Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi u takua të dielën në Kajro me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi. Të dy palët ranë dakord të vazhdojnë të forcojnë komunikimin dhe bashkërendimin në korniza të tilla si BRICS-i dhe OKB-ja.
Foto nga VCG
Nën drejtimin e të dy krerëve të shtetit, besimi i ndërsjellë politik midis Kinës dhe Egjiptit vazhdon të konsolidohet dhe bashkëpunimi praktik ka dhënë rezultate të frytshme, tha Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës.
Ai shtoi se Kina e Egjipti kanë treguar përgjegjësinë e vendeve të mëdha në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe është përshpejtuar dhe ka arritur në nivelin më të lartë.
Foto nga VCG
Kina mbështet fuqishëm Egjiptin në zgjedhjen e një rruge zhvillimi që u përshtatet kushteve të veta kombëtare, në kundërshtimin e ndërhyrjes së huaj në punët e tij të brendshme, në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë e interesave të zhvillimit, në ndjekjen e një politike të jashtme të pavarur dhe në luajtjen e një roli më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, tha Wang.
Duke shprehur vlerësimin për përgjigjen aktive të Egjiptit ndaj bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, kreu i diplomacisë kineze vuri në dukje që Kina është e gatshme të forcojë përafrimin e strategjive të zhvillimit të të dy vendeve dhe të promovojë bashkëpunimin praktik për të arritur më shumë rezultate, duke i çuar përpara proceset e tyre përkatëse të modernizimit.
Duke vënë në dukje se Egjipti është një vend i rëndësishëm arab, afrikan, islamik dhe në zhvillim, Wang e uroi edhe një herë këtë vend për anëtarësimin në BRICS.
Kina është e gatshme të punojë me Egjiptin për të promovuar një multipolarizim më të barabartë e të rregullt, si edhe një globalizim ekonomik me dobi për të gjithë e përfshirës, për të ndërtuar së bashku një bashkësi me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, tha kreu i diplomacisë kineze.
Presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sisi vuri në dukje nga ana e tij se i kushton rëndësi të madhe partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-egjiptian dhe është i gatshëm të krijojë një partneritet më të ngushtë me palën kineze për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Foto nga VCG
Udhëheqësi egjiptian përsëriti se vendi i tij do t'i përmbahet gjithmonë parimit të "Një Kine" dhe kundërshton çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.
Duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj Kinës për mbështetjen e fuqishme për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Egjiptit, Sisi tha se ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” nga Egjipti dhe Kina ka arritur rezultate të jashtëzakonshme. Kreu i shtetit i Egjiptit i falënderoi gjithashtu ndërmarrjet kineze për "kontributin e tyre të rëndësishëm" në ndërtimin kombëtar dhe zhvillimin ekonomik të vendit të tij dhe mirëpriti më shumë investime kineze në Egjipt.
Në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez në Rripin e Gazës, të dyja palët ranë dakord që armëpushimi dhe përfundimi i dhunës duhet të arrihen sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të konfliktit.