Hana Cakuli, jeta me muzikë në Gjermani
2024-01-14 09:28:44

Hana Cakuli & Unibeat band (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli & Unibeat band (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli e ka dashur gjithmonë muzikën. Ajo që në moshën 6 vjeçare ka dalë në skenë me perfomanca të ndryshme, por profesionalisht e ka nisur angazhimin muzikor 16 vjeç me prezantimin në “Top Fest”. Vajza ulqinake menjëherë u bë mjaft e njohur në Shqipëri e më gjerë, për talentin e saj, materialet e veçanta muzikore, duke e vijuar sukseshëm rrugëtimin në muzikë, ndërsa ndiqte studimet në Prishtinë. Këngët e saj janë të shumta ndër të cilat “U shërova” me të cilën në “Kënga Magjike” 2007 fitoi çmimin 'Best melody', këngën pjesëmarrëse në “Top Fest” "Çka do t'iu themi nënave",  fituese e çmimit 'Best song', këngët e publikuara me videoklipe "Unë vendos", "Kopshti" në duet me Kushtrim Hoxhën, etj.

Hana Cakuli  (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli  (Foto nga instagrami)

U bë rreth një dekadë që Hana nuk ishte aktive për publikun shqiptar, pasi ka krijuar familjen dhe ka ndërtuar jetën e saj në Mynih të Gjermanisë. Kohët e fundit e kemi parë artisten Hana Cakuli të interpretojë këngën e re “Përjetë”, një dedikim për dy të afërmit e saj që nuk jetojnë më.  Ajo çfarë e bën më të dhimshëm këtë rrëfim është se fillimisht e humb jetën Vjosa, e ndërsa djali që e donte aq shumë, kërkoi që t’i dedikohej një këngë asaj, fatkeqësisht pas disa muajsh humb jetën. E ndërsa kënga ishte në mes të projektit e po flitej për të realizuar videoklipin me animim, mori tjetër drejtim. Në fillim i kushtohej një personi, e më pas ju kushtua të dyve, duke ardhur si një rrëfim dashurie, një histori e dhimshme dashurie. Kënga “Përjetë” u vlerësua në “Netët e Klipit Shqiptar” me çmimin “Grafika më e mirë” për videoanimacionin e krijuar nga Fortesa dhe Rina nga studio LaboratorioSofta, me tekst të Aida Barakut dhe  muzikë e produksion nga Florent Boshnjaku.

E ftuar në Radio Ejani Hana Cakuli rrëfen për jetën e  saj në Gjermani, lidhjen me muzikën  si pjesë e grupit Unibeat band,  emocionet e këngës “Përjetë”, si dhe planet për  vitin e ri 2024.

Hana Cakuli ne Kenga Magjike (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli ne Kenga Magjike (Foto nga instagrami)

CMG:  Përshëndetje Hana! Mirë se vjen në programin "Muzika shqip"! Gëzuar Vitin e Ri 2024! Kënaqësi që jeni në Radio Ejani!

Hana Cakuli: Përshëndetje dhe gëzuar të gjithë dëgjuesve! Është kënaqësi të jem këtu me juve. Shpresoj që të keni një vit sa më të mbarë me shëndet, gëzime, me plotësim dëshirash, në një botë edhe pse me trazira kohët e fundit, shpresoj që të jemi më të dashur me njëri- tjetrin dhe të fillojmë një vit më të mbarë dhe më pozitiv.

Hana Cakuli ne Netet e klipit shqiptar (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli ne Netet e klipit shqiptar (Foto nga instagrami)

CMG:  Si erdhi tek ty viti i ri?

Hana Cakuli: Viti i ri filloi qetë, sepse jam me familjen në këtë periudhë të fillim vitit. Jam me pushime, kaloj kohë me familjen time, me dy vajzat e mia binjake dhe me bashkëshortin. Në fundvit preferuam të kalonim disa ditë pushimi në Austri, në mal. Në periudhë dimri e bëjmë gjithmonë këtë gjë, shkojmë në Austri apo në Zvicër. Ishte bukur, relaksuese, ishte një kohë për të mbledhur energji për vitin e ri. Kështu ishte për mua ky fillim viti.

Hana Cakuli (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli (Foto nga instagrami)

CMG:  Hana, edhe pse jeton në Gjermani prej një dekade, vijon të merresh edhe aty me muzikë.  Cilat janë angazhimet e tua muzikore aty?

Hana Cakuli: Po, është fiks një dekadë që jam këtu në Gjermani, e pabesueshme se si kalon koha. Muzikën nuk mund ta le asnjëherë edhe pse muzika, si në periudhën kur isha pranë vendlindjes, ka qenë dytësore, pasi kam studiuar diçka tjetër në lidhje me menaxhimin. Muzika ka qenë profesioni i dytë, mund ta quaj hobi, ose diçka e ndërmjetme. Vazhdon të jetë e tillë në Gjermani, por për shikuesit dhe dëgjuesit shqiptarë, nuk kam qenë aq prezente në median shqiptare, duke qenë se jetoj në Mynih të Gjermanisë, ku muzikën që bëj momentalisht po e koncentroj këtu pasi kam bendin tim muzikor Unibeat band. Është një bandë muzikore  ku interpretojmë këngë më së shumti në gjuhën angleze, bëj pak muzikë në gjuhën gjermane për audiencën këtu, italisht ngaqë më pëlqen muzika italiane, është një miks internacional këngësh që ja servirim publikut gjerman, këtu ku unë jetoj. Bëjmë muzikë apo  këndojmë për ndonjë festë të tyren, por edhe në dasma marr pjesë shpesh me bendin tim muzikor. Janë shpesh dasma të kombinuara ku njëri nga çifti është i huaj, apo gjerman dhe tjetri është shqiptar. Në këto raste e kombinojmë pak muzikën shqip me repertorin internacional.

Për publikun shqiptar kjo gjë nuk është e njohur dhe shpesh më pyesin, se kur do të rikthehem në muzikë. Është me të vërtetë e vështirë që të punosh për një firmë të madhe, siç është Amazon ku jam duke punuar prej më shumë se tre vitesh, të kesh familje, të bësh muzikë në Gjermani dhe njëkohësisht të gjesh kohë edhe të  bësh muzikë edhe për audiencën shqiptare.  Nuk mund të them se kjo është, e pamundur, sepse po mundohem të rikthehem kohë pas kohe, por nuk është e lehtë. 

Shkeputur nga videoklipi  Përjetë  (Foto nga instagrami)

Shkeputur nga videoklipi  Përjetë  (Foto nga instagrami)

CMG:  Sa kohë t’u desh të përshtateshe me një vend  dhe kulturë tjetër ?

Hana Cakuli: Në fillim kur erdha në Gjermani isha regjistruar për Master në Universitetin Teknik të Mynihut, në drejtimin, “Çështje e konsumatorëve”, studime që i realizova në gjuhën angleze dhe është pjesë e menaxhimit. Ky ishte hapi im i parë në Gjermani dhe i integrimit në Mynih, sepse të filloje me Master këtu, ishte një mënyrë shumë e mirë për të filluar punë. Duke qenë se kisha përfunduar një Universitet gjerman, mu hapën dyert më lehtë për të filluar punë në kompani të ndryshme. Në fillim ishte pak e vështirë gjuha, por tani jam mjaft mirë dhe më shkon shumë, edhe pse nga të gjitha gjuhët që di gjermanishtja është më e vështira. E flas rrjedhshëm, por mendoj se nuk jam ende në nivelin që dua, kjo është një sfidë më vete. 

Pasi përfundova masterin, kursin e gjermanishtes, krijova shoqërinë dhe që në fillim krijova bendin tim muzikor, ku krahas studimit dhe punës, fillova të bëja prova të shumta për të realizuar repertorin tonë për të qenë gati për tregun muzikor këtu. Jam munduar që të gjej veten si në profesion, por edhe në muzikë. Është komplet ndryshe nga tregu shqiptar, por është interesant në mënyrën e vet dhe më vjen mirë që kam rastin që mund të punoj, të këndoj, e të bëj jetën këtu në Gjermani. 

Hana Cakuli me familjen (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli me familjen (Foto nga instagrami)

CMG: Si është të bashkëpunosh me artistë të huaj? 

Hana Cakuli: Të them të drejtën shumica e bendit janë muzikantë shqiptarë, por  ka edhe muzikantë të huaj.  Në përgjithësi të bashkëpunosh me të huaj, apo me gjermanë dhe këtu mund të them jo vetëm me artistë, por edhe me kolegë pune është perfekt, sepse janë njerëz të fjalës, janë korrektë dhe po ta thanë “jo”, dihet se është një “jo” e qartë. Ndërsa sa i përket artistëve, ata janë të njëjtë kudo, me artistët gjermanë nuk kam bashkëpunuar anjëherë, mendoj se gjermanët janë më shumë të prirur për inxhinierë.

Të huajt me të cilët kam bërë muzikë këtu janë spanjollë, latinë dhe janë të ngjashëm me shqiptarët sepse kemi mentalitet më të afërt, sesa me një gjerman. Është kënaqësi të bashkëpunoj me ta e të bëjmë miksin e muzikës.

Është kënaqësi të bashkëpunosh me artistë të ndryshëm, të shohësh prespektiva të tjera, gjuhë të tjera, ku edhe me grupin kemi repertor internacional dhe mundemi që të sjellim cover në gjuhë të ndryshme.

Shkeputur nga videoklipi  Përjetë (Foto nga instagrami)

Shkeputur nga videoklipi  Përjetë (Foto nga instagrami)

CMG:  Kënga e fundit që ke sjellë në Shqipëri ka qenë "Përjetë", një material muzikor, një dedikim... 

Hana Cakuli: Kënga “Përjetë” është kënga e fundit që kam publikuar në gjuhën shqipe dhe është transmetuar e shoqëruar me një videoanimacion, sepse ishte projekti i tillë, një dedikim për dy persoan që fatkeqësisht kanë ndërruar jetë, pjesëtarë të familjes.Kjo gjë ka ndodhur gjatë kohës së Covid-it, një periudhë mjaft e  vështirë për të gjithë botën.

Ishte shumë e vështirë periudha kur ishim të mbyllur e nuk po lëviznim dot dhe të humbnim dy persona të dashur në të njëjtën kohë, ishte shumë e vështirë. Ajo çfarë doli e bukur në atë këngë, ishte vetëm dedikimi për ta. Ishin një çift ku më parë ndërroi jetë njëri e brenda vitit edhe tjetri. Kjo na bëri ne si familje që të mblidheshin dhe të krijonim një këngë për ta, më pas edhe videoklipin, të cilin e donim të ishte sa më diskret. Ideja nuk ishte që të paraqitesha unë me ndonjë performancë, por ideja të vinte e pastër, një dedikim për këta dy persona, për dashurinë e tyre për njëri-tjetrin  dhe për dhimbjen e familjes që i humbën të dy përnjëherë. Prandaj edhe kënga ka titullin “Përjetë” sepse përjetë do t’i duam dhe do të mendojmë për ta. Edhe pse gjithçka ndodhi në periudhën e Covid-it dhe publikimi ndodhi pak pas saj, mendoj se publiku mund të lidhet me këtë këngë, kushdo që ka humbur dikë, i transmeton ato emocione. 

CMG: Le ta quajmë si një rikthim në muzikën shqiptare pas shumë kohësh…A do sjellë Hana këngë të tjera në vijim?

Hana Cakuli: Nuk është e lehtë që të punosh me kohë të plotë në Amazon, të kesh familje dhe të bësh muzikë, njësoj sikur kam bërë dikur në trojet shqiptare. Kur isha në vendlindje në Mal të Zi, i kisha më afër festivalet, gjeja kohë për të qenë më prezente në televizione. Kam pasur shpesh ftesa të jem pjesë e festivaleve të ndryshme apo programeve, por përgjigjja ime ka qenë “jo”, sepse kam pasur prioritete të tjera këtu ku jetoj në Gjermani, kam bendin muzikor dhe fatkeqësisht nuk mund të isha në dy vende në të njëjtën kohë, ndaj  shpesh u kam thënë “jo” shumë ftesave. Më vjen shumë keq për këtë dhe u kërkoj falje publikisht. Dëshira është që të bëj edhe më shumë seç kam bërë dikur në trojet shqiptare, por nuk është e thjeshtë. Patjetër që do të vazhdoj të realizoj dhe të inçizoj në gjuhën shqipe, do të ketë edhe ndonjë këngë të re, por jo shumë shpesh.

Hana Cakuli në Chinetown ne Manhatan (Foto nga instagrami)

Hana Cakuli në Chinetown ne Manhatan (Foto nga instagrami)

CMG:  Si kanë qenë për ty këto 10 vite larg vendlindjes?

Hana Cakuli: Kur e dëgjoj kështu 10 vite, më duken e çuditshme se sa shpejt kanë ikur vitet. Janë shumë të mendosh 10 vite larg familjes, larg shoqërisë dhe atyre që më mungojnë më së shumti, por edhe larg festivaleve. Të jesh larg një pjese jete që ke bërë më herët është e vështirë, por kjo është një gjë për të cilën kam qenë e  vetëdijshme që do e lë pas, e do më mungojnë. Kam zgjedhur të vazhdoj të jetoj në Mynih të Gjermanisë sepse është një vend shumë i mirë për standartin, për punën, për familjen është një vend i mirë për të jetuar.

10 vite larg nuk është e lehtë, por rikthehem herë pas here gjatë pushimeve të ndryshme me familje e me shoqëri, por edhe ata vijnë e më vizitojnë. E keqja është që nuk mundesh që të jesh sa herë që dëshiron të jesh, ndonjëherë e humb ndonjë datë të rëndësishme, ndonjë ditëlindje të ndonjë familjari, që nuk mund të jem dot me ta në ndonjë ditë të veçantë, por të paktën kemi teknologjinë dhe flasim shpesh.

CMG: A bëjnë pjesë në repertorin tënd muzikor në Gjermani, këngët e tua?

Hana Cakuli: Këngët e mia, këtu në Gjermani, jo. Këngët në gjuhën shqipe i kam për publikun shqiptar, ndërsa këtu bendi muzikor ka një koncept tjetër me muzikën internacionale, por edhe muzikën shqip nëse interpretojmë ndonjëherë nëpër dasma kur njëri nga çiftet është shqiptar, bëjmë ndonjë këngë dasmash shqiptare, por edhe muzikë internacionale, jo këngët e mia.

CMG:  Një këngëtare me një vokal të ngrohtë, buzëqeshje engjëllore, një talent që në moshë të vogël, dite t'i zgjidhje mirë këngët e repertorit, të cilat i kanë rezistuar kohës…  Si do e përkufizoje ti veten?

Hana Cakuli: Po gëzohem që këngët i rezistojnë kohës, se me atë qëllim i kam krijuar. Kam qenë gjithmonë më shumë pro kuatiletetit se sa kuantitetit. Edhe sa isha në vendlindje, nuk kam bërë shpesh dhe shumë këngë, kam bërë kohë pas kohe, por kam preferuar që ato t’i kem të kuruara deri në detaje, të punoj me tekstshkrues të mirë, kompozitorë të zgjedhur dhe secilën notë që kam interpretuar, kam dashur që të jap më të mirën e mundshme. Si e shoh veten është, një artiste që e do muzikën dhe e bëj për shpirt, për një audiencë që ka një shije të hollë muzikore. Gëzohem për këtë se me këtë kuptohet që këngët kanë vlerë dhe vazhdojnë të dëgjohen dhe të vlerësohen. 

CMG:  Për cilin nga festivalet të ka marr malli më shumë në Shqipëri?

Hana Cakuli: Për të gjitha, më pëlqejnë të gjitha festivalet. “Top Fest” ka lezetin e vet, “Kënga Magjike” ka të vetën, në këto të dyja kam marr pjesë në Shqipëri, pastaj në Kosovë kam marr pjesë në “Video-fest”, etj. Në të gjitha kam pasur eksperiencën perfekte dhe nuk mund t’i ndaj. Në Shqipëri bëjnë një punë shumë të mirë duke realizuar festivale, tashmë ka edhe festivale që bëhen live dhe kjo është një gjë që më pëlqen më shumti, sidomos kur është një orkestër e plotë që të udhëheq, ato janë festivalet që i vlerësoj dhe mund të them, “vazhdoni me punën e mrekullueshme që bëni”.

CMG: Si është një ditë e zakonshme e jotja në Gjermani?

Hana Cakuli: Një ditë e zakonshme e imja, nëse është ditë e hënë është plot me punë pasi punoj me kohë të plotë në Amazon, ku menaxhoj trajnime të ndryshme që Amazon-i i shet, në lidhje me shërbimet IT. Është një punë plot dinamike dhe ditën e kam me telefonata të ndryshme. Pjesa tjetër e ditës është familja, kam dy vajza binjake në klasën e dytë dhe kanë kërkesat e veta dhe obligimet e tyre. Kjo është e zakonshmja nga e hëna në të enjte, pastaj kam fundjavat që bëj më shumë prova muzikore, ku përgatitemi për evente të ndryshme muzikore. Kjo pjesë mi merr më shumë fundjavat, por mundohem që të gjej pak kohë, të shijoj Mynihun, sidomos në fund të vitit bëhët një atmosferë mjaft e bukur, ka koncerte dhe aktivitete kulturore që organizohen këtu. Kam dëshirë që të kem më shumë kohë, por e kam jetën shumë dinamike.

CMG: Cilat janë planet e tua për vitin 2024?

Hana Cakuli: Sa i takon planeve për vitin e ri 2024, nuk kam diçka ndryshe. Do të vazhdoj punën, jetën dinamike me familjen, vajzat, dëshiroj dhe shpresoj që të rikthehem më shumë tek publiku shqiptar. Prapë nuk dua të premtoj, por e kam gjithmonë në mendje dhe në zemër, që të publikoj këngë në gjuhën shqipe për publikun shqiptar. Shpresoj që këtë vit me një organizim të mirë, të arrij të bëj diçka më shumë në këtë drejtim, si dhe shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithëve këtë vit, mbarësi, shëndet, dashuri mes njëri-tjetrit, mirëkuptim, harmoni, e gjithçka që dëshironi.

 

Intervistoi: Sava Lena