Jozef Martini, piktori i atelieve të modës europiane
2024-01-10 10:06:51

Piktori dhe dizanjeri Jozef Martini - foto Jozef Martini

Lewis Hamilton  me veshje pelhura e se ciles eshte dizenjuara nga Jozef Martini - foto Jozef Martini

Të përfshihesh në botën e modës së lartë në Itali, në vendin që identifikon modën, klasin, shijen dhe elegancën, nuk është fare e thjeshtë. Në vendin ku ndodhen showromet e njerëzve më të rëndësishëm të modës, ia ka dalë të ketë një të tillë edhe një artist shqiptar. Ai është shkodrani Jozef Martini, ose siç njihet në Shkodër, Bep Martini.

Me profesion piktor, rruga e tij nisi në Liceun Artistik “Prenkë Jakova” të qytetit të lindjes dhe në fabrikën e Tisazhit në Shkodër, ku nisi pjesë e praktikave mësimore nisi të modelonte basmat e para, ku binte në sy tendenca për të sjellë elemente të reja, forma dhe ngjyra, në basmat që fabrika prodhonte.

Me studimet e larta në Akademinë e Arteve në vitin 1988, u profilizua në degën e Tekstilit dhe u rrit më shumë profesionalisht. Ai ishte nxënës i piktorit Danish Jukniu. Pas diplomimit, ai solli shumë shpejt në tregun shqiptar një frymë të re dizajni, me një tendencë moderniste tejet guximtare për kohën. Natyrisht që tregu i asaj kohe ishte i tejngopur me uniformitetin e tekstileve që ofroheshin, ndaj prurjet e Bepit u cilësuan inovative.

Ndërkohë që rruga e vërtetë prej artisti, nisi pas largimit për në Itali si emigrant, në vitin 1996. Ta niste nga zero nuk ishte aspak e lehtë për artistin, por fakti që ai e donte punën, ia ka bërë më të thjeshtë. Pas disa vitesh, zhvendoset në Komo duke punuar për kompani të ndryshme të modës dhe në vitin 2001 ia del që të krijojë studion e tij të dizenjimit.  Edhe sot e kësaj dite është pjesë aktive në krijimtarinë e ndërtimit të dizajnit të tekstileve, e cila përbën pjesën më domethënëse dhe të domosdoshme në industrinë e modës.

Po çfarë e bën Bep Martinin kaq të suksesshëm? Talenti? Pasioni? Puna? Të gjitha bashkë. Megjithatë, këtyre tipareve i shtohet edhe njohja e thellë e teknikave tradicionale dhe kërkesa e lartë ndaj vetes për gjetje inovative. Kështu përveç teknikave tradicionale më të përparuara në design e realizim, fillon aplikimin e teknikave piktorike, manuale dhe dixhitale, duke i dhënë mundësinë të këtë një njohje të plotë në tërësinë e metodave nga ato historike e deri te më të rejat.

Breatny Spears e veshur me Kenzo dizenjuar nga Jozef Martini- foto Jozef Martini

Pelhura te mendafshta - foto Jozef Martini

Ai sot ka brendin e tij, madje është shumë i kërkuar, kjo falë edhe punës ndër vite për kompani të ndryshme dhe studio të ndryshme të dizajnit të tekstilit.

Bep Martini kryesisht punon me mëndafshin. Mëndafshi është materiali bazë i punës së tij. Dizenjot e tij të pëlhurave, kanë motive të ndryshme, por asnjëherë nuk lë mënjanë edhe Shkodrën, siç është dizejnimi i shallit me motive nga tavani i Katedralës së Shkodrës…

Njerëz të rëndësishëm ia besojnë veshjen e tyre pëlhurave të Bep Martinit. Kohët e fundit ai ka një bashkëpunim me një nga firmat më të njohura në botës si Matrin Rose dhe Tomy Hilfiger. Madje edhe kampioni i Formula 1 Luis Hamilton i pëlqen veshjet e dizejnuara nga Jozef Martini dhe është klient i tij. Por cila është puna e Jozef Martinit me kompanitë e ndryshme?

Fillimisht me aksesorë cilësorë të modës në mëndafsh, dizenjuar, prodhuar e konfeksionuar me dorë në Komo e pastaj duke e zgjeruar gamën e prodhimeve me koleksione verore plazhi, sporti etj.

Përveç punës për markat e tjera (dhe janë mbi 4 mijë projekte në print design) ai krijon dhe markën me emrin e tij.Në show room-in e tij ai ka prodhuar veshje të ndryshme, madje duke e zgjeruar gamën e produkteve që mbajnë firmën e tij, si shalla, veshje plazhi, çanta, aksesor të ndryshëm, t-shirt-e, etj. Punimet e tij janë të gjitha të punuara në Itali.

Bep Martini ka vendosur që eksperiencën e tij në dizejnimin e stampave të veshjeve ta hapë edhe në Shqipëri. Pasioni i tij i madh dhe përvoja mbi 30-vjeçare ka bërë që përvojën e tij ta ofrojë edhe në vendlindje.

Vitrina ne shkoder - foto Jozef Martini

Pavarësisht suksesit në Itali, ai e ka të pamundur të ndahet nga Shkodra, ku ka hapur markën e tij, me produktet e tekstileve për sezonin e verës, si shalle mëndafshi, peshqirë, rroba banje, “tshirt” etj. Showroom-i është vendosur në qendrën historike të qytetit. Ndërsa shumë kush mendon se është thjesht një boutique veshjesh, gabohet, pasi pas vitrinave shfaqet puna e një mjeshtri që njihet e vlerësohet në industrinë e modës. Produktet e tij dallohen për një imazh hipnotizues dhe koloriti i qartë, duke theksuar disonancat që nxjerrin në pah vetëdijen artistike, për qartësinë dhe sigurinë që ai transmeton.

Përkrah imazheve të qarta, aftësitë kompozicionale dhe siluetat e mirëmenduara e bëjnë të jetë intrigues edhe për shtresëzimin historik dhe të rrëfimtarisë së qytetit që ai e do kaq shumë, Shkodrën.

Në Komo të Italisë, aty ku janë vendosur showromet e brendeve më të mira, spikat edhe një brend shqiptar, ai i Jozef Martinit, i shënuar grafikisht si “JM”. Dhe si një qytetar i denjë dhe artist i mrekullueshëm, ai të njëjtin aktivitet hap edhe në qytetin e tij, duke i dhënë mundësinë bashkëqytetarëve, të zgjedhin mes pëlhurave unike, të cilat vetë qyteti i ka frymëzuar. Një mënyrë për të eksploruar të bukurën, por edhe për të respektuar traditën. Ky është Jozef Martini, një artist që lidh të bukurën me traditën, në mëndafshe që mbështjellin rrugën e suksesit.

Neritana Kraja