Gratë shkrimtare - foto ilustruese - foto telegrafi
Sipas shkrimtarit tonë Ismail Kadare, letërsia e shkruar artistike te shqiptarët fillon me Lekë Matrëngën, i cili qysh në vargun e dytë të poezisë “Pëshpëritje” (1592) për herë të parë përmend fjalën grua. Pas tij vjen Pjetër Budi që “përbën një nga kulmet botërore në portretizimin e hijeshisë femërore”, thotë ai. Edhe në periudhën e Rilindjes, që njihet si periudha e ringjalljes kulturore të shqiptarëve, poetët si Naimi, Çajupi e të tjerë e hyjnizuan gruan shqiptare gjer në lartësitë poetike, të paarritshme edhe sot. Ishte kjo koha e pushtimit osman, kur gruaja shqiptare, e mbërthyer nga sundimi i despotizmit oriental, nuk gëzonte asnjë të drejtë. Por vetë gratë, sa të pranishme ishin si autore në letërsinë shqipe?
Pas pavarësisë së Shqipërisë, letërsia shqipe mori një drejtim të ri zhvillimi. Megjithatë emri i gruas letrare thuajse nuk dukej gjëkundi. Duhej të vinin vitet ’30 për t’u dëgjuar zëri i atyre që sollën pranverë në shtypin shqiptar. Selfixhe Ciu (1918-2003), një vajzë 17 vjeçe nga Gjirokastra), ishte e para grua, e cila, nën pseudonimin “Kolombia”, më 28 nëntor 1935 në gazetën “Populli” botoi vjershën “Vala gënjeshtare”. Pas saj, një nga zërat dallues që ua çelën rrugën grave shqiptare në botën e bukur të artit është pa dyshim është Musine Kokalari.
Në lidhje me gratë shkrimtare, albanologu Robert Elsie, ka krijuar një renditje të autoreve të para gra ku, sipas tij, prin Adelina Mamaqi, me veprën poetike “Ëndrra vashërie” (1963), duke vijuar me: Zhuljana Jorganxhi, Natasha Lako, Adelina Bolashi, Elsa Bollauri, Beatriçe Bolliçi, Flora Brovina, Edi Shukriu, për të arritur në vitin 1973 me Helena Kadare dhe romanin “Një lindje e vështirë”, që konsiderohet romani i parë në letërsinë shkruar nga femrat shqiptare.
Duhet thënë se që nga fillimet e viteve ’90 numri i shkrimtareve është rritur. Shumë prej tyre tanimë numërojnë dhjetëra tituj librash të botuar. Një paraqitje të emrave të këtyre “zonjave të vogla” të letërsisë shqipe në librin “Mëngjeset në Kafe Rostand” e ka bërë edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, duke filluar me Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Luljeta Leshnaku, Ani Ëilms, Besa Myftiu, Lindita Arapi etj., “emrat e të cilave kurrsesi s’mund të jenë shterues”, thotë ai.
Kontributi i shkrimtareve më të spikatura të letërsisë shqipe.
Letersia e shkruar nga femrat- foto ilustruese - foto Letersia shqiptare
Musine Kokalari
Musine Kokalari lindi në vitin 1917 në Turqi në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Në vitin 1937 ajo botoi në shtypin e kohës me pseudonimin “Muza”. Musineja nisi studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë. Më 1939 Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë profesionale letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë si një koleksion i përbërë nga dhjetë rrëfenja të frymëzuara kryesisht nga kultura popullore e zonës së Gjirokastrës dhe të kompozuar në dialektin Toskë. Në qendër të kësaj vepre qëndon figura e gruas gjirokastrite dhe mundimet që duhet të përballeshin prej saj brenda një shoqërie thellësisht patriarkale. “Siç më thotë nënua plakë” cilësohet si vepra e parë letrare e shkruar dhe publikuar nga një grua shqiptare në të gjithë historinë e vendit.
Musine Kokalari, krahas veprave poetike, botoi edhe prozë, ku dominonin temat për pozitën e rëndë të gruas në shoqërinë shqiptare. Veprat e saj u vlerësuan lart nga kritika por, siç ndodh shpeshherë në jetë, gratë e shquara lihen në mosnjohje. Musineja për një kohë të gjatë ishte lënë në anonimitet, si pasojë e regjimit të kaluar, për t’u rikthyer prapë përmes veprave me vlera të larta artistike për kombin.
Helena Kadare
Helena Kadare është një autore novelash dhe romanesh. Ajo ka lindur në Fier në vitin 1943. Ishte ende gjimnaziste kur botoi në gazetën “Zëri i Rinisë” tregimin, i cili do të ishte fill i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe e Ismail Kadaresë, një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe. Studioi letërsi në Univesitetin e Tiranës dhe më pas punoi si gazetare dhe redaktore letrare. Helena Kadare ka jetuar në Paris me bashkëshortin e saj Ismail Kadare që prej vitit 1990. Tashmë janë kthyer në atdhe. Ndër romanet e Elena Kadaresë janë “ Një lindje e vështirë”, që konsiderohet si romani i parë i një shkrimtareje femër (1970), “Bashkëshortët”, “Një grua nga Tirana”, libri me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, etj.
Natasha Lako
Natasha Lako lindi në vitin 1948 në Korçë. Ajo është poete dhe romanciere e njohur, përfaqësuese e brezit të parë të shkrimtareve në Shqipëri. Ajo ka studiuar shkenca politike në Universitetin e Tiranës dhe është specializuar në gazetari.
Lako filloi të botonte në vitin 1972, vëllimin me poezi “Marsi brenda nesh”, “E para fjalëve të botës”, “Këmisha e pranverës”, “Yllësia e fjalëve”, “Natyrë e qetë”,”Thesi me pëllumba”, romani “Stinët e jetës”, etj. Për shumë vite ka punuar si skenariste në “Kinostudio Shqipëria e Re”. Ëshët skenariste e një numër të madh filmash si “Mësonjëtorja”, “Muri i gjallë”, “Partizani i vogël Velo”, “Rruga e lirisë”, “Fletë të bardha”, “Lule të kuqe, lule të zeza”,etj. Autorja është përfshirë në antologji botërore të poezisë dhe në disa përmbledhje ndërkombëtare poetike.
Elvira Dones
Elvira Dones është autore e nëntë veprave në prozë (shtatë romane dhe dy vëllime me tregime), si edhe gazetare dhe regjisore filmash dokumentarë e skenariste kinematografike. Ajo shkruan në shqip dhe në italisht. Veprat e saj janë nderuar me çmime të ndryshme ndërkombëtare, letrare dhe gazetarie. Ka lindur në Durrës në vitin 1960 dhe më pas diplomua për Letërsi Shqipe dhe Angleze në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Në vitin 1988 ajo u punësua si gazetare në TVSH. Gjatë kësaj periudhe largohet për në Zvicër ku ndërton një jetë të re. Nga viti 1988 deri në vitin 2004 Dones jetoi në Zvicër ku punoi si shkrimtare dhe gazetare në televizion, duke shkruar, drejtuar, e duke prodhuar disa dokumentarë. Pas vitit 2004 ajo u largua të jetonte në Shtetet e Bashkuara. Nga shkrimtarja ju rekomandojmë një nga librat e saj më të bukur, me titull “Yjet nuk vishen kështu”.
Flutura Açka
Flutura Açka është një tjetër shkrimtare shqiptare. Ka lindur Elbasan, në vitin 1966. Është poeteshë, shkrimtare dhe botuese shqiptare. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit. Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në një shtëpi botuese. Më 2001 ngriti shtëpinë e saj botuese “Skanderbeg”, me qendër në Tiranë.
Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë europianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh “Tivoli Europa” në Itali. Libri që do t’ju rekomandoja prej saj është romani “Vetmi gruaje”.
Femrat ne letersine shqipe - foto shtepia Botuese Albas
Mimoza Ahmeti
Ahmeti ka lindur në vitin 1963. Pas përfundimit të studimeve në Krujë, ajo ndoqi Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës, më pas filloi të botonte vargje në vitin 1980. Përmbledhja e saj e parë poetike, “Bëhu i bukur”, doli në vitin 1986, pasuar dy vjet më vonë nga vëllimi “Sidomos nesër”. Ka botuar edhe tregime në revista të ndryshme letrare shqipe.
Poezia dhe proza e saj është përkthyer gjerësisht në gjuhët evropiane. Është fituese e çmimit ndërkombëtar (Palma e Artë” të Festivalit të Poezisë San Remo, 1998, organizuar nga RAI. Punon lektore dhe është Doktore Shkence në fushën e Psikoterapisë, laureuar me rezultat ekselent në Vienë. Libra të tjerë të autores janë “Delirium”,“Pjalmimi i luleve”, “Libri i lumturisë”, “Arkitrau”, “Gruaja haluçinante”, “Tregimet e civilizimit”, etj.
Luljeta Lleshanaku
Luljeta Lleshanaku lindi më 1968 në Elbasan. Ajo është një ndër poetet më të mira bashkëkohore shqiptare. Luljeta Lleshanaku është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në degën gjuhë-letërsi më 1997. Ndërkohë ka ndjekur studimet master në SHBA për Arte të Bukura. Ajo ka qenë redaktore në revistën javore “Zëri i rinisë”. Më vonë ajo punoi në gazetën “Drita”. Lleshanaku është autore e katër përmbledhjesh poezish. Poezitë e saj janë një përzierje e imagjinatës me realitetin. Poetja është përkthyer në frëngjisht, sllovakisht, gjermanisht dhe anglisht.
Besa Myftiu
Besa Myftiu ka lindur në Tiranë. Ka kryer studimet e larta për letërsi në Tiranë. Pas një pune disavjeçare si pedagoge në Institutin e lartë pedagogjik të Elbasanit, Myftiu punoi si gazetare në revistën “Skena dhe ekrani”. Ka shkruar skenarin e filmit televiziv “Unë e dua Erën”, më 1991. Në vitin 1992 largohet nga Shqipëria për në Zvicër. Jep mësim në Universitetin e Gjenevës në Fakultetin e Shkencave Pedagogjike. Shkruan në gjuhën frënge dhe është autore e libra “Miq të humbur”, “Rrëfime nga vendet e harruara”, si dhe përmbledhja me tregime “Drejt të pamundurës”.
Mira Meksi
Mira Meksi është shkrimtare dhe përkthyese shqiptare. Mira Meksi kreu studimet e larta për filologji shqipe dhe frënge në Universitetin e Tiranës. Është një nga zërat më të rëndësishëm, më të fuqishëm dhe më përfaqësues të letrave shqipe. Është lëvruese e pothuaj të gjitha gjinive letrare, duke filluar që nga romani: “Frosina e Janinës”, “E kuqja e demave”, “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”; përmbledhjeve me tregime “Mali i shpirtrave”, “Buzë të panjohura gruaje”, “Zonja plakë e Parisit”, “Magjistrica e 12 pasqyrav”, “Guri filozofal”, etj. Mira Meksi gjithashtu është një përkthyese e njohur e veprës së Gabriel Garsia Marquez.
Ornela Vorpsi
E lindur në Tiranë në vitin 1968, Ornela Vorpsi studioi Artet e Bukura në Shqipëri, më pas, nga viti 1991, në Akademinë Brera. Në vitin 1997 emigroi në Paris ku studioi në Universitetin e Parisit. Në Itali botoi romanin "Vendi ku nuk vdisni kurrë" për të cilin fitoi disa çmime auropiane. Librat e saj janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë. Në vitin 2021, ajo u rendit si një nga 35 shkrimtarët më të mirë të Evropës në kategorinë “Fiksioni Europian më i Mirë”. Vepra të tjera të autores janë: “Dora që nuk kafshon”, “Pini kakao nga Houten!”dhe “Udhëtim rreth nënës”.
Neritana Kraja