Kina dhe Maldivet i ngrenë marrëdhëniet dypalëshe në partneritet të gjithanshëm strategjik bashkëpunimi
2024-01-11 14:48:23


Foto nga Xinhua

Të mërkurën pasdite, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin  me presidentin e Maldiveve Mohamed Muizzu, që po bën një vizitë zyrtare në Kinë. Të dy liderët shpallën ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Maldiveve në nivelin e partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit.

Xi shprehu mirëpritjen për vizitën e presidentit Muizzu, të cilin e quajti një mik të vjetër të Kinës. Ai vlerësoi lart gjithashtu zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Maldiveve.

"Kina dhe Maldivet janë vende fqinje me miqësi tradicionale. Qysh 600 vjet më parë, Zheng He, lundërtari kinez i dinastisë Ming, e vizitoi vendin tuaj dhe popujt e të dy vendeve vendosën lidhje miqësore përmes Rrugës së lashtë Detare të Mëndafshit. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Maldiveve 52 vjet më parë, të dyja vendet e kanë respektuar dhe mbështetur gjithmonë njëri-tjetrin, duke u bërë shembull për trajtimin e barabartë dhe ndihmën e ndërsjellë ndërmjet vendeve me madhësi të ndryshme. Gjatë 10 vjetëve të fundit, marrëdhëniet Kinë-Maldive janë zhvilluar në thellësi dhe të dy vendet kanë arritur rezultate të frytshme në ndërtimin e përbashkët të 'Një brez, një rrugë' dhe në shkëmbimet e bashkëpunimin në fusha të ndryshme," tha kreu i shtetit i Kinës.

Xi theksoi më tej se ngritja e nivelit të marrëdhënieve ndërmjet Kinës e Maldiveve në partneritet të gjithanshëm strategjik bashkëpunimi përputhet me nevojat e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe shpresën e popujve të të dy vendeve. Pala kineze dëshiron që, së bashku me palën maldivase, të zgjerojnë së bashku bashkëpunimin e shkëmbimet në fusha të ndryshme dhe të krijojnë së bashku bashkësinë me fate të përbashkëta Kinë-Maldive.

Xi u shpreh më tej se pala kineze respekton dhe përkrah Maldivet në ndjekjen e një rruge zhvillimi që përputhet me kushtet e veta kombëtare, si edhe mbështet fuqimisht Maldivet në mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe dinjitetit kombëtar. Kina është e gatshme të shkëmbejë përvojën e qeverisjes me Maldivet, të forcojë ndërlidhjen e strategjive të zhvillimite të promovojë ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të "Një brez, një rrugë ", duke krijuar një standard të ri për miqësinë ndërmjet të dy vendeve. Të dyja palët duhet të forcojnë bashkëpunimin në investimet ekonomike dhe tregtare, parqet bujqësore, ekonominë blu, ekonominë e gjelbër, ekonominë digjitale etj., të zgjerojnë bashkëpunimin në mbrojtjen ekologjike e mjedisore detare e në fusha të tjera dhe të forcojnë shkëmbimet kulturore. Pala kineze mbështet më shumë studentë të talentuar nga Maldivet të studiojnë në Kinë dhe nxit rritjen e fluturimeve të drejtpërdrejta ndërmjet të dy vendeve.

Xi vuri në dukje se Kina dhe Maldivet janë vende në zhvillim dhe kanë pikëpamje e qëndrime të ngjashme për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale. Të dyja palët duhet të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh, të mbrojnë multilateralizmin e vërtetë dhe interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim, dhe të përpiqen së bashku për të promovuar ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta për ta bërë botën më paqësore, më të sigurt dhe më të begatë. Kina është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin me Maldivet për të zbatuar  konsensusin e arritur në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike në Dubai dhe për të promovuar zbatimin e plotë dhe efektiv të Marrëveshjes së Parisit.

Mohamed Muizzu u shpreh nga ana e tij se Maldivet i përmbahen me vendosmëri politikës së "Një Kine". Mbështetja për ruajtjen e sovranitetit kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial është një bazë solide për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve Maldive-Kinë, tha ai. Kina ka dhënë një ndihmë të madhe e të vyer për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Maldiveve. Bashkëpunimi ndërmjet Maldiveve dhe Kinës, veçanërisht ndërtimi i përbashkët i "Një brez, një rrugë", ka sjellë shumë përfitime për popullin maldivas. Ura e Miqësisë Maldive-Kinë është bërë simbol i miqësisë ndërmjet të dy popujve. Pala maldivase pret me padurim të shfrytëzojë mundësinë e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit për të zgjeruar më tej rrugët e reja për bashkëpunimin dypalësh, për të shtuar përmbajtje të reja në marrëdhëniet dypalëshe, për të promovuar ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të "Një brez, një rrugë", për të nxitur më shumë zhvillime të reja në marrëdhëniet dypalëshe dhe për të sjellë më shumë përfitime e për të krijuar më shumë mirëqenie për të dy popujt. "Ne mirëpresim masat pozitive të Kinës për të promovuar shkëmbimet kulturore dhe presim më shumë turistë kinezë që të vizitojnë Maldivet. Maldivet mbështetin Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuar nga presidenti Xi Jinping, dhe janë të gatshme të komunikojnë e të bashkërendohen ngushtë me Kinën për çështjet ndërkombëtare  e rajonale, duke forcuar mbështetjen e ndërsjellë," tha ai.

Pas bisedimeve, të dy liderët ishin të pranishëm në nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit për planin e veprimit të krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik të bashkëpunimit, ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë”, administrimin e fatkeqësive, teknologjinë ekonomike, ekonominë blu, ekonominë digjitale, zhvillimin, infrastrukturën dhe jetesën e njerëzve etj.

Gjatë vizitës së presidentit të Maldiveve në Kinë, të dyja palët do të publikojnë "Komunikatën e përbashkët të shtypit ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Maldiveve". (Çang Çuo)