Foto nga VCG
Anija e parë e madhe turistike e ndërtuar në mënyrë të pavarur nga Kina, "Adora Magic City", u nis nga Shangai më 1 janar, duke kryer lundrimin e vet të parë nga Shangai për në Jeju të Koresë së Jugut, Nagasaki dhe Fukuoka të Japonisë, që zgjati 7 ditë e 6 natë, me një gjatësi lundrimi prej 1119 miljesh detare. Anija u kthye më 7 janar, duke shënuar përfundimin me sukses të udhëtimit të parë komercial historik të një anijeje të madhe turistike të prodhuar në Kinë.
Gazetari i CGTN-it shkoi në kabinat e anijes dhe pa dhoma të ngrohta e të pastra me një ballkon, ku udhëtarët mund të shikonin pamjen e detit, të shijonin diellin dhe të kalonin një kohë të lirë të mrekullueshme.
Në kuvertën nr. 5 të anijes kishte shumë restorante që ofronin ushqime të shijshme të ndryshme për udhëtarët.
Punonjësit e anijes thanë në intervistë se zakonisht në anijet turistike nuk ka restorante hotpot, sepse gjatë udhëtimit ka rrezik për spërkatje nga lëngu. Por në anët e kësaj anijeje turistike kineze ka pajisje të veçanta për të pakësuar lëkundjet, kështu që udhëtarët mund të shijojnë hotpot në këtë anije, çka tregon nivelin e lartë të teknologjisë së prodhimit të anijeve të Kinës.
Në kuvertat 3, 4 e 5 të anijes është zona kryesore e kohës së lirë për udhëtarët, ku ata mund të gjejnë pije, kafe etj. Përveç kësaj, teatri dhe klubet në anije gjithashtu sjellin shfaqje teatrore e shfaqje filmash dhe organizojnë veprimtari të tjera të larmishme kulturore për turistët.
Pas lundrimit që zgjati 7 ditë e 6 natë, në orën 6 e gjysmë të mëngjesit të 7 janarit, "Adora Magic City" u kthye në portin ndërkombëtar të anijeve turistike "Wusongkou". Sivjet kjo anije do të kryejë 6-7 lundrime në muaj.
Foto nga VCG
Përveç anijes turistike, të martën paradite, anija më e madhe e kontejnerëve në botë, e quajtur "Oriental Valencia", u largua me sukses nga ujërat e seksionit Nantong të lumit Jance për lundrim provë në det. Anija ka një gjatësi të përgjithshme prej 399.99 metrash, gjerësi të modeluar 61.3 metra dhe thellësi të modeluar 33.2 metra. Kapaciteti maksimal i ngarkesës është 24 188 kontejnerë standardë. Kur ngarkohet plotësisht, ajo mund të arrijë lartësinë e një ndërtese të zakonshme 22-katëshe. Sipërfaqja e kuvertës i tejkalon tre fusha standarde futbolli. "Oriental Valencia" është anija e parë e kontejnerëve më e madhe në botë që përfundon në vitin 2024 në Kinë.
Zv.drejtori i Institutit të Studimit të Ekonomisë pranë Akademisë së Makroekonomisë të Kinës Wu Sa tha: “Industria e prodhimit të anijeve është një industri e gjithanshme strategjike, që jo vetëm mund të ofrojë pajisje teknike për zhvillimin detar, transportin detar e fusha të tjera, por edhe mund të nxitë zhvillimin e zinxhirit industrial. Mijëra punëtorë mund të përfitojnë nga kjo industri, e cila është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë kineze. Si një vend i madh i prodhimit të anijeve, në vitin 2023 Kina ka pasur një rritje të përgjithshme në treguesit si përfundimi i ndërtimit të anijeve të reja dhe porositë e reja të anijeve. Zhvillimi i shpejtë i industrisë së ndërtimit të anijeve të Kinës është i pandashëm nga prodhimi inteligjent dhe i gjelbër. Robotët dhe punëtorët marrin pjesë në ndërtimin e anijeve, gjë që përmirëson shumë progresin dhe nivelin teknologjik të prodhimit. Me rimëkëmbjen e përgjithshme ekonomike dhe rritjen e industrisë globale të anijeve, industria e ndërtimit të anijeve e Kinës me siguri do të arrijë rritje të qëndrueshme.” (Çang Çuo)