Ana Kove është një nga emrat më të lakuar ndër përkthyesit shqiptarë. E vendosur në botën e saj të letërsisë ajo tregon se dashuria për librin dhe leximin ka nisur shumë herët. Është përzgjedhëse shumë e mire e teksteve që përkthen, por edhe shkrimtare unike e librave që ka botuar.
Mjafton të lexoni “Nën Rrotë”, “Damiani”, “Gjithçka për asgjë” apo botime të sajat “Këmbanat e së dielës”, për të kuptuar pasionin e saj letrar. Ana ka nisur që në adoleshencë ta vlerësojë dhe t'i japë pikët e duhura leximit. Ana Kove, përkthyese dhe shkrimtare e lindur në Pogradec, ishte për herë të dytë në Berlin si fituese e bursës “Ardian Klosi”. Bursa u jepet përkthyesve nga gjermanishtja në shqip nga Fondacioni S. Fischer dhe Kolokiumi Letrar i Berlinit (LCB). Ajo u mundëson krijuesve shqiptarë nga një muaj qëndrim në ambientet e vilës së LCB-buzë Wannsee-së në Berlin. Kove shrytëzoi rastin t’i prezantonte publikut berlinez edhe pjesë nga krijimtaria e saj letrare. Fragmentet nga libri me tregime “Këmbanat e së dielës” i kishte përkthyer në gjermanisht, albanologia e mirënjohur, Zuzana Finger, kurse për publikun gjermanishtfolës ato i lexoi diplomatja gjermane me prejardhje nga Shqipëria, Nertila Dumke. Për Radio Ejani ajo ka treguar se çfarë e pret lexuesin prej saj në vitin 2024.
CMG: Kur keni nisur të merreni me letërsi?
Ana Kove: Fëmijëria ka qenë ndërthurje e emocioneve për të bërë bashkë pasionin me dëshirën. Nuk marr përsipër të them që unë kam bërë diçka të jashtëzakonshme apo kam qenë unë e para që e kam nisur pasionin tim qysh në fëmijëri, sepse nuk do të isha e ndershme. Madje nuk marr përsipër të them që ka qenë e jashtëzakonshme të merresh me letërsi edhe në adoleshencë pasi ka shumë të rinj që janë marrë. Por ajo që duhet vlerësuar dhe unë në fakt e shoh si fat apo aset që duhet ta këtë çdo i ri pasionant i librit, është të kesh një mësues apo mësuese që të identifikon vlerat e tua dhe t’i shquan ato që ti të kesh mundësi t'i vijosh më pas.
Unë e kam pasur këtë fat, kam pasur mësues shumë të mire, të cilët me durimin dhe dashamirësinë e tyre diçka spikatën tek unë. Ata kishin një marrëdhënie të shkëlqyer me letërsinë.
Jetoja në qytetin e vogël të Pogradecit dhe aty ndërtova ëndrrat e para për t’u bërë një shkrimtare. Fillimisht kam qenë mësuese e gjuhës shqipe dhe aty filluan edhe më tepër indiciet letrare. Megjithëse e kuptoja që të qenit thjesht mësuese letërsie nuk mjaftonte në aspektin profesional që unë të isha e plotësuar. Andaj, e zhvillova veten. Ishte ky një vendim që u mor në një kohë aspak të zakontë dhe në vite të vështira, por që unë ja dola me sukses.
Mësova gjuhën gjermane, një gjuhë e vështirë, por që më futi në një botë ku unë edhe sot e gjej veten më së miri. Studiova me shumë vëmendje gjuhën gjermane, kulturën dhe kalova më pas nga mësuese e gjuhës shqipe edhe në mësuese e gjuhës së huaj. Kështu nisa të ushtroj shkrim dhe përkthim
Përkthimi më i mirë i Panairit 2023 Daullja prej llamarine ( Ana Kove) - Copy
Perkthimet e Ana Koves ( foto facebook)
CMG: Viti 2023, si ishte për ju në aspektin profesional?
Ana Kove: Ishte një vit shumë i suksesshëm dhe shumë i mirë për mua në këtë aspekt. Une fitova çmimin “Përkthyese e vitit” me librin, ‘Daullja prej Llamarine’ i Gunter Grass. Një vepër që i mungonte lexuesit shqiptar. Kjo është një vepër botërore që vjen në shqip për herë të parë pas 60 vitesh dhe është cilësuar si vepra më e mirë në letërsinë gjermane. Kjo vepër më kushtoi gjithë vitin 2023 dhe më ka falur shumë kënaqësi, por dhe munduar apo rritur shumë . Ishte një sfidë e madhe. Ka disa vepra në jetë që përballja me ato është një moment kulmor. Një vepër si ajo shkruhet patjetër vetëm njëherë dhe përkthehet vetëm njëherë. Patjetër që puna ime nuk mbaron këtu, por për të treguar se çfarë rëndësie të madhe ka ajo vepër. Një sfidë të tillë unë nuk e kisha hasur dhe nuk do ta kem më.
Lexuesi që e ka marrë në dorë atë libër atë vepër magjike dhe të shohë se çfarë vlerë rrezaton. Gjatë këtij viti më është dhënë mundësia që të jem përballë dy figurave shumë të rëndësishme në aspektin e imazhit që ata kanë në letërsinë gjermane dhe jo vetëm. Pata fatin që të jem shoqëruese dhe drejtuese projekti të Panairit të Frankfurtit në Tiranë zoti Jurgen Bos, i cili erdhi këtu për herë të parë. Panairi i Frankfurtit është ngjarja më e madhe. Jam shumë e lumtur që kam përcjellë figura kaq të rëndësishme të letrave. Shkëmbimi kulturor mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ka qenë në prioritet e mia.
CMG: Nëse dikush do dëshironte një rekomandim për një nga librat e tu çfarë do t’i rekomandoje?
Ana Kove: Nëse dikush do kërkonte diçka që cilësohet si produkt i Ana Koves padiskutim që do të ishte libri “ Këmbanat e së Dielës”, një libër me proza që unë e dua shumë dhe që ka marrë edhe çmime në vitin 2020. Ky libër vlen për prozën e sjellë ndryshe. Më pas sa i takon përkthimeve, unë kam autorë shumë të rëndësishëm të letërsisë gjermane do të doja që rekomandimin ta jepja sipas grupmoshës edhe gjinisë.
CMG: A jeni ju produkt i një pune të palodhur?
Ana Kove: Jeta ime është e lidhur ngushtësisht me librin. Nëse nuk shkruaj përkthej dhe nëse nuk përkthej redaktoj etj. Natyrisht nëpër sytë e mi dhe mendjen time kanë kaluar edhe shumë shkrimtarë. Unë nuk e di pse mendoj se kjo është edhe punë, por edhe fat. Të merresh me letërsi është kënaqësi estetike. Letërsia është punë e një dimensioni tjetër .
CMG: Nëse dikush nga të rinjtë lexues do të donte një këshillë prej jush, çfarë do t'i thoshte Ana Kove?
Ana Kove: Nëse dikush do e kërkonte atë këshillë nga ana ime, unë do zgjidhja të thoja një sentencë letrare filozofike nga Herta Myler Nobeliste. Ne të gjithë jemi nën presione të ndryshme, por si dalim ne nga këto presione? Gjithmonë përmes fjalës! Herta Myler thoshte: Sa më shumë fjalë t’i lejosh vetes, aq më të lirë jemi. Andaj të rinjtë duhet të lexojnë për të fituar lirinë e tyre .
Kambanat e së dielës libri i Ana Koves ( foto personale)
CMG: Cilat janë pikat e tua të forta në përkthim?
Ana Kove: Durimi, sepse kjo është një punë murgu. Mendoj që kam një pikë të fortë dhe është që edhe vetë rrekem të shkruaj. Sidomos të ndjerit poet edhe kur shkruan prozë sepse e shkërmoq disi atë dhe i vesh elementë të bukur që kanë të bëjnë me ndjenjën. Këto janë pikat e mia të forta në procesin e përkthimit përpos profesionalizimit dhe marrëdhënies së ngushtë me gjuhën nga e cila përkthen dhe në të cilën përkthen.
CMG: Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Ana Kove: Mbindjeshmëria. Ajo udhëton bukur bashkë me mua zakonisht, por ka stacione që edhe pse nuk duhet të ndalojë fare, ndalon. Dhe kur ndalet e zë cak, sheh se s’ushqehet me gjë tjetër, përveçse duke konsumuar lëngjet e veta…
CMG: Aktualisht çfarë po përktheni?
Ana Kove: Po përkthej një tjetër pasuri. Është ‘Gertrude’, nga Hermann Hesse një tjetër Nobelist. Shtëpia botuese Dukagjini ka sjellë 6 vepra të këtij nobelisti dhe vitin tjetër do të vijnë po aq, të cilat në proces përkthimi nga unë do të jenë 3 vepra.
CMG: Sa orë në ditë përktheni?
Ana Kove: Unë jam zog nate, punoj natën. Fle shumë pak, vetëm katër orë dhe pjesa tjetër e natës është kohë kushtuar përkthimit. Përkthimi është dita dhe nata ime. Ka libra që të mbërthejnë aq shumë sa ja dedikon të gjithë kohës përkthimin dhe ka të tjerë që duket thjesht si një punë dhe nuk vrapon aq sa me librin me të cilin ti dedikohesh plotësisht.
Intervistoi Megi Latifi