Një dëshmitar okular i bashkëpunimit Kinë-Maldive
2024-01-10 10:37:19

Një i sëmurë dhe  një mjek në Qendrën e Oftalmologjisë Kinë-Maldive /foto nga “Guangzhou Daily”

“Doktor, unë mund ta shoh emrin tuaj tani. Faleminderit”,- tha Ahmed Kalo menjëherë pasi mjekët kinezë në Qendrën e Oftalmologjisë Kinë-Maldive hoqën fashat që mbulonin sytë e tij.

69-vjeçari prej shumë vitesh nuk shikonte për shkak të një goditjeje në tru. Djali i Kalos, Shafraz Ahmed, tha se babai i tij vuante nga hipertensioni, diabeti dhe sëmundje të zemrës, por nuk kishte marrë kujdesin e kërkuar mjekësor nga shumë spitale për shkak të natyrës së ndërlikuar të gjendjes së tij.

“Ky u tha se ishte një operacion i pamundur dhe me pak gjasa që të kishte sukses. Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë ata që dërguan urimet e tyre. Faleminderit, popullit të Kinës”,- tha Shafraz Ahmed në një postim në platformën “X”.

Qendra e Oftalmologjisë është një projekt ikonik i bashkëpunimit mjekësor Kinë-Maldive. Ndërkohë, Kina mirëpret presidentin e Maldiveve, Mohamed Muizzu, për një vizitë shtetërore për të nisur vitin e ri. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, tha se të dy krerët e shteteve do të diskutojnë ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në lartësi të reja.

foto nga CFP

Sheshi Tiananmen me flamujt kombëtarë të Kinës dhe të Maldiveve, në pritje të ardhjes së presidentit të Maldiveve, më 9 janar 2024/ foto nga CFP

Pikë fillimi i ri historik

“Marrëdhëniet midis Kinës dhe Maldiveve tani qëndrojnë në një pikënisje të re historike”,- tha zëdhënësi, duke theksuar se miqësia e nderuar në kohë ka vendosur një shembull të shkëlqyer të barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë midis vendeve të madhësive të ndryshme. “Gjatë dekadës së fundit, marrëdhëniet dypalëshe janë thelluar dhe bashkëpunimi praktik mes dy vendeve ka arritur rezultate të frytshme në fusha të ndryshme, duke përfshirë bashkëpunimin “Një brez, një rrugë”,- tha Wang.

Presidenti Muizzu së fundmi përshëndeti Urën e Miqësisë Kinë-Maldive, e cila u hap zyrtarisht në gusht të 2018-s, si projekti më ikonik dhe transformues i vendit arkipelag.

Udhëtimi me varkë nga kryeqyteti, Male, në ishullin fqinj Hulhumale nuk është më i nevojshëm, një ndryshim i mirëpritur për qindra mijëra njerëz. Projekte të tilla, të ndërtuara me ndihmën e Kinës, përfshijnë gjithashtu ndërtimin e njësive të banimit social në vend, zgjerimin dhe përmirësimin e Aeroportit Ndërkombëtar Velana dhe Qendrën e Oftalmologjisë, e cila u hap në vitin 2020.

Në dy muajt e parë, Qendra e Oftalmologjisë përfundoi 1200 vizita ambulatore dhe 164 operacione në sy me një vlerësim të gjerë. Tre vjet më vonë, ndihma mjekësore e Kinës ka pasur përparësi trajnimin e ekipeve mjekësore lokale.

Në gusht 2023, dy pjesëtarë të stafit mjekësor lokal, mjeku Almas Adnan Ismail dhe infermierja Hawwa Nihla morën katër muaj trajnim në Qendrën Oftalmike Zhongshan të Kinës në Universitetin Sun Yat-sen.

“Tani kam besim në kryerjen e operacioneve të kataraktit në mënyrë të pavarur”, tha Ismail.

Sipas Chen Weirong, kreu i Qendrës së Oftalmologjisë Kinë-Maldive, Ismail dhe Nihla mund të trajtojnë në mënyrë të pavarur sëmundjet e zakonshme të syve. Chen tha se më shumë profesionistë të kujdesit shëndetësor si Ismail dhe Nihla do të dalin nga projekti.

“Maldivet janë një nga vendet e para që i janë bashkuar nismës “Një brez, një rrugë””,- tha ambasadori kinez në Maldive, Wang Lixin, duke thënë se hapat e ardhshëm për bashkëpunimin dypalësh do të çojnë në zgjerimin e bashkëpunimit të përbashkët të kësaj nisme në infrastrukturë, rritjen e standardeve të jetesës, bujqësisë moderne dhe ekonomisë blu.

foto nga CFP

Ura e Miqësisë Kinë-Maldive / foto nga CFP

Lidhje më të thella dhe më të forta

Përpara pandemisë, Kina kishte qenë burimi më i madh i turistëve në Maldive që nga viti 2010, me nëntë qytete, përfshirë Pekinin, Shangain dhe Guangzhou, që kishin fluturime çarter ose fluturime direkte për dhe nga Male. Në vitin 2023, me rifillimin e fluturimeve direkte dhe kthimin e fluksit të turistëve kinezë, Kina u bë burimi i tretë më i madh turistik i Maldiveve, duke zënë 10 për qind të totalit të mbërritjeve të turistëve. Në tetor, presidenti Muizzu deklaroi për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua” se ai beson se numri i turistëve kinezë që udhëtojnë në Maldive do të rritet ndjeshëm dhe mund të kthehet në nivelet para pandemisë.

Qendra e Gjuhës Kineze e Kolegjit Villa, e inauguruar në shtator 2022, është bërë një platformë e preferuar për marrjen e shërbimeve arsimore kineze, duke lejuar profesionistët e turizmit në Maldive të ofrojnë shërbime më të mira për vizitorët kinezë.

“Gjatë vitit të kaluar, ne u përpoqëm bashkërisht për rimëkëmbjen e shpejtë pas pandemisë në marrëdhëniet Kinë-Maldive”,- tha ambasadori Wang, duke përmendur rifillimin e fluturimeve direkte, marrëveshjen Kinë-Maldive pa viza dhe Bursa e Ambasadorit Kinez. e krijuar në universitetet në Maldive, si mënyra për të përmirësuar shkëmbimet mes njerëzve dhe miqësinë dypalëshe.

Për më tepër, tregtia dypalëshe po rritet pasi më shumë produkte kineze hyjnë në tregun e Maldiveve dhe produktet detare nga Maldivet, si peshku ton, shfaqen në më shumë tavolina në Kinë.

Në shkurt 2020, qeveria e Maldiveve i dhuroi Kinës 1 milion konserva me ton, si gjest i vullnetit të mirë për popullin kinez.

“Duke parë përpara, Kina është e gatshme të forcojë më tej shkëmbimet dhe ndërveprimet me Maldivet, duke promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe një bazë solide të mbështetjes publike për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Maldive”,- tha Wang.

“Ndërsa Kina bëhet gati për të mirëpritur vitin e ri, vitin e dragoit, ne mbetemi të sigurt dhe pozitivë në lidhjen tonë të fortë të miqësisë”,- tha ministri i Punëve të Jashtme të Maldivive, Moosa Zameer.