Ylli Cifti me kostum popullor (Facebook)
Ylli Çifti është një ndër këngëtarët e mirëfilltë popullorë durrsakë e kombëtar, me një timbër origjinal, i cili ka kënduar që në fëmijëri nëpër aktivitetet e organizuara nga institucionet artistike në qytetin Durrësit. Ai ka marrë pjesë në aktivitetet muuzikore të Shtëpisë së Pionierit, Klubit të Portit, Estradës Profesioniste, Pallatit të Kulturës, Ansamblit Popullor si dhe në Festivalet e këngës në Durrës dhe RTSH. Ylli Çifti është sot pjesë e respektuar e Antologjisë së Këngës Durrrsake, por dhe nga publiku i gjerë, për interpretimin e këngës së mirëfilltë popullore të Shqipërisë së mesme. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e tij me këngën popullore, aktivitetet ku ka marrë pjesë si dhe projektet.
Ylli Cifti duke interpretuar (Facebook)
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me këngën popullore?
Ylli Çifti: Unë, si gjithë të tjerët kam nisur të merrem me këngën në moshë të vogël, duke gjurmuar muzikën e lehtë. Në vitin 1975 nisa të merrem me këngën popullore, ku treva e Shqipërisë së mesme përshtatej për ne durrsakët. Në vitin 1966 në festivalin e pionerëve që u zhvillua në qytetin e Durrësit mora çmimin e parë si këngëtar. Ndërsa më vonë kam marrë pjesë në festivalet e RTSH-së dhe në festivalin e rojeve bregdetare të organizuar nga Ansambli i Ushtrisë, si dhe në festivalin e parë të këngës popullore me ansamblin e shtetit. Kam bërë koncerte në të gjithë vendin, por kam qenë edhe jashtë shtetit nëpër festivale të ndryshme. Kohët e fundit kam marrë pjesë në të gjitha festivalet e organizuara në Kosovë, Bullgari, Itali dhe Turqi. Kam patur shumë aktivitete me këngën popullore.
Ylli Ccifti ne festivalin folklorik te Gjirokastrws (Facebook)
CMG: Si të ka pritur publiku kur ke performuar në koncertet jashtë Shqipërisë?
Ylli Çifti: Unë kam kënduar vetëm këngë shqiptare në koncertet jashtë vendit dhe më kanë pritur shumë mirë, duke u vlerësuar edhe me çmime.
CMG: Pëlqen më tepër të interpretosh në muzikën e lehtë apo atë popullore?
Ylli Çifti: Muzika popullore është më e bukur dhe më jep shumë energji. Unë para pak kohësh me këngën popullore organizova një koncert recital në qytetin e Durrësit, ku ftova dhe shumë këngëtarë të tjerë. Ky ishte një koncert i gjatë, ku këndova bashkë me miqtë e mi Raimonda Kamberi që erdhi nga Greqia për koncertin tim, këngëtari i njohur Bujar Çici nga Tirana, por dhe shumë shokë të tjerë nga Durrësi si Violeta Beshiri, një këngëtare e re që e mora të këndojë dhe në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Ajo është një këngëtare e re 15 vjeçe, por e këndon këngën popullore të Shqipërisë së mesme shumë bukur.
CMG: Si e priti publiku durrsak koncertin recital?
Ylli Çifti: Koncerti shkoi vërtetë bukur dhe publiku u kënaq shumë. Unë përfitova nga rasti që në muajin gusht vijnë emigrantët që janë në Greqi dhe Itali dhe e organizova recitalin këtë muaj. Kur u ktheva nga Festivali i Gjirokastrës në korrik, u mora me koncertin tim dhe pse kisha gati një vit që po përgatitesha. Kam marrë shumë fjalë të mira nga publiku për recitalin tim.
CMG: Sa herë ke marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe si je ndjerë në skenën e këtij festivali?
Ylli Çifti: Unë kam marrë pjesë dy herë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në vitin 1983 për herë të parë dhe vitin e kaluar. Është një kënaqësi e madhe të marrësh pjesë në atë festival mbarëkombëtar.
Posteri i koncertit recital te kengetarit Ylli Cifti (Facebook)
CMG: Cili është emocioni që përjeton kur vesh kostumin popullor të Shqipërisë së mesme?
Ylli Çifti: Unë kur këndoj vesh gjithmonë kostumin popullor, sepse kënga merr ngjyrat e vërteta, por dhe përcjell emocione të veçanta të muzikës tek njerëzit që dëgjojnë. Kostumi popullor të jep pamje tjetër dhe kënaqësi të veçantë.
CMG: E ke ruajtur gjatë gjithë karrierës të pastër këngën popullore. A duhet që brezi i këngëtarëve të rinj ta ruajnë tabanin popullor?
Ylli Çifti: Kjo është një dëshirë e imja për ta ruajtur këngën popullore dhe këtë gjë po e gjej edhe tek 15 vjeçarja Violeta Beshiri, e cila është një këngëtare me shumë perspektivë në muzikën popullore. Ajo këndon dhe këngë të muzikës së lehtë apo klasike, por këngët popullore të Shqipërisë së mesme i këndon me kaq dëshirë, saqë rrallë gjen të rinj që ta këndojnë kështu muzikën popullore.
CMG: Ke bërë bashkëpunime në duet me këngëtarë të tjerë?
Ylli Çifti: Kam pasur bashkëpunim në festivalin e këngës popullore që organizohej nga ansambli i shtetit, ku kam kënduar në duet me këngëtaren Ermira Hoxha. Kënga titullohej “Unë timonin mbaj në dorë”, që mori çmimin e tretë në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare. Gjithashtu kam patur bashkëpunime në duet në Festivalin e 17 të Këngës në RTSH me këngëtaren Adriana Ceko. Ndërkohë që kam patur duete të tjera, këtu në Durrës kam kënduar me këngëtarë që sot i kam miq të mirë, por janë larguar nga skena.
Ylli Cifti (facebook)
CMG: Ke provuar të këndosh këngë të trevave të tjera?
Ylli Çifti: Kam kënduar këngë të jugut dhe kosovare dhe të trevave të tjera, duke menduar gjithmonë se kjo pjesë më përshtatet mua. Unë i jam përshtatur me zërin tim atyre këngëve që mund t’i realizoj dhe njerëzit të kënaqen. Çdo këngë që kam interpretuar jam munduar ta përcjell ashtu siç e ndjej.
CMG: Cilën këngë të trevës së Shqipërisë së mesme do ta veçoje si më të dashurën për ty?
Ylli Çifti: Besoj se nuk ka këngë që të këndohet me inat, por të gjitha këngët këndohen me qejf. Mua më pëlqejnë të gjitha këngët që kam interpretuar, ku treva e Shqipërsë së mesme mban vendin e parë. Më pëlqejnë këngët popullore të Elbasanit të krijuara nga Isuf Myzyri, dhe sot nuk po përsëriten më këto këngë. Më vjen keq që nuk po shkruan më njeri këngë popullore të bukura.
Ylli Cifti me miqte e tij pas koncertit recital ne Durres (facebook)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Ylli Çifti: Kam dëshirë të organizoj diçka në koncertin e verës, që organizohet në Elbasan, ku kam qejf të shkoj me një grup këngëtarësh për të dhënë një koncert atje. Pastaj gjatë rrugës kam koncerte të tjera, ku Shoqata e Durrësit organizon koncerte të ndryshme, si Festën e ullirit dhe Festën e verës në qershor. Në të gjitha këto evente mendoj të marr pjesë, sepse dëshira ime është të vazhdoj me këngën derisa të kem mundësinë për të ecur. Kur të më lejnë këmbët nuk kam për të kënduar më.
Intervistoi: Gazmend Agaj