Pritshmëritë për ekonominë e Shqipërisë 2024
2024-01-12 10:06:37

Edhe gjatë vitit 2023, ekonomia e Shqipërisë arriti që të “befasojë” për aftësinë e saj të rezistencës, institucionet ndërkombëtare që na vëzhgojnë e na ndihmojnë me këshilla dhe kredi të buta, si FMN, Komisioni Evropian, Banka Botërore dhe BERZH, sidomos për shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Gjatë vitit të kaluar, Standard and Poor’s rishikoi në rritje ekonominë tonë nga vlerësimi “i qëndrueshëm” në vlerësimin “pozitive”, për herë të parë pas 7 vitesh. Po në vitin 2023, ekonomia e Shqipërisë doli nga lista gri e MONEYVAL, si rrjedhojë e progresit të shënuar në zbatimin e rekomandimeve të kësaj strukture. Sipas Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, ekonomia po hyn në një fazë të re zhvillimi, pas një sezoni të suksesshëm turistik me mbi 10 milionë vizitorë të huaj.

Banka Botërore (Foto Monitor)

Banka Botërore (Foto Monitor)

Nga ana tjetër, investimet e huaja direkte kanë patur një trend rritës, duke e mbyllur nëntëmujorin e vitit 2023 në nivelin 1.1 miliardë Euro, me rritje prej 10.6 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Gjatë vitit 2024, do të vijohet me rritjen e pagave në sektorin publik për të gjitha kategoritë, për mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, mësuesit në arsimin parauniversitar, forcat e rendit, të mbrojtjes dhe punonjësit e niveleve zbatuese të administratës, duke e çuar pagën mesatare në Shtet në 900 euro. Në tre vitet e fundit, janë rreth 400 milionë euro më shumë, që janë dhënë dhe po jepen nga Buxheti i Shtetit për pagat e rritura.

Ministri Ervin Mete në konferencën e tij për shtyp më 5 janar cilësoi se këtë vit, ekonomia do të vijojë zgjerimin e saj, mbështetur nga rritja e kërkesës së brendshme, pra konsumit, zhvillimi i mëtejshëm i turizmit, ecuria e mirë e sektorit të energjisë dhe e atij të ndërtimit. Rritja ekonomike pritet të jetë të paktën në nivelet e vitit 2023, ose edhe më e lartë, e ndikuar edhe nga kthesa e pritshme pozitive e ekonomive të vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos e ekonomive partnere kryesore tonat, si ajo e Italisë dhe e Greqisë. Eksperti i njohur i ekonomisë, Eduart Gjokutaj në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës analizon objektivat e ekonomisë shqiptare për vitin 2024

CMG: Z. Gjokutaj, si Fondi Monetar Ndërkombetar, në vlerësimet e misioneve të tij, ashtu edhe Komisioni Evropian në Raportin e tij të Progresit 2023 për Shqipërinë, e cilësojnë ekonominë tonë si “rezistente”. Pse ky cilësim, në gjykimin tuaj?

Eduard Gjokutaj: Po. Ekonomia, gjatë atyre periudhave të vështira që hasi rajoni në përgjithësi, shfrytëzoi ato resurse, të cilat  i përshpejtoi në raport me rajonin. Këtu hynë në lojë ato burime që Shqipëria i ka me tepri. Dhe këtu hyri turizmi, hyri dhe ndërtimi.

Pavarësisht se të dy këta sektorë operojnë në ujëra informale dhe kanë ato problematika, të cilat  kanë dritëhijet e veta, përsa i përket qëndrueshmërisë dhe vazhdueshmërisë, por natyrshëm që këta sektorë e ndihmuan ekonominë tonë për të qenë rezistente.

Edhe pse rezistenca duhet të vinte nga një diversitet i ekonomisë, i cili, në vetvete, të shërbente për t’u ringritur dhe për të vazhduar në një qasje konkurruese, pa dyshim, edhe në funksion të mirëqënies.

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

Eksperti E. Gjokutaj në intervistë për CMG

CMG: E mbyllëm vitin 2023 me një rritje ekonomike 3.7 përqind, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomise. Ndërkohë, kjo ministri ka parashikuar për këtë vit një rritje të ngjashme, 3.7 ose 3.8 përqind dhe thotë se kjo rritje do të vijë, bazuar në një kthesë të ekonomisë botërore dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos partnerëve tanë kryesorë ekonomikë, Italisë dhe Greqisë. Parashikim i drejtë, sipas jush?

Eduard Gjokutaj: Mendoj që, përtej parashikimeve, që në një farë mase kanë optimizëm, për arsye edhe të asaj se çfarë duan të përcjellin për publikun dhe  për ekonominë, do të thoja që Ministria e Financave, tashmë edhe Ministria e Ekonomisë, pasi janë ndarë dhe pritet e fundit të jetë njësi më vete, natyrshëm duhet të merren me ato lloj problematikash të trashëguara, të cilat po e mbajnë peng ekonominë.

Po e mbajnë në nivele që për Shqipërinë, edhe rritja 3.8 përqind nuk përkthehet as në një shpërndarje të mirëqënies, për një pjesë të madhe të individëve, por edhe as dhe në një rishpërndarje të mirë të burimeve, përsa i përket sektorëve që kanë nevojë për t’u ndihmuar. Ato duhen ndihmuar, jo vetëm thjesht në aspektin e rishpërndarjes buxhetore, por edhe të  një mobilizimi të burimeve të fjetura apo të shpërdoruara.

CMG: Investimet publike për këtë vit janë parashikuar 1.2 miliardë euro, ose mbi 5 përqind të prodhimit kombëtar, Produktin e Brendshëm Bruto të vendit. A do ta ndihmojnë këto investime qytetarin dhe ekonominë për këtë vit?

Eduard Gjokutaj: Teorikisht, investimet publike e ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë, edhe qytetarin,  më shumë se sa ato private, pasi kanë fuqinë potenciale të jenë më të mobilizuara në vlerë dhe më të orientuara.

Por, nisur nga faktet se si ka ndodhur me investimet publike në dekadën e fundit, na ka ardhur  një moment për të thëne se cilat na vlejnë dhe cilat nuk na vlejnë, përsa i përket mënyrës se ku orientohen.

Dhe ajo çfarë vlen tashmë, do të ishte mirë që investimet në infrastrukturën rrugore, si dhe në përgjithësi, për transportin ajror dhe detar, të ishin drejt përfundimit dhe të kishin hyrë në efektivitetin e tyre.

Nga ana tjetër, duhej të ishte mëshuar më fort tek investimet për pjesën sociale, ku hyn arsimi, i cili ka nevoja të ngutshme, por edhe shëndetësia, e cila ka nevojë, përsa i përket pjesës më cilësore të saj.

Ajo që vlen për atë pjesë të ekonomisë, që quhet së fundmi arritje dhe një lokomotivë, që është turizmi, natyrshëm që do të duhej të kishin avancuar dhe përfunduar investimet, përsa i përket ujësjellës-kanalizimeve, si dhe mënyrës se si konceptohet trajtimi i mjedisit, në respekt të asaj që quhet agroturizëm.

Të gjitha këto së bashku, na çojnë në atë që investimet mund të jenë në vlerë, por nuk kanë arritur të kenë atë  efektivitet dhe atë vlerë që kanë investimet në përgjithësi, kur orientohen drejt dhe mbarojnë në kohën e duhur.

CMG: Ju përmendët që dy motorrët e ekonomisë sonë edhe për këtë vit do të jenë turizmi dhe ndërtimi. Në nivel të pritshmërive, gjykoni se ky vit 2024-a, do të jetë një vit i mirë turistik, njësoj sikurse e patëm gjatë vitit të kaluar?   

Ministri  i financave Ervin Mete (Foto Ministria e Financave)

Ministri  i financave Ervin Mete (Foto Ministria e Financave)

Eduard Gjokutaj: Po. Besoj që turizmi tashmë do të hyjë në ato vlera të ekonomisë, të cilat vit pas viti do të fillojnë të japin kontribut. Problemi më i madh i turizmit është që mbahet peng ende nga informaliteti, nga mënyra se si është konceptuar tregu i punës dhe, në përgjithësi, nga mobilizimi i ekonomisë.

Në lidhje me pjesën e turizmit, ajo çfarë vlen për vitin 2024, përtej pritshmërive që natyrshëm do të jenë pozitive, jo vetëm nga publiciteti, por  edhe nga një rritje e kuriozitetit për Shqipërinë, por edhe nga çmimet e ulta, të cilat bëjnë dallim në raport jo vetëm me të gjitha vendet e Mesdheut, por edhe në raport me vendet e Ballkanit, të gjitha këto do të nxisin ardhjen e turistëve.

Ajo çfarë ngelet tashmë detyrë dhe  ka për të qenë edhe sfidë shumë vite të ardhshme, është formalizimi i sektorit, konsolidimi i tij, pasi kemi një sektor shumë të fragmentarizuar.

Nga ana tjetër, duhet fort edhe vëmendja ndaj tregut të punës, për arsye se  pjesa profesionale në këtë treg, natyrshëm që duhet të shkojë për shtat me tendencat e zhvillimit te sektorit.

Po ashtu, thithja e kapitaleve të huaja, në vetvete është edhe një e mirë, por edhe një e keqe, pasi tjetërsimi i pronësisë së aktiviteteve turistike, siç ndodh në vendet e Mesdheut, nuk bie gjithmonë të mira, pasi ikën një pjesë e burimeve natyrore dhe një pjesë e mirë e ekonomisë nuk ngelet në Shqipëri, por riatdhesohet si kapital.

Megjithatë, natyrshëm që turizmi do të japë ato lloj frytesh që po fillon t’i japë. Veçse viti 2023 do të mbahet mend për numrin e lartë të vizitorëve, por jo për  efekshmërinë që pati në ekonomi, pasi informaliteti është si ajo shosha, që nuk e la që të mbetej leku  në burimet formale, por iku poshtë.

Nga ana tjetër, edhe pjesa e mirëqënies së qytetarëve nuk ishte e tillë, që të përfitonin ndjeshëm, pasi në një treg të tillë, ata patën kosto të rritjes së çmimeve. Patën edhe ato ndikime mjedisore, dhe, pse jo, duhet të kemi vëmendje tek pjesa e ndotjes që vjen nga turizmi, i cili në ato vende që kanë një përvojë, e angazhojnë  dhe e kompensojnë, nëpërmet taksimit apo formave të ndryshme, për të stabilizuar dhe rregulluar situatën në një treg të tillë.

CMG: Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte, për nëntëmujorin janar-shtator 2023, ishin në nivelin më të lartë të 23 viteve të fundit, me 1.1 miliardë euro. Sa kontribuojnë ato në ekonominë tonë dhe në rritjen ekonomike?

Eduard Gjokutaj: Atëhere, le të nisim, në këtë logjikë, pjesën e vlerësimit të investimeve strategjike, e cila është duke u përpunuar në vazhdimësi, pasi nuk e ka gjetur ende vetveten, përsa i përket politikave joshëse që u ka ofruar.

Edhe pse, që nga viti 2015, ka përpjekje për t’u lavdëruar, në aspekt të nxitjes dhe thithjes së investimeve, natyrshëm që ato nuk mund të vijnë, për sa kohë nuk është një ambient i të bërit biznes, i tillë që t’i mirëpresë.

Këtu kam parasysh faktin që infrastruktura në përgjithësi dhe ajo ligjore në veçanti, lë shumë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, pjesa se si e orienton këtë biznesmen të huaj, që aktualisht janë vetëm në fushën e turizmit.

Në fakt, duhet të kishim investime, në ato burime që ka nevojë ekonomia dhe mundet edhe të thithë më shumë fuqi punëtore, ta kualifikojë atë dhe ta bëjë edhe konkurruese.

Në aspektin e investimeve të huaja, ngelet pjesa e investimeve nga kompanitë offshore, të cilat në fakt duhet të meritonin një llogaridhënie.

Si përmbledhje, investimet, qofshin ato me 1 euro, qofshin këto me investime strategjike apo investimet e huaja, nuk e kanë dhënë atë kontribut në Prodhimin e Brendshëm Bruto, pasi do të kishim një tjetër rritje të ekonomisë kombëtare, dhe jo 3 përqind. Janë nivele minimale dhe këto i kanë ekonomi që, ose kanë krijuar një bazë  të madhe ekonomike dhe kanë ritmet e rritjes të ngadalta, ose nuk shfrytëzojnë potencialet. Tek ky i fundit është rasti i Shqipërisë, që punon nën potencialin e saj.

CMG:  Folëm për turizmin, që është edhe eksport shërbimesh. Ndërkohë, eksportet shqiptare të mallrave, sipas INSTAT, në periudhën janar-nëntor 2023, patën 387 milionë euro më pak, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa duhet të na shqetësojë ky rezultat dhe si i parashikoni eksportet tona të mallrave gjatë këtij viti?

Eduard Gjokutaj: Më së pari, qeveria duhet të angazhohet në një betejë gjithëpërfshirëse, ngaqe nuk mjaftojnë thjesht institucionet dhe angazhimi i tyre, për të dialoguar me pjesën e ekonomisë, pasi kjo është përtej qeverisë.

Ka lidhje me ato problemet me informalitetin dhe luftës kundër tij, që duhet të jetë kryefjala e vitit 2024 dhe duhet të vazhdojë në një program, ku secili  të gjejë vetveten.

Duhet të krijohen kushtet, për të hyrë në dialog me eksportuesit, pasi jo te gjithe jane ne nje qasje te shendetshme. Nëpërmjet analizës së riskut dhe menaxhimit të riskut të sektorit, natyrshëm, bazuar në atë që tha Ministri i Financave, së fundmi, për të kaluar në një ekonomi eksportesh, e cila, në një pjesë të saj, të ketë një cikël të mbyllur.

Përsa i përket eksportit dhe raportit me importin, ai nuk e ndihmon shëndoshjen e ekonomisë, pasi është një qasje, që, më së shumti varet nga kapriçiot e tregjeve, nga mënyra se si janë zgjedhur partnerët.

Pra, në përgjithësi, është një lëvizje e tillë, që duhet të orientojë dhe të zgjerojë vëmendjen e politikave, jo vetëm të qeverisë por edhe të gjithë  faktorëve vendimarrës, për të synuar prodhimin për eksport.

Në Shqipëri, duhen parë edhe nisma të tilla, si ato që vijnë nga kontinenti aziatik. Janë nisma që nuk na e ka fajin askush pse nuk u treguam aktivë, që duhet t’i kishim shfrytëzuar dhe të kishim tani një nivel mbizotërues në rajon, pasi i kishim të gjitha kushtet. 

Në momentin që këto kanë munguar apo janë bërë politika sa për të shtyrë vitin, kemi këtë ekonomi që prodhon sa për të mbajtur vetveten. E gjitha kjo pasqyrohet, qoftë në eksportet e ulura, që ka të bëjë me politika të tilla, se si është orientuar nxitja e konsumit, qoftë edhe me eksportet, të cilat vuajnë jo vetëm rënien e euros, në raport me lekun, por vuajnë edhe politikat e gabuara të orientimit të fuqisë punëtorë të lirë, të mënyrës se si kemi punuar deri më sot, për ta zgjeruar eksportin, si dhe pjesës se sa i ndihmojnë politikat eksportuesit, jo nëpërmjet ndihmës buxhetore, por nëpërmjet krijimit të kushteve, që ata të marrin mekanikën më të mirë, teknologjinë më të mirë dhe të jenë pastaj në ekspansion, në tregjet përreth nesh.

Intervistoi Fatos Çoçoli