Kompanitë ajrore kineze, mbi 87 % përpikmëri në vitin 2023
2024-01-12 14:47:28

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Norma e përpikmërisë së linjave ajrore kineze arriti 87.8 për qind në vitin 2023, bëri të ditur të enjten Administrata e Aviacionit Civil e Kinës (CAAC). 

Gjithsej 9.86 milionë fluturime u kryen vitin e kaluar, me një rritje prej 87.3 për qind krahasuar me vitin 2022, sipas Ma Bing, zëvendësdrejtor i CAAC-it, në një konferencë për sistemin e menaxhimit të trafikut ajror. 

Sistemi i kontrollit të trafikut të aviacionit civil nuk ka raportuar asnjë aksident të sigurisë së kontrollit të trafikut ajror për 76 muaj në radhë, u shpreh Ma, duke vënë në dukje se më 2023 konsumi i karburantit u ul me më shumë se 210 000 tonë  dhe lëshimet e dioksidit të karbonit u pakësuan me më shumë se 680 000 tonë. 

Sipas tij, një numër projektesh për përmirësimin e kapacitetit të kontrollit nisën të zbatohen vitin e kaluar dhe norma e lokalizimit të pajisjeve të reja të mëdha të kontrollit të trafikut ajror arriti mbi 80 për qind.