Orkestra e parë ndërkombëtare në Shqipëri nis sezonin koncertor 2023-2024 me “Koncertet e Paqes”
2024-01-12 10:14:41

Foto nga  koncerti (Foto facebook)

Kledis Rexho (Foto për CMG)

Elena Lamnica (Foto për CMG)

Janë mbajtur në Tiranë në fundvit “Koncertet e Paqes” nga  "Life and Music Concept Orchestra" me drejtues artistik dhe krijues të këtij projekti artistin, violinst i suksesshëm me bazë në Filharmoninë e Luxembourg-ut Kledis Rexho. Orkestra e parë ndërkombëtare me bazë në Shqipëri performoi disa koncerte më 27 dhjetor tek Qendra Kulturore pranë Katedrales Ortodokse në Tiranë, ku u interpretuan pjesët “Valle Antike” nga Vasil Tole,  Koncert nr 2 për piano dhe orkestër  harqesh nga F.Chopin, si dhe koncert në Re Minor për violinë dhe orkestër harqesh nga F. Mendelssohn, duke nisur kështu sezonin koncertal 2023-2024. Në koncert interpretuan artistët Armand Broshka Dirigjent, Ionel Streba Pianist Francë/Rumani, Albi Binjaku Shqipëri/Francë. Një nga 3 shtyllat kryesore të zhvillimit të "Life and Music Concept Orchestra" është ndihmesa e madhe që kjo orkestër e re ndërkombëtare me qendër në Tiranë, po jep në aspektin social, por edhe kontributi që artistët duan të japin në aspektin pedagogjik dhe atë artistik.

“Life and Music Concept Orchestra” deri tani ka promovuar muzikantë të rinj shqiptarë me anë të orkestrës së parë ndërkombëtare me qendër në Tiranë. Gjatë këtyre koncerteve artistët kanë interpretuar në koncertin për fëmijët e Qendrës së re në Laprakë, duke dhuruar muzikë të mirë, por duke marrë mbrapsht dashurinë e tyre. Pasi ky është një projekt që e tejkalon edhe vetë muzikën. Pjesë e këtyre koncerteve ishin dhe studentet e përzgjedhura Marla, Tea dhe Elena nga mosha 13 deri 16 vjeç, të cilat arritën që për pak kohë të inkuadroheshin me orkestrën, me muzikantët profesionistë shqiptarë dhe të huaj, falë ndihmës së koordinatorëve pedagogjikë Bujar Sykja, Dardan Osmanaj dhe Vera Tego. Veprimtaritë u mbyllën me sukses dhe koncertin e datës 29 dhjetor, i cili u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, nën kujdesin e “Komisionit të përhershëm të artit dhe trashëgimisë”.  

Në këtë koncert interpretuan  solistët, Kledis Rexho, Ionel Streba, Rebecca Bogdanoff, Armand Broshka, Tea Peti, Marla Hoxha dhe Elena Lamnica, të cilët interpretuan vepra nga Vivaldi, Khachaturian, Paganini, E. Lalo, Grappelli, por edhe vepra shqiptare nga Pjetër Gaci e  Vasil Tole.  Në intervistë për Radio Ejani, Drejtori Artistik dhe krijuesi i kësaj orkestre ndërkombëtare Kledis Rexho, tregon më tepër rreth këtyre projekteve dhe planeve në vazhdim. 

CMG: Fundvitin që lamë pas ju realizuat disa koncerte bashkë me "Life and Music Concept Orchestra", Orkestra e parë ndërkombëtare me qendër në Tiranë. Cili është misioni i këtyre aktiviteteve,  si dhe përzgjedhja e programit artistik, ku mes tyre kishte edhe vepra shqiptare.

Kledis Rexho: Po, e vërtetë u zhvilluan tre koncerte që shënuan fillimin e sezonit koncertal "Life and Music Concept Orchestra". Koncerti i parë u zhvillua në Qendrën Kulturore pranë Katedrades Ortodokse në Tiranë, një koncert shumë i vështirë që nisi me veprën e Chopin Nr2, një nga koncertet më të vështira, i transkiptuar për orkestër haqesh dhe piano -solo, një koncert shumë i vështirë edhe për t’u dirigjuar. Falenderoj dirigjentin Armand Broshka, i cili në koncertin e tij të pare  dirigjoi dy koncerte dhe një pjesë tjetër shqiptare të profesor Vaso Toles, një vepër shumë e bukur edhe ajo. Armandi bëri një punë të mrekullueshme, gjithashtu orkestra dhe solistët, të cilët i falenderoj. Po tek ky koncert kishim violinistin Albi Binjaku, që është spalë e operas në Francë. Albi erdhi për herë të parë si solist me një koncert të tërë, një lojë shumë e bukur, me shumë finesë dhe me shumë dëshirë për të bërë muzikë. Luajtëm një pjesë të veprës së profesor Vaso Toles, që për mua duhet të jetë jo vetëm pjesë e  repertorit të orkestrave shqiptare siç është, por edhe pjesë e orkestrave prestigjoze, siç është për piano dhe më gjerë akoma sepse i ka të gjitha që mund të jetë e tillë.

Është një pjesë ku tregohet karakteri shqiptar, folklori, është një pjesë që e vënë në partiturë, me mjaft finesë në një formë klasike dhe është pjesë shumë e bukur që ne do e mbajmë në  repertor. Ky koncert shënoi fillimin, shumë i vështirë sepse kishim vetëm dy ditë kohë për të bërë provat e për të shoqëruar veprat e autorëve F. Mendelssohn, F. Chopin dhe V. Tole. Por jam shumë i kënaqur sepse e gjithë orkestra reagoi shumë mire dhe rezultati doli pozitiv. Ne jemi një orkestër shumë e re, duhet ende shumë punë, kemi nevojë të jemi në skenë që qëllimi i ambicjeve tona të realizohet, për të patur jo vetëm një jehonë shqiptare në Shqipëri, por edhe ndërkombëtare.

Kledis Rexho në intervistë për Radio Ejani

E vetmja mënyrë është që ne të zhvillojmë sezonin tonë koncertal. Koncerti i dytë ishte në një sallë shumë të veçantë, u zhvillua në zonën e Laprakës në Tiranë, për fëmijët me aftësi ndryshe. Ishte një koncert që ka për të mbetur në mendjen dhe zemrat e të gjithë muzikantëve. Fëmijët që nga fillimi i koncertit e deri në fund, nuk ndaluan duke na dhururar duartrokitje, e ne i dhuruam muzikë me gjithë zemër. U duk që e pëlqyen koncertin, sepse sapo mbaruam, ata erdhën të na përqafonin. Donin të bënin foto me ne, ishte me të vërtetë një moment magjik, shumë i bukur, që ka lidhje me pjesë sociale, për të cilën edhe ne duam ta avancojmë sa më shumë, në të njëjtin hap gjithashtu edhe me pjesën pedagogjike dhe atë artistike.

Më pas bëmë një tjetër koncert në të njëjtën ditë dhe në fakt i kam lodhur pak muzikantët, madje u kërkoj ndjesë, por bëmë një punë të mrekullueshme, si tek ky koncerti më 29 dhjetor ku luajtëm në  “Akademinë e Shkencave” për akademikët. Kishim një publik shumë pozitiv, u ndjemë dhe aty si në shtëpinë tonë. Aty jo vetëm që pata mundësinë që të luaja një pjesë solo, të Vivaldit, Pjetër Gacit, si dhe pjesë të tjera si, “Skënderbeu” Francois Francoeur, që është bërë nga një kompozitor francez për heroin tonë kombëtar. Dëshira e projektit është që në çdo aktivitet jo vetëm që të luajnë me profesionistët në orkestër, por edhe të luajnë si solistëAty luajtën si soliste Majla, Elena, Dea. Është një hap përpara për t’u mësuar me skenën dhe për të avancuar në këtë profesion sepse  janë 13, 16 dhe 17  vjeç. Është shumë e rëndësishme për to që të marrin pjesë në koncerte dhe të ambjentohen me skenën dhe të  luajnë sa më shumë pranë publikut, në fund të fundit kjo është shkolla e vërtetë e muzikantit. Ishin 3 koncerte që shënuan fillimin e këtij sezoni artistik dhe jam shumë i kënaqur sepse në tre drejtimet kryesore tonat pedagogjike, artistike dhe sociale, kemi vendosur një gur themeli të rëndësishëm, që na lejon që të avancojmë më tej.

CMG: Ju gjithashtu përveç aktiviteteve, dhuruat edhe një violinë....

Kledis Rexho: Po dhuruam një violinë, në fakt ishte e gjithë orkestra që dhuroi një violinë, së bashku me z. Ramazan Gurra, që e falenderoj. Ky ishte një gjest që ne e bëmë për një vajzë, e cila kishte bërë disa kurse dhe i duhej një violinë  e mirë, por në fakt dhuratën e vërtetë na e bënë ata fëmijë ne muzikantëve, me duartrokitjet që na falën në një orë koncert, na përqafuan pas koncertit dhe kjo ishte dhurata më e bukur që ne morëm dhe që nuk do e harrojmë asnjëherë.

Ne jemi të kënaqur që në pjesën sociale të koncertit gjërat po konkretizohen më tepër.  Jam i lumtur që edhe autoritetet publike, Bashkia e Tiranës është shumë e konktretizuar në këtë pikë, na kanë ndejtur shumë afër drejtoritë, qendrat sociale, Eva Rahmani, Arlinda, Kryetari i Bashkisë ishte shumë i entuziasmuar, kur i fola tek qendra për fëmijët me aftësi ndryshe.

Ishte një qendër me përmasat e një qendre evropiane  dhe të gjithë muzikantët panë nga afër punën e mrekullueshme që bënin profesorët e tyre, drejtuesit, psikologët, pra është një punë shumë e madhe për të cilët nuk flitet shumë, por luajnë një rol të rëndësishëm, në hallkat e ndryshme të shoqërisë sonë. Përfitoj nga rasti që t’i falenderoj të gjithë për punën e bukur që të gjithë bëjnë dhe na lejuan që jo ne së bashku tu bënim një dhuratë, por ishin edhe ata vetë që na dhuruan ne duartrokitjet, dashurinë e tyre dhe gjithë pozitivitetin. Pra ishte vërtetë diçka unike, diçka shumë shumë e veçantë.

Kledis Rexho dhe orkestra në koncertin mbajtur në Qendrën e fëmijëve Laprakë

CMG: Kur do të jenë aktivetet e radhës me "Life and Music Concept Orchestra"?

Kledis Rexho: Dëshira është shumë e madhe që të bëj koncertet shumë shpejt.  Shpresoj që me koncertet e dhjetorit të kemi arritur që të krijojmë një sensibilizim, për atë që ne duam të bëjmë. Në fakt sapo u ktheva në Luxemburgu ku jetoj, realizova një koncert me orkestrën e  dhomës së Luxemburgut, një orkestër 50-të vjeçare me muzikantë nga e gjithë Evropa dhe tani po mundohem të çlodhem pak, sepse ishte një lodhje shumë e madhe për përgatitjen e koncerteve të dhjetorit në Tiranë. Mbaj mend disa netë kam ndejtur deri në 2 apo edhe deri në 5 të mëngjesit duke punuar për të gjetur resurset e duhura, për ta bërë projektin me të gjithë pjesët e tij.

Mrekullia ndodhi falë ndihmës së bashkisë, të Adriatik hotel, znj. Nevila Dudaj, që është presidente nderi dhe iu bashkua projektit bashkë me Abi Bank, ku të gjithë së bashku janë të interesuar për të dhënë një kontribut të veçantë për pjesën pedagogjike dhe për jetën artistike në Shqipëri.  Shpresoj shumë unë dhe gjithë orkestra, që të kemi mbështetës të tjerë, institucione shtetërore, shpresoj që të na ribashkohet Ministria e Kulturës, për të cilët kam shumë respekt për punën që po bëjnë. Shoh që ka një punë shumë të madhe nga Ministria e Kulturës, por edhe nga institucionet kulturore, Radio Televizioni Shqiptar, Orkestra e tij, Teatri i Operas dhe Baletit, që ka larmi aktivitetesh shumë të rëndësishme. Mendoj se edhe  "Life and Music Concept Orchestra" mund të ketë vendin e duhur dhe të japë një kontribut sado modest, që ne në Shqipëri nuk e  kemi luksin që dëshira të mira, inisiativa, vullnete të mira, të mund të vijnë nga mua personalisht, apo edhe nga njerëz të tjerë dhe projekte të tjera të lihen pas dore.

Është shumë e rëndësishme që çdo dëshirë pozitive  të merret parasysh, sepse është e vërtetë që bashkimi bën fuqinë dhe në fakt është shumë e rëndësishme, që komuniteti i muzikantëve të na bashkohet dhe të kuptojë që megjithëse jemi në hapat e parë të zhvillimit të orkestrës, nuk jemi perfekt dhe jemi serioz në qëllimet tona. Një projekt që tregon pozitivitet, tregon që ka dëshirë të lëviz gjërat në drejtimin e duhur, ndër shumë projekte të tjera që janë në Shqipëri, besoj se meriton të ketë mbështetjen e duhur, të paktën e shpresoj këtë gjë. Për momentin nuk mund të them se kur do jenë koncertet e ardhshme, por mund të them se mrekullia e këtij projekti do vazhdojë. Ne kemi ende atë yllin tonë polar që na rri sipër kokës edhe besoj se ne nuk do ju zhgënjejmë si orkestër, si projekte dhe si misione që kemi ndërmarrë.    

Orkestra e parë ndërkombëtare me qendër në Tiranë "Life and Music Concept Orchestra",  ka dhënë koncerte për fëmijët me aftësi ndryshe, duke luajtur muzikë klasike nga Vivaldi,  Pjetër Gaci, Francois Francoeur ("Skenderbeun") etj. Por gjithashtu muzikën e bukur Klezmer dhe atë Tzigane. Në këtë mënyrë ata zhvilluan misionin e tyre  social duke inkuadruar  mjaft mirë tre studentët e përzgjedhur, për të luajtur me orkestrën me muzikantët profesionistë.  Artisti shqiptar Albi Binjaku spale e orkestrës francize, erdhi tek publiku shqiptar me një koncert si solist, me një lojë të mrekullueshme dhe me plot finesë. Gjithashtu artisti i huaj franko/rumun  Streba Ionel ishte pjesë e këtyre koncerteve  në Shqipëri. “Life and Music Concept Orchestra” bashkëpunoi me figura të rëndësishme të pedagogjisë shqiptare si Profesor Bujar Sykja, Vera Tego, por gjithashtu edhe me profesorë të rinj si Dardan Osmanaj, i cili do japë disa kurse shumë shpejt për  një vajzë me aftësi ndryshe, për të cilën në bashkëpunim me Ramazan Gurra Rami, duke arritur të bënin të mundur dhurimin  e një violine studimi për Ejonën.

Gjatë muajit dhjetor violinisti Kledis Rexho ka zhvilluar Master-Clase në disa shkolla të ndryshme  në vendin tonë, në kuadër të sezonit koncertal “Koncertet e paqes” dhe “Life and Music Concept Free Academy”. Këto projekte erdhën nën kujdesin e Presidentes së nderit për Shqipërinë Nevila Dudaj.

Intervistoi: Sava Lena