shumë me temën e masterit  dhe rri duke kërkuar burime origjinale për të punuar me temën. Ndërkohë që më pëlqen të bëj një shëtitje në një park shumë të bukur që kemi afër shtëpisë, me disa shokë të pimë një kafe për t’u shmangur pak nga monotonia. Kështu vazhdon jeta ime e përditëshme, pak punë dhe pak qetësi me shokët dhe me natyrën që unë e kam shumë qejf.

CMG: Përveç diplomacisë dhe gjuhëve të huaja, ke pasione të tjera?

Ledio Ahmetaj: Kam shumë dëshirë të lexoj, më pëlqejnë romanet dhe sidomos ato libra që fokusohen tek tre shtylla të diplomacisë, historia, ekonomia dhe drejtësia. Këto libra më japin shumë pasion sepse kam ndjesinë që çdo libër që lexoj më jep disa elemete të reja, më pasurojnë ashtu si udhëtimet. Kam shumë dëshirë të zbuloj natyrën, të bëj udhëtime dhe shëtitje. Pra pasionet e mia janë natyrë, librat dhe profesioni im diplomacia.

Intervistoi; Gazmend Agaj