Ministri Mete: Ekonomia po hyn në një faze të re zhvillimi
2024-01-15 10:28:41

Ekonomi parashikim (Revista monitor)

Ekonomi parashikim (Revista monitor)

Përfaqësues të qeverisë shprehen ambiciozë për këtë vit sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Për mediat Ministri i Financave Ervin Mete bëri një parashikim të zhvillimeve në këtë drejtim duke u bazuar në disa sektorë potencialë.

“Sa i përket vitit që sapo ka nisur, parashikimet tona janë që ekonomia do të vijojë të zgjerohet, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, ecuria e mirë e sektorit të energjisë dhe ai i ndërtimit. Rritja pritet të jetë të paktën në nivelet e vitit 2023, ose edhe më e lartë dhe e balancuar me zhvillimet e ekonomisë evropiane.”

Rritja e pagave është një lajm i mirë për qytetarët.

“Për të gjitha këto kategori, nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje të konsiderueshme të pagave, me synimin që brenda këtij viti të arrijmë pagën mesatare prej 900 Euro në sektorin publik. Në total, efekti vjetor për financimin e reformës së pagave llogaritet në afro 40 miliardë lekë, ose 400 milionë Euro dhe parashikohet që rritja të vijojë më tej, për të mbështetur punësimin cilësor dhe për të arritur ndër pagat më konkurruese në rajon.Besojmë që kjo rritje pagash do të rrisë konkurrencën në tregun e punës, duke nxitur edhe rritjen e pagave në sektorin privat.’

Shtresat në nevojë do të marrin mbështetjen e duhur.

“Gjithashtu, në kuadër të politikave sociale, kemi nisur punën me mbështetjen e Bankës Botërore, për të realizuar një vlerësim të shtyllave të mbrojtjes sociale. Pjesë e analizës vlerësuese, siç e kam theksuar edhe më herët, do të jetë edhe skema e pensioneve, me qëllim jo vetëm rritjen e qëndrueshmërisë së saj, por edhe për një shpërndarje më të drejtë të mbështetjes për kategoritë e pensionistëve.”

Buxheti i këtij viti, sipas  ministrit Mete premton shumë në investimet  e parashikuara.

ervin mete (Ministria e financave)

ervin mete (Ministria e financave)

“Buxheti i këtij viti, i cili tashmë ka nisur zbatimin, do të mbështesë më tej rritjen ekonomike, me 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara, ndërkohë që borxhi publik pritet të zbresë për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60%.Ky është një buxhet ambicioz, që i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë, duke mbajtur një nivel të lartë të investimeve publike, duke rritur  transfertën për pushtetin vendor, duke financuar sektorin e mbrojtjes që arrin për herë të parë 2% të GDP-së si angazhim i anëtarësimit në NATO, duke mbështetur më tej reformën në drejtësi, si edhe komponentët e mbrojtjes sociale.”

Në fokus do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i administrimit të të ardhurave në bashkëpunim me institucionet e huaja ndërkombëtare.

“Të ardhurat tatimore, të parashikuara në buxhetin e këtij viti, vlerësohen në mbi 634 miliardë lekë, ose rreth 40 miliardë lekë mbi nivelin e arkëtimeve të vitit 2023. Në vëmendjen tonë do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i administrimit të të ardhurave, sidomos në sektorë me potencial të lartë, si turizmi.Gjithashtu, do të punojmë së bashku me FMN-në, me të cilën kemi dakordësuar të rishikojmë Strategjinë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave, me synim të një strategjie sa më koherente, që merr në konsideratë zhvillimet dhe treguesit e fundit makrofiskalë.”

Veç zbatimit të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, ka edhe një formulë për taksimin e kalimit të pronësise.

“Nga data 1 janar, siç e dini, ka nisur zbatimin ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Ky ligj është plotësuar tashmë me të gjitha aktet e nevojshme nënligjore që mundësojnë zbatimin e plotë të tij. Ligji modernizon sistemin e taksimit të të ardhurave në vend dhe vendos më tepër drejtësi në taksimin e kategorive të të ardhurave.Gjej rastin gjithashtu t’ju informoj se në kuadër të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” është hartuar edhe udhëzimi i ri, lidhur me taksimin e kalimit të pronësisë, ku kemi gjetur me vend të vendosim një rregull të ri, në bazë të të cilit çmimet e referencës do të amortizohen me 1% në vit në varësi të moshës së ndërtesës.Gjatë këtij viti, do të ketë një rishikim të çmimeve të referencës edhe në bregdet, me ndarje zonash të caktuara, që do të reflektojnë rritjen e çmimeve në këto zona.’- tha Mete.

Sa i takon vitit që lamë pas, ministri Mete vlerëson faktin se Standard and Poor’s rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive, për herë të parë pas 7 vitesh.

Ekonomi (Vesa News)

Ekonomi (Vesa News)

“Me ecurinë pozitive të ekonomisë, të ardhurat e larta, trendin ulës të borxhit, si edhe me avancimin e procesit të negociatave drejt Bashkimit Evropian, është hapur rruga për një upgrade, apo kalim në një kategori më të lartë nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit.Kemi pasur një ecuri shumë pozitive të negociatave, vlerësuar lart edhe nga ekspertët e Komisionit Evropian, shprehur kjo edhe në Raportin e Progresit, ku veçanërisht një pjesë e mirë e kapitujve që lidhen me ekonominë dhe financat kanë marrë vlerësime pozitive, dhe në kapituj të caktuar, si në rastin e shërbimeve financiare, renditemi me vlerësimin më të lartë në rajon.”

Ministri tha se Plani i Rritjes, Growth Plan, i prezantuar së fundmi nga Komisioni Evropian, i cili pritet të shërbejë si shtysë për përshpejtimin e procesit të integrimit dhe reformave, do të shoqërohet me një paketë domethënëse financiare për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku vendi ynë pritet të përfitojë deri në 1 miliardë Euro, në formën e granteve dhe kredive të buta, krahas mbështetjes që merr aktualisht nga programet IPA.Ky Plan Rritjeje i BE-së synon të sjellë për vendet e rajonit disa nga përfitimet e anëtarësimit, përpara hyrjes zyrtare në BE, si edhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike, si mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe mes tyre dhe Bashkimit Europian.

“Praktikisht, ekonomia po hyn në një fazë të re zhvillimi. Patëm një vit të jashtëzakonshëm turistik, nivele të larta të investimeve të huaja direkte, një performancë të mirë të të ardhurave, si dhe shifra në ulje të papunësisë.Kemi tashmë një turizëm thuajse gjithëvjetor, me mbi 10 milionë vizitorë të huaj, ku vlerësohet se për 9-mujorin e parë të vitit 2023 flukset hyrëse në Shqipëri nga turizmi kanë qenë afro 3.2 miliardë Euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.”

Sipas Metes, pritshmëritë janë që inflacioni të rikthehet në objektiv brenda këtij viti.

“Papunësia ka zbritur në nivele të ulëta historike, prej 10.5% dhe tendenca është për rënie të mëtejshme poshtë 10% në periudhat në vijim. Paralelisht, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës arriti nivelin më të lartë historik prej 76% në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023. Këto të dhëna janë inkurajuese për të vijuar më tej politikat e nxitjes së punësimit, me fokus uljen e mëtejshme të papunësisë sidomos për gratë dhe të rinjtë.”

Sipas Ministrit Mete është e rëndësishme që rritja dhe zhvillimi ekonomik të jenë të balancuara dhe gjithëpërfshirëse, duke pasur vëmendje ndaj shtresave sociale dhe kapitalit njerëzor.