Pas pushimeve dimërore dyjavore nxënësit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar janë rikthyer në bankat e shkollës më 8 janar, duke nisur mësimi zyrtarisht në shkollat e vendit. Kjo periudhë pushimi është konsideruar e nevojshme për t’u rikthyer në bankat e shkollës me energji të reja, e për të patur një rezultat edhe më të mirë në këtë vit të ri.
Cili është opinion i specialistëve në lidhje me pushimet e gjata dimërore? A ndikojnë ato pozitivisht tek nxënësit?
Rreth kësaj teme flet në Radio Ejani, Loreta Kruja, Punonjëse Sociale pranë Qendrës së Zhvillimit Psiko-Social “Emanuel”.
Loreta Kruja Punonjëse sociale në Qendrën Emanuel
CMG: Si ndikon koha e pushime dimërore tek fëmijët?
Loreta Kruja: Pas pushimeve të gjata të vitit të ri rikthehemi në bankat e shkollës. Është e vërtetë që ndikimi psikologjik tek nxënësit, pra tek fëmijët dhe jo vetëm, por edhe gjithë sistemi i arsimit dhe gjithë shërbimi psiko-social padiskutim që ka një ndikim të drejtëpërdrejtë ose të ndërthortë në mënyrën e përshtatjes së të gjithë faktorëve brenda shkollës në sistemin arsimor. Në fakt pushimet dimërore janë të rëndësishme sepse shkëpusin sistemin dhe gjithë faktorët brenda shkollës, por mbi të gjitha dhe nxënësit, për t'i dhënë atyre një lloj pauze, qetësie dhe rimëkëmbjeje të një energjie që i kanë harxhuar për 3 muajt e parë të fillimit të shkollës. Pushimet dimërore, shoqëruar edhe me festat e fundvitit, ndikojnë pozitivisht, për t’u rikthyer me dëshirë në shkollë.
CMG: A janë shumë dy javë pushimi, apo janë majftueshëm për të nisur semestrin e ri me energji të reja?
Loreta Kruja: Duke qenë se në këtë periudhë dyjavore janë disa festa, unë mendoj se në aspektin psikologjik ndikojnë pozitivisht, për shkak se që nga periudha e fillimit të shkollës në shtator dhe deri në dhjetor nxënësit kanë qenë mjat dinamikë, të ngarkuar me mësimet, kanë qenë interaktivë, janë përfshirë në projekte të ndryshme në shkollë dhe u duhej ky pushim qoftë fizik apo psikologjik, në mënyrë që ata me rikthimin e tyre në janar, të vijnë me energji të reja, mendime dhe objektiva të reja dhe me dëshirën për të mësuar dhe lexuar më shumë.
Nxënësit në shkollë (Foto Portali Shkollor)
Ndoshta kjo periudhë e gjatë, si çdo pushim tjetër mund të ketë të dyja anët e medaljes. Mund t’i bëjë nxënësit edhe pak dembelë për tu rikthyer sërish tek librat, për të shkruar e lexuar. Kjo ndodh për shkak se ata mund të jenë përfshirë në aktivitete të tjera jashtë mjedisit të shkollës, në aktivitete me familjarët, të afërmit, janë angazhuar për të vizituar qendra të ndryshme, mund të kenë kaluar pushime edhe jashtë vendit, por tashmë janë të detyruar t’u rikthehen bankave të shkollës. Unë mendoj dhe besoj se kjo shkëputje nga mësimet ndikon në nivelin psikologjik, të shëndetshëm, për të marrë energji të reja dhe për t’u rikthyer në shkollë sa më optimistë.
Edhe ne të rriturit në diskutimet tona bisedojmë nëse do të ishte mirë të riktheheshim sërish në punë, sepse puna është dinamike dhe na mëson gjëra të reja, të kemi lidhje të reja dhe sigurisht që për nxënësit do të jetë mire, sepse ata do të takojnë shokët, miqtë e tyre, do rikthehen tek mësuesit dhe sigurisht do arrijnë objektivat që i kanë vendosur vetes për vitin e ri 2024. Prandaj është shumë e rëndësishme marrëdhënia ndërpersonale që kemi me njëri-tjetrin, me librat, marrëdhënia që kemi edhe vetë me mjedisin e shkollës, e cila mund të ndikojë për të pasur një psikologji të qetë, për të qenë më socialë dhe sigurisht për të qenë më aktivë.
Foto nga portali shkollor
Rikthimi në shkollë pas pushimeve dimërore dhe rifillimi i rutinës të përditshme, mbart me vete të dyja anët e medaljes, për disa persona sjell stres, e për disa të tjerë mezi presin të takojnë shokët, shoqet dhe mësuesit e tyre. Si nënë e dy fëmijëve që ndjekin shkollën 9-vjeçare, kam vënë re tek ata, dëshirën për t’u rikthyer në shkollë pas pushimeve, dëshirën për të takuar shokët e shkollës, mësuesen, etj. Por bashkë me dëshirën sigurisht që vjen dhe vështirësia e përshtatjes me rutinën e përditshme pas këtyre pushimeve, pra përshtatja me oraret dhe detyrat. Ky ndryshim patjetër që sjellë një ‘stres emocional’ tek fëmijët, por gjithashtu edhe tek prindërit. Mënyra më e mirë në këtë rast dhe shumë e rëndësishme për fëmijët është vendosja e orareve dhe rregullave, pasi fëmijët duke qenë të disiplinuar në shtëpi, do të jenë më të disiplinuar dhe do të kenë përshtatje më të mirë edhe në shkollë.
Sipas psikologëve, mësuesi duhet të krijojë një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive me nxënësit që në fillim të rikthimit në klasë, pas pushimeve dimërore. Duke ndarë përvojat e pushimeve, duke përfshirë nxënësit në biseda rreth pushimeve të tyre, kjo mund të jenë një mënyrë e shkëlqyeshme për të komunikuar njerëzisht me ta dhe për të shfaqur interes për jetën e tyre edhe jashtë shkollës.
Intervistoi: Sava Lena