Pol Milo, një ekonomist me pasion letërsinë dhe filozofinë
2024-01-10 10:15:34

Pol Milo ka përfunduar studimet për ekonomi në Romë të Italisë dhe prej gati dy dekadash punon si ekonomist në kompani dhe organizata të ndryshme. Gjithashtu Pol ka lëvruar dhe fushën e letërsisë dhe filozofisë, të cilat i ka lidhur aq mirë me fushën e ekonomisë. Ka botuar disa libra të cilat janë pritur mjaft mirë nga lexuesit, dhe ka në plan botime të tjera. Pol është i pranishëm në media me analiza në fushën e ekonomisë, por dhe me ese, duke trajtuar tematika të ndryshme. Në një intervistë për Radio Ejani Pol Milo tregon për eksperiencën e tij si ekonomist, si dhe botimet.    

CMG: Përshëndetje Pol dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Pol Milo: Përshëndetje ju dhe gjithë dëgjuesit e kësaj radioje të mrekullueshme, që na jep mundësi të shprehim disa nga pikëpamjet dhe mendimet tona.

CMG: Ke studiuar në fushën e ekonomisë në Itali, por si lindi dëshira për filozofinë dhe letërsinë?

Pol Milo: Unë kam studiuar në fushën e ekonomisë, fillimisht kam qenë student në Romë dhe jam diplomuar atje për ekonomi. Ndërkohë që më vonë lindi dëshira ime kryesisht ndaj filozofisë dhe më pas kalova tek letërsia. Ajo që mua më tërhoqi shumë në aspektin ekonomik, ka qenë analiza ekonomike, matematika, projektimi dhe çdo gjë që kishte të bënte me pjesën e saktë të materies. Më pas nëpërmjet filozofisë filloi të funksionojë truri në një mënyrë të tillë, që përveç asaj të saktës kishte dhe një dimension e një sferë tjetër, që është ajo e fantazisë dhe e një lloj mendimi të ndryshëm. Në këtë moment unë fillova të arsyetoj, duke patur një fokus kundrejt asaj që mund të jetë përtej racionales dhe më afër fantazisë. Kështu që letërisa për mua kishte të bënte me pjesën e fantazisë dhe e tillë ishte pikëpamja sesi më lindi kjo lidhje.

CMG: Flasim për eksperiencën tuaj 20 vjeçare si ekonomist dhe krijimtarinë tuaj në fushën e letërsisë.

Pol Milo: Unë kam ushtruar prej gati dy dekadash profesionin e ekonomistit, duke dhënë një kontribut në fushën e ekonomisë, të bizneseve dhe organizatave të ndryshme ku punoj. Në vitet e fundit pas studimeve të mia, përveç analizave dhe shkrimeve të mia në fushën e eseve dhe studimore më lindi ideja që disa aspekte në lidhje me letërsinë t’i shkruaja dhe t’i botoja. Kam botuar dy libra të parë që janë me tregime të shkurtëra me karakter filozofik dhe pak humoristik dhe së fundi dola me një roman që quhet “Medaljoni i Dyrrahut”, ku personazhi kryesor është një studiues që kërkon dijen e fshehur që i është transmetuar njerëzimit, që nga historitë e lashta dhe deri sot.

Pol Milo gjate nje takimi (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë përshtypjet e lexuesve për librat tuaj?

Pol Milo: Unë kam patur fatin të bashkëpunoj me botuesin tim “2 M Studio” në qytetin e Durrësit, i cili ka dy studio dhe punon edhe me shkrimtarë të tjerë. Gjithashtu kam patur kontakte me shumë lexues, ku ata fillimisht janë habitur nga një mënyrë e re e të shkruarit dhe të menduarit nëpërmjet tregimit të shkurtër. Tregimi i shkurtër ka një veçori që jep vetëm një sintezë të mendimit, dhe më pas lexuesi është i lirë të fantazojë, ta kuptojë dhe interpretojë sipas dëshirës së vet atë pjesë që lexon. Romani kërkon një përfshirje më të gjerë dhe kalimi që unë bëra me botimin e romanit, lexuesi u përfshi më tepër dhe pati më shumë reagim, duke vlerësuar zhvillimin e ngjarjeve, ndërtimin e karaktereve, analizën e brendshme, metaforat e përdorura dhe deri në përfundimet të cilat lexuesit i pëlqejnë të surprizohen. Ajo që unë kam vënë re në përfundim, është që lexuesi dëshiron të jetë i surprizuar nga ajo që lexon.

CMG: Jeni më tepër i pasionuar pas ekonomisë, filozofisë apo letërsisë?

Pol Milo: Njeriu ka një sistem orientimi të mendimit të përditshëm, që është mendimi racional i përditshëm. Fantazia dhe letërsia krijon një sistem alternativ të mendimit dhe modeli im i orientimit është që të shkruaj dhe të zhvilloj.

CMG: Jeni i pranishëm në media me shkrime dhe analizat tuaja ekonomike. Ku konsistojnë këto shkrime analitike?

Pol Milo: Pjesa ime profesionale ka të bëjë me analizën ekonomike, analizën e faktorëve dhe orientimin drejt një të ardhmeje afatshkurtër ose afatmesme sesi do jetë pritshmëria  në vijim. Kjo analizë që unë e kam ushtruar si profesion prej shumë vitesh më ka ndihmuar për të shkruar në formë eseistike, por dhe për të zhvilluar analiza të karakterit letrar në lidhje me personazhet, me karakteret dhe ngjarjet, pra sesi ato zhvillohen, reagojnë dhe lidhen me njëri-tjetrin, sesi personazhi piqet dhe mendon, dhe sesi ndërvepron me shoqërinë. Ndërkohë që një ngjarje gjithmonë ka një zhvillim, një pikë kulmore dhe një përfundim. Ajo që ne analizojmë janë gjithmonë përfundimet dhe se çfarë mesazhi ne do arrijmë të japim, në mënyrë që ky përfundim të ketë një sukses dhe një mësim që do na ndihmojë.

Pol Milo me fotografin Griseld Hoxha (Foto personale)

Pol Milo duke dhene autograf (Foto personale)

CMG: Para se të ktheheshit në Shqipëri, keni menduar  ndonjëherë të qëndroni  dhe investoni në karrierë në Itali?

Pol Milo: Unë e kam menduar këtë si variant, por ajo që vura re ishte që në ato vite kur jam kthyer në Shqipëri, por dhe sot e mendoj kështu, Shqipëria ka qenë në një zhvillim më të madh sesa zhvillimi në Itali. Pra mundësitë për të ecur përpara do i kisha më shumë këtu sesa në Itali. Këtë gjë ne e shikojmë në disa aspekte, ku sot Shqipëria nxjerrë mjekë shumë herë më të mirë se në Itali, inxhinierë elektronikë më të mirë, sepse duke qenë se Shqipëria ka qenë më pas me teknologjinë dhe shpejtësia e zhvillimit ishte më e madhe. Kjo gjë bën që nëse dëshiron të mësosh, atëhere ke mundësi të mësosh dhe të ecësh shumë herë më shpejt. Unë vura re që eca më shpejt në Shqipëri sesa po të kisha qëndruar në Itali dhe nuk do kisha marrë shumë njohuri në lidhje me situatat dhe proçeset ekonomike, të cilat unë i kam parë dhe kam qenë vetë dëshmitar kur kanë ndodhur këtu. Mendoj se kjo gjë më ka bërë mirë dhe jam shumë i kënaqur që kam bërë këtë zgjedhje.

CMG; Cilat janë projektet tuaja në vazhdim?

Pol Milo: Unë do vazhdoj të ushtroj funksionin tim si ekonomist, por duke i dhënë një hapësirë dhe një fokus krijimtarisë dhe fantazisë. Jam në projektimin e dy romaneve të mia të ardhshme, të cilat mundohem t’i zhvilloj. Ndërkohë që do vijoj të merrem me pjesën artistike, të promovoj dhe përkrah kolegë dhe artistë të rinj.

Intervistoi: Gazmend Agaj