Foto: VCG
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning tha të hënën në një konferencë për shtypin se zgjedhjet në rajonin e Tajvanit janë çështje e brendshme e Kinës dhe rezultati i zgjidhjeve nuk e ndryshon faktin që në botë ka vetëm një Kinë dhe Tajvani është pjesë e Kinës.
Mao Ning theksoi se të dyja anët e Ngushticës së Tajvanit i përkasin një Kine dhe Tajvani është pjesë e territorit kinez.
"Zgjedhjet në rajonin e Tajvanit janë një çështje e brendshme e Kinës. Rezultati i zgjedhjeve nuk e ndryshon faktin që ka vetëm një Kinë në botë dhe që Tajvani është një pjesë e Kinës, si edhe nuk e ndryshon konsensusin e përgjithshëm të bashkësisë ndërkombëtare për t'iu përmbajtur parimit të 'Një Kine'. Edhe pse të dy anët e Ngushticës së Tajvanit nuk janë ribashkuar ende, sovraniteti dhe territori i Kinës nuk janë ndarë kurrë dhe statusi ligjor e fakti që Tajvani është pjesë e territorit të Kinës nuk kanë ndryshuar kurrë. Kjo është gjendja e vërtetë e çështjes së Ngushticës së Tajvanit. Më në fund, Kina do të arrijë ribashkimin e plotë dhe Tajvani me siguri do të kthehet në përqafimin e atdheut," u shpreh zëdhënësja.
foto: VCG
Mao vuri në dukje më tej se parimi i "Një Kine" është baza politike për vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe vendeve të tjera, është një normë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus i përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar. Sipas saj, aktualisht ka shumë vende dhe organizata ndërkombëtare, duke përfshirë Rusinë, Indonezinë, Vietnamin, Kamboxhian, Laosin, Bangladeshin, Filipinet, Sri-Lankën, Nepalin, Afrikën e Jugut, Egjiptin, Etiopinë, Zimbabven, Kazakistanin, Uzbekistanin, Taxhikistanin, Bjellorusinë, Serbinë, Hungarinë, Guinenë e Re, Kubën, Venezuelën, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, Lidhjen e Shteteve Arabe etj., që kanë ritheksuar publikisht angazhimin e tyre ndaj parimit të "Një Kine", duke mbështetur fuqishëm Kinën në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, duke kundërshtuar çdo formë të "pavarësisë së Tajvanit" dhe duke përkrahur ribashkimin e Kinës.
Përveç kësaj, në përgjigje të një takimi të hënën të delegacionit të lartë amerikan me Lai Ching-te dhe Tsai Ing-wen në Tajvan, zëdhënësja deklaroi se Kina ka kundërshtuar gjithmonë me vendosmëri çdo formë të shkëmbimeve zyrtare midis ShBA-së e Tajvanit dhe ndërhyrjen e ShBA-së në çështjen e Tajvanit në çfarëdo forme dhe me çfarëdo preteksti.