Pse bota i do makinat kineze?
2024-01-12 21:23:38

Ditët e fundit, një anije e madhe transporti që u nis nga porti Yantai i provincës Shandong të Kinës Lindore, ka tërhequr vëmendje globale. Kjo është anija e parë e transportit e prodhuar nga Kina që përdoret posaçërisht për eksportin e makinave. Ajo do të marrë së pari 7000 automjete në qytetin Shenzhen para se niset për në Evropë për të përmbushur kërkesat e tregut vendas.

Foto:VCG

Foto:VCG

Tani makinat kineze eksportohen në më shumë se 200 vende e rajone të botës. Të dhënat tregojnë se vjet prodhimi dhe shitja e automjeteve kineze i kaluan secili 30 milionët për herë të parë, duke u renditur në vendin e parë në botë për 15 vjet me radhë. Ajo që bie më shumë në sy ndër makinat e eksportuara, është se mbi 1.2 milion prej tyre, ose një e katërta, janë me energji të re.

Pse bota i do makinat kineze? Ekspertët i thanë Grupit Mediatik të Kinës se kjo lidhet së pari me ngritjen e pandërprerë të performancës dhe cilësisë së automjeteve kineze në vitet e fundit. Në veçanti, prodhuesit kinezë kanë shfrytëzuar mundësitë e tregut të automjeteve me energji të re nëpërmjet risisë teknologjike, duke zgjeruar më tej tregjet jashtë vendit dhe duke rritur eksportin.

Të dhënat më të fundit nga Administrata Shtetërore e Pronësisë Intelektuale e Kinës tregojnë se dhjetë kompanitë e para kineze për shitjet e automjeteve me energji të re kanë marrë më shumë se 100 000 patenta globale dhe kjo shifër është në rritje. Prandaj, përveç çmimit konkurrues, këmbëngulja afatgjatë në inovacionin teknologjik është çelësi i zgjerimit të tregut nga kompanitë kineze të makinave.

Foto:VCG

Foto:VCG

Gjithashtu, zinxhirët e plotë industrialë e të furnizimit kanë rritur konkurrueshmërinë e automjeteve kineze. Nën ndikimin e recesionit ekonomik botëror dhe faktorëve si konflikti Rusi-Ukrainë etj., kapaciteti i prodhimit të kompanive të automjeteve ka rënë. Me zinxhirin e plotë industrial të sektorit të automjeteve dhe mëkëmbjen e shpejtë të kapacitetit të prodhimit të ndërmarrjeve kineze pas epidemisë, eksportet janë rritur.

Shtimi i pranisë së markave kineze të automjeteve jashtë vendit, ka ndihmuar edhe në zhvillimin e ekonomisë dhe të sektorit përkatës vendor. Për shembull, në vitin 2017, kompania kineze “Geely”, nëpërmjet blerjes së aksioneve, u bë një ndër ortakët e kompanisë së automjeteve “Proton”. Brenda dy vjetësh, kjo markë malajziane me një histori 40-vjeçare realizoi fitim. Vjet “Proton” u bë kompania e dytë më e madhe në Malajzi për shitjen e automjeteve për pesë vjet me radhë.

Në të njëjtën kohë, automjetet kineze me energji të re po kontribuuojnë në transformimin e gjelbër të vendeve të ndryshme. Disa analistë vunë në dukje se zbatimi nga Kina i konceptit të zhvillimit “inovativ, të bashkërenduar, të gjelbër, të hapur dhe me ndarje të përbashkët” do të forcojë më tej statusin e Kinës në fushën industriale, do të përmirësojë strukturën e saj të eksportit dhe do të nxisë transformimin ekonomik e të gjelbër në botë.(Zhang Yan/Artan)