Liberalizimi i tregut të energjisë, të tjera biznese në treg të lirë
2024-01-11 10:30:54

Enea Karakaci (Foto Linkedin)

OSHEE(Foto AbcNews)

Nga 1 janari  i këtij viti  rreth 2104 biznese të lidhura në tensionin e mesëm do të kalojnë në treg të lirë. Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi në një intervistë për mediat shpjegon detajet dhe mundësitë që do t'u ofrohen atyre për furnizim me çmim fiks.

“Është direktivë e BE-së që parashikon se një grup klientësh duhet të dalin në treg të lirë, pra nuk duhet të vazhdojnë të furnizohen nga operatorët publikë universalë siç është furnizuesi i shërbimit universal. Direktivat e BE-së përcaktojnë dhe afate dhe targete për grupe klientësh që duhet të dalin në tregun e lirë. Ne kemi një grup klientësh që në përputhje me legjislacionin tonë të brendshëm që ka përafruar direktivat e BE-së ka përcaktuar që nga 1 janari 2022 ky grup klientësh janë njoftuar për proceduat që duhet të dalin në treg të lirë. Sigurisht gjatë vitit 2022 dhe 2023 ishim në një situatë atipike dhe qeveria vendosi të mbrojë këtë grup klientësh sepse ju e dini që kishim çmime mbi 300 euro për megavat orë. Normalisht që qeveria shqiptare mbante skema rregulluese ligjore, ndaj vendosi që të mbrojë këtë grup klientësh pavarësisht se kishte detyrimin të nxjerrin në treg të lirë. Duke parë një lloj situate më qetësuese, por edhe angazhimin që ka marrë qeveria shqiptare ndaj partnerëve ndërkombëtare dhe BE-së si dhe në kuadër të punës që bën qeveria shqiptare për përafrimin me legjislacionin e BE-së është vendosur që ky grup klientësh dhe konkretisht një grup i këtyre klientëve, që janë klientët e lidhur në 20kw që përbëjnë rreth 2100 klientë të dalin në treg të lirë nga 1 janari 2024. Unë dua të saktësoj se këto grupe klientësh nuk i ndryshon asnjë gjë në sensin e furnizimit të energjisë elektrike. Ne do marrim masa që kompania që është në varësi të OSHEE-së grup furnizues i tregut të lirë, të vazhdojë t’i furnizojë këta klientë nëse duan që nga 1 janari 2024”, u shpreh Karakaçi

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi  shpjegon për  mediat alternativat që ofrohen dhe kushtet përkatëse për këtë grup kompanish.

“Ata kanë alternativa që të dalin dhe të furnizohen në treg të lirë. Sot në Shqipëri operojnë disa furnizues të lire dhe konkretisht ne kemi informacion që edhe disa klientë kanë zgjedhur këta furnizues. Është në të drejtën e tyre. Ata furnizohen te këto klientë sipas çmimeve të bursave të energjisë. Ne u ofrojmë atyre një garanci që të vazhdojnë të furnizohen nga kompania OSHEE e tregut të lirë me një kontratë 1 vjeçare, që t’i japim një çmim fiks që është i njëjti që janë furnizuar në vitin 2022 dhe 2023. Klientët për tensionin e mesëm 20kw do të furnizohen me të njëjtin çmim që janë furnizuar gjatë këtij viti. Pra nuk humbasin në çmim, por fitojnë një kontratë 1 vjeçare dhe sigurinë e furnizimit. Në faqen e OSHEE-së është publikuar lista e klientëve të 20 kw që janë rreth 2100 klientë si dhe kushtet përkatëse si do jetë furnizimi i tyre dhe kontratat përkatëse” tha Karakaçi

Furnizimi me energji(Foto Telegrafi)

Punonjës të OSHEE (Foto Liberale)

Administratori i OSHEE-së shpjegon se cilat kompani kanë dalë në treg të lirë nga ky janar.

“Janë disa lloje, kryesisht fabrika dhe industri përpunuese, por ka edhe institucione shtetërore dhe private të natyrës së telekomunikacionit. Unë dua të theksoj faktin që kjo nismë që merr OSHEE grup është nën udhëheqjen e qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që gjatë viteve 2022 dhe 2023 ka patur si fokus së pari mbrojtjen e klientëve fundorë. Nga ana tjetër ajo çfarë ne po bëjmë tani është të mbrojmë klientët fundorë duke përafruar edhe ato angazhime që ne kemi marrë ndaj BE-së. Pra bëjmë një liberalizim pjesor të klientëve të tensionit të mesëm që e kemi detyrim ligjor dhe të BE-së, por nga ana tjetër mbrojmë këta klientë me anë të kontratave afatgjata dhe një çmimi fiks.”u shpreh ai

Janë hartuar kontrata të posaçme që mos të rëndohen bizneset që dalin në treg të lirë për sigurimin e energjisë.

“Ne kemi dy çmime sot që ofrojmë. Për klientët që janë në tension 20kw do ofrohet i njëjti çmim që është ofruar gjatë 2022 dhe 2023, që është 18.3. Ne do t’u ofrojmë klientëve që janë të lidhur me tension 35kw të cilat janë furnizuar nga ana jonë gjatë 2022 dhe 2023 me çmime të ndryshme. Në varësi të tregjeve evropiane dhe çmimet kanë qenë mujore ne i kemi dëgjuar dhe kanë kërkuar që të kenë një çmim fiks dhe të kenë një garanci vjetore dhe të bëjnë një llogari sa do jetë kostoja e tyre e energjisë. Ne kemi vendosur që edhe për këtë grup klientësh të lidhur në tension 35 kv që janë 65 t’i lidhim dhe t’i furnizojmë me një çmim fiks që është 15.9. Pse klientët me 35 kvv paguajnë me pak se ata që janë në tension të mesëm? Sepse tarifa e shpërndarjes së tyre duket se është në nivel më të lartë dhe ka humbje më pak është më e ulët. Këtë çmim ka miratuar Enti Rregullator i Energjisë. Edhe këtyre klientëve që janë të lidhur ne vazhdojmë  t’u ofrojmë një çmim dhe kontratë 1 vjeçare.”- tha Karakaçi.

Subjektet do të duhet të lidhin kontratë ose më nje furnizues privat ose me furnizuesin e tregut të lirë me çmime fikse. Në total janë mbi 7400 subjekte që kanë detyrimin e daljes në treg të lirë, por Karakaçi sqaron se për pjesën e mbetur të tyre procesi do të kryhet në një fazë të mëvonshme. Dalja në treg të lirë për këto 7400 kompani ishte parashikuar të niste në janar të vitit 2022, por qeveria vendosi t’i mbronte duke i mbajtur me çmime preferenciale për shkak të shtrenjtimit të çmimit të energjisë në bursa.