Ekonomia shqiptare në 2023 dhe pritshmëritë për 2024
2024-01-10 10:04:58

Ekonomia shqiptare gjatë 2023 (Foto Syri)

Ekonomia shqiptare gjatë 2023 (Foto Syri)

Inflacioni mbetet sfidë edhe për këtë vit për ekonominë shqiptare, shprehen ekspertët e ekonomisë të cilët analizojnë situatën. Në një intervistë për mediat Deputetja e PS-së, Pranvera Resulaj, theksoi se ekonomia gjatë 2023 ka qenë e qëndrueshme.

“Ekonomia ka pasur një frymëmarrje. Çfarë dua të them me këtë? Ky mund të konsiderohet pa diskutim viti në të cilin pas disa goditjeve të njëpasnjëshme dhe duke filluar nga nëntori i 2019-ës nuk po i marr të gjitha goditjet me radhë që pasojnë edhe me një shok në ofertën agregate dhe në këputjen e zinxhirit të furnizimit. Sigurisht të gjithë këta nuk e kanë lejuar ekonominë të jetë në  normalitetin e saj dhe për herë të parë pas këtyre 3 apo 4 viteve të fundit mund të themi që ekonomia ka gjetur atë qetësinë apo paqen e vet e pacenuar dhe e pa dëmtuar nga goditjet e forta nga jashtë. Kemi shifra me tregues një ekonomi të qëndrueshme kemi një rritje ekonomike që kapërceu projeksionin edhe nga institucionet ndërkombëtare të parashikuara, është konsideruar ekonomia më e qëndrueshme në rajon.”

Në intervistën për ABC News Resulaj e sheh inflacionin në rrugën e duhur të stabilizimit.

Rritja ekonomike (Foto Alsat)

Rritja ekonomike (Foto Alsat)

“Kemi një stabilizim të normës së inflacionit, të mos harrojmë që kjo kapërceu mbi 8% në kulmin e rritjes së çmimeve dhe tashmë banka qendrore pretendon që në mesin e vitit 2024 ta çojë atë në objektivin e targetuar. Sigurisht që për qytetarët dhe publikun do të thotë që ka një ekonomi të qëndrueshme, ka një frymëmarrje dhe mund të shikojmë me qetësi dhe të diskutojmë se si po zhvillohet dhe si po ecin sektorët në veçantinë e tyre, duke i marrë sektorët në detaje dhe të shkëputur nga e tëra. Kjo ndoshta nuk kuptohet nga çdo individ dhe çdo qytetar, por nga një këndvështrim ekspertësh do të marrë vëmendjen dhe interesin e duhur. Më tepër mund të diskutojmë për rolin që ka pasur turizmi në këtë lloj qetësie apo paqeje që i dha rritjes ekonomike. Kaloi projeksionin e parashikuar duke shkuar në 3.8% dhe kjo nuk do të thotë që tregon qëndrueshmërinë apo pritshmërinë për sa i përket rritjes ekonomike, pasi të gjithë e dimë se për vende në zhvillim siç është Shqipëria duhet minimalisht që të ketë një rritje ekomomike të paktën 4%. “

Ekspertja e ekonomisë, Brunilda Isaj analizon luhatjet e kursit të këmbimit për vitin që lamë pas dhe pritshmëritë për vitin  2024.

Ekspertja Brunilda Isaj (Revista Monitor)

Ekspertja Brunilda Isaj (Revista Monitor)

“Unë do thoja që monedha jonë vendase me dinjitet ka kaluar një vit që ka reflektuar si pak kush e priste një mbiçmim të lekut në nivele shumë të larta. Kjo ka ardhur kryesisht nga dy faktorë kryesorë. Në radhë të parë është ekzistenca në nivele të larta të likuiditetit në euro që qarkullon në treg, e iniciuar nga shkëmbimet tregtare, nga rritja e turizmit nga rritja e remitancave, nga rritja e investimeve të huaja. Të gjitha janë faktorë që kanë kontribuar në rritjen e stokut të monedhës euro dhe të monedhave të tjera të huaja, të cilat ne e dimë që me rregull tregu sa më shumë likuiditet të kemi në një monedhë aq më shumë i bie vlera ose nënçmohet ajo monedhë. Në rastin tonë, përveç ekzistencës së niveleve të shtuara të likuiditetit në euro për këtë vit kishim edhe një rënie relativisht të likuiditetit në monedhën lekë, e cila ka ardhur kryesisht nga një sasi disi më e kufizuar e investimeve të pritshme apo shpenzimeve të pritshme qeveritare, krahasimisht me vitet e arta apo me pritshmëritë për këto 2 tre mujorë të fundit, por edhe një injektim i shtuar më i pakët në ekonomi për shkak edhe të normës së inflacionit e cila në politikat monetare duhet të normalizohet. Të dy këto kahe kanë ndikuar që raporti i euros me lekun kryesisht edhe i monedhave të huaja, sidomos euros me lekun të sjellë një nënçmim të euros në nivele mbi pritshmëritë”

Sipas ekspertes Isaj, euro gjatë vitit 2023 ka rënë me rreth 9 apo 9.1 %  dhe krahasimisht me vitin 2022 është një nënçmim i konsiderueshëm që ka pasur  efektet e veta në ekonomi.

“Ne e dimë shumë mirë  implikimet që kjo sjell për eksportuesit apo për ata qytetarë apo biznese që kanë të ardhurat në euro dhe gjithashtu edhe ka ndikuar pozitivisht në kahun tjetër që janë importuesit dhe ata që i kanë të ardhurat në lekë dhe shpenzimet e tyre në euro. Kur themi shpenzimet këstet e kredisë. “- tha Isaj.

Eksperti i çështjeve  ekonomike Gent Beqiri gjithashtu ndalet tek luhatjet e kursit të këmbimit ndërsa thekson se rritja ekonomike në vend gjatë vitit 2024 pritet që të arrijë nivelet e 4 %.

Eksperti Genti Beqiri (Ballkanweb)

Eksperti Genti Beqiri (Ballkanweb)

“ Një ekonomi si e Shqipërisë në të cilën nuk prodhohet dhe nuk eksportohet në ato nivele që të justifikojë patjetër këtë vlerësim të monedhës vendase. Ka edhe faktorë të tjerë që unë gjykoj që ka lidhje me informalitetin, me disa investime prioritare në disa sektorë kryesisht në sektorin e ndërtimit, apo edhe në sektorë të tjerë prodhimin e energjisë dhe kështu me radhë. Ka ndikuar në këtë zhvlerësim të monedhave të huaja, që është edhe një ndoshta mosdëshirë e Bankës së Shqipërisë për të mos ndërhyrë, duke pasur parasysh se një dobësim i monedhës euro, normalisht rivlerëson borxhin e huaj që ka vendi ndaj të tretëve. Këto patjetër që janë faktorë. Nuk gjykoj që patjetër turizmi dhe disa sektorë të tjerë kanë ndikuar pozitivisht në këtë frymë në aspektin e vlerësimit të monedhës vendase apo zhvlerësimit të euros, por nuk është i vetmi faktor. Patjetër që ka dhe është diçka më e gjerë në këtë aspekt për të arritur në një zhvlerësim të këtij niveli, që ka faktorët pozitivë dhe negativë në ekonomi me sektorë që janë prekur fort dhe sektorë që mund të ketë ndonjë lloj përfitimi. “- tha Beqiri.

Eksperti  Gent Beqiri theksoi se vëmendje duhet t’i kushtohet bujqësisë për të ulur inflacionin.