Foto nga VCG
Një i dërguar kinez paralajmëroi të premten për pasojat e zhvendosjes së detyruar të palestinezëve nga Gaza, duke theksuar rëndësinë e një armëpushimi të menjëhershëm.
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Zhang Jun tha në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit se gati 100 ditë pas konfliktit të vazhdueshëm palestinezo-izraelit, 23 mijë njerëz në Gaza dhe mbi 200 punonjës të OKB-së dhe gazetarë kanë humbur jetën, ndërsa 90% e popullsisë në Gaza është zhvendosur.
Lidhur me retorikën e “emigrimit vullnetar” nga Gaza, ai tha se çdo zhvendosje e detyruar e palestinezëve duhet të kundërshtohet në mënyrë të vendosur. “Kjo do të nënkuptonte dëbimin e 2 milion njerëzve nga Gaza dhe kthimin e saj në një zonë të ashtuquajtur të sigurt pa banim njerëzor. Nëse zbatohet në praktikë, një ide e tillë e tmerrshme do të përbënte një krim mizor sipas ligjit ndërkombëtar dhe do të shkatërronte plotësisht perspektivën e zgjidhjes me dy shtete.” - tha Zhang.
Foto nga VCG
Përveç kësaj, Zhang bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza. Sipas tij, Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij si fuqi pushtuese, të garantojë sigurinë e punonjësve humanitarë dhe të bashkëpunojë plotësisht në përpjekjet e ndihmës humanitare. Kina mbështet gjithashtu veprimet e mëtejshme të Këshillit të Sigurimit për të hequr pengesat për hyrjen e sigurt, të shpejtë dhe pa pengesa të furnizimeve të mjaftueshme humanitare në Gaza.
Ndërkohë, Zhang apeloi për përpjekje në nxitjen e një armëpushimi në Gaza me urgjencën maksimale. “Vetëm një armëpushim mund të parandalojë viktima më të mëdha civile dhe katastrofa humanitare dhe vetëm një armëpushim mund të parandalojë që i gjithë rajoni i Lindjes së Mesme të përpihet nga fatkeqësia.” - tha ai. Sipas tij, është shqetësuese që në vend të një armëpushimi të menjëhershëm, konflikti po zgjerohet. “Një armëpushim i menjëhershëm është bërë apeli i gjerë i komunitetit ndërkombëtar. Megjithatë një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit ka përdorur justifikime të ndryshme për të bllokuar konsensusin mbi këtë çështje, duke përdorur të drejtën e vetos. Kjo është një përbuzje e hapur për drejtësinë ndërkombëtare dhe për autoritetin e Këshillit të Sigurimit.” - tha Zhang.
Foto nga VCG
"Disa njerëz flasin vazhdimisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e gjenocidit. Ndërsa, përballë situatës së tmerrshme në Gaza, ata luajnë memecin, përdorin metoda penguese dhe përpiqen të devijojnë vëmendjen.” – tha Zhang, duke shtuar se ato po venë në jetë standarde të dyfishta. "Eshtë e domosdoshme që të heqim çdo ndërhyrje dhe të ndërmarrim veprime të fuqishme për t'i dhënë fund luftimeve, për të shpëtuar jetë dhe rivendosur paqen." - theksoi Zhang.
Në përfundim Zhang tha se Kina i kërkon komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve me ndikim të madh, që ta bëjnë zbatimin e armëpushimit si një detyrë urgjente dhe prioritare. Ai shtoi se Kina është e shqetësuar për pasojat e konfliktit të Gazës dhe situatën në Detin e Kuq. Veprimi ushtarak i nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania kundër Jemenit padyshim do të përkeqësojë tensionet rajonale.