Me inovacion dhe hapje, ekonomia kineze do të vazhdojë të krijojë shans gjigant në 2024
2024-01-12 15:16:00

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Në vitin 2024, ekonomia kineze, ashtu si  ekonomitë e tjera kryesore të botës, pritet  të përballojë një gjendje të ndërlikuar. Bota tani është në një fazë të re luhatjesh e ndryshimesh, ekonomia botërore është në një gjendje të plogësht, të paqëndrueshme e të paqartë dhe është vështirë të parashikohet rritja globale. Kështu, në një rrethanë të tillë, Kina ka marrë vendim që të vazhdojë të ngulë këmbë në shtimin e gjallërisë së brendshme, të nxitë reforma të thella dhe hapjen me nivel të lartë, të çlirojë pandërprerë produktivitetin dhe të stimulojë gjallërinë ekonomike e shoqërore.

 

Në mbledhjen qendrore ekonomike të zhvilluar në fund të vitit 2023, Kina ka deklaruar që më 2024, punët ekonomike do të përqendrohen në nëntë detyra kryesore, të cilat do të sjellin më shumë mundësi të mira për zhvillimin e tregut vendas, si edhe atij ndërkombëtar.

 

Ndër këto detyra, më kryesoret për zhvillimin ekonomik të Kinës janë ndërtimi i sistemit modern industrial të drejtuar nga inovacioni shkencor e teknologjik, zhvillimi me cilësi të lartë i nxitur nga thellimi i reformave dhe krijimi i markës “Investim në Kinë” nëpërmjet zgjerimit të hapjes me nivel të lartë.

 

Inovacioni është i pari

Për ndërtimin e një sistemi modern industrial të drejtuar nga inovacioni shkencor e teknologjik, Kina në vitin 2024 do të vazhdojë të nxitë inovacionin industrial nëpërmjet inovacionit teknologjik, duke promovuar posaçërisht lindjen e industrive të reja, modeleve të reja të zhvillimit dhe forcave të reja nxitëse me teknologji ndryshuese dhe moderne, si edhe do të fokusohet te zhvillimi me cilësi të lartë e me standarde profesionale, me synim që të shtohet elasticiteti dhe siguria e zinxhirëve të prodhimit dhe të furnizimit.

 

Përveç kësaj, janë përcaktuar edhe shumë sektorë të rinj zhvillimi, si bioprodhimi, fluturimet kozmike komerciale dhe e ashtuquajtura “ekonomi me lartësi të ulët”, si edhe shkenca e jetës.

 

Një element tjetër kyç për inovacionin teknologjik është ekonomia digjitale. Sipas raportit të zhvillimit të internetit të Kinës 2023, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë digjitale të Kinës renditet në vendin e 2-të të botës dhe përqindja e saj në GDP është ngritur në 41.5 %

 

Ekonomia digjitale jo vetëm sjell inovacion teknologjik, por edhe nxit ndërtimin e infrastrukturës së informacionit. Deri në nëntor 2023, në Kinë janë ndërtuar 3 milionë e 282 mijë stacione 5G, të cilat mbulojnë të gjitha zonat qendrore të qyteteve dhe qytezat e mbarë vendit. Rrjeti “1000 MB i dyfishtë” (5G dhe bandë e gjerë me shpejtësi 1000 MB) është në ndërtim të qëndrueshëm dhe banda e gjerë me shpejtësi mbi 1000 MB ka mbuluar 150 milionë familje dhe 110 qytete kryesore.

 

Drejtori i zhvillimit të telekomunikacionit në Ministrinë e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës, Xie Cun, u shpreh: “Tani Kina ka ndërtuar rrjetin 5G me përmasa më të mëdha të botës. Teknologjia është e përparuar, aftësia e furnizimit është në forcim të pandërprerë dhe teknologjia është në inovacion të vazhdueshëm.”

 

Krahas ndërtimit të infrastrukturës së informacionit, në fazën e ardhshme, ekonomia digjitale do të integrohet gjithashtu, në një mënyrë edhe më të thellë me sektorin industrial.

 

Të dhënat tregojnë që në 2023, teknologjia digjitale është integruar me ekonominë reale. Teknologjia digjitale është përdorur në pothuajse 90 milionë pajisje industriale, rrjeti 5G dhe 1000 MB është integruar me 71 kategoritë e ekonomisë kombëtare dhe numri i aplikimeve digjitale-industriale i kaloi 94 mijët ... Në të ardhmen, inovacioni teknologjik do të vazhdojë të zgjerohet nga pjesët anësore në pjesët thelbësore të industrive përkatëse dhe do të luajë një rol më të rëndësishëm në kalimin nga sektorët tradicionalë në sektorët inteligjentë dhe të gjelbër.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zgjerimi i hapjes, integrimi me tregtinë botërore

Tregtia e jashtme është një nga motorët kryesorë për rritjen ekonomike të Kinës. Në një sfond të ndërlikuar, tregtia kineze ka pasur një paraqitje të qëndrueshme, duke krijuar një bazë të mirë për zhvillim të mëtejshëm këtë vit.

 

Tani në Kinë numri i ndërmarrjeve që merren me tregtinë e jashtme është ngritur në 597 mijë dhe 80 % prej tyre kanë gjallëri të vazhdueshme aktive qysh nga viti 2020. Në 11 muajt e parë të vitit 2023, tregtia e jashtme me zinxhir më të gjatë dhe me vlerë të lartë të shtuar zë 64.8 % të import-eksportit të përgjithshëm, 1 pikë përqindjeje më shumë se një vit më parë. Krahas këtyre, edhe eksporti i “tre produkteve të reja” (makinat me energji të reja, bateritë e litiumit dhe produktet fotovoltaike) shënoi rritje 41.7 % dhe përqindja e tyre në eksportin e Kinës u rrit me 1.3 pikë përqindjeje.

 

Lidhur me vitin 2024, në mbledhjen qendrore të punës ekonomike është kërkuar që në këtë vit, të zgjerohet më tej hapja me nivel të lartë. Për këtë detyrë, vendimmarrësit kanë paraqitur kërkesa më të hollësishme. P. sh., “do të përshpejtohet krijimi i forcave të reja të rritjes në tregtinë e jashtme, do të konsolidohet baza e investimeve të huaja, do të zgjerohet tregtia e mallrave të ndërmjetme, tregtia e shërbimeve, tregtia digjitale dhe eksporti i tregtisë elektronike ndërkufitare”. Krahas kësaj, u deklarua që në vitin 2024, “do të lehtësohet hyrja e investimeve të huaja në sektorin e shërbimeve, si telekomunikacion dhe shëndetësi”.

 

Krahas këtyre sektorëve konkretë, do të vazhdojnë edhe përpjekjet për të krijuar një mjedis biznesi të klasit të parë ndërkombëtar.

 

Në vitin 2024, sipas mbledhjes qendrore, do të nxitet integrimi me rregullat tregtare ndërkombëtare me standard të lartë, do të zgjidhen në mënyrë serioze problemet si lëvizja ndërkufitare e të dhënave dhe pjesëmarrja e barabartë në prokurimet qeveritare, do të vazhdojë të krijohet një mjedis biznesi i orientuar nga tregu, me sundim të ligjit e i ndërkombëtarizuar, dhe do të krijohet marka “Investim në Kinë”.

 

Ndërkohë, do të zbatohen në mënyrë praktike tetë veprimet kryesore për bashkëndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe do të nxiten projektet e mëdha simbol, si edhe projektet e vogla që sjellin përfitime për jetën e njerëzve.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Fuqia e rëndësishme ekonomike krijon mundësi të mëdha

Zëdhënësi dhe kryeekonomisti i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, Liu Aihua, u shpreh: “Në nëntor 2023, eksporti i Kinës përfundoi gjendjen e rënies që kishte zgjatur për 6 muaj dhe tregtia e jashtme u përmirësua. Nga të dhënat e përgjithshme tregtare del se statusi i Kinës në zinxhirin e prodhimit dhe të furnizimit të botës nuk ka ndryshuar dhe Kina ende është një forcë e rëndësishme për rritjen e ekonomisë botërore dhe për zhvillimin e globalizimit.”

 

Gjendja botërore është e ndërlikuar dhe rritja ekonomike është një detyrë me sfida të shumtë, por me synim të qartë dhe me plane konkrete, një gjë është e sigurt: ekonomia kineze në vitin 2024, do të zhvillohet në një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të vazhdueshëm, çka sigurisht do të sjellë mundësi të mëdha zhvillimi dhe investimi për tregun vendas dhe ndërkombëtar. (Jiang Lei)