Historiani dhe biografi amerikan Kai Bird / foto nga "China Daily"
Historiani dhe biografi amerikan Kai Bird ishte së fundmi në Shangai për të promovuar edicionin kinez të “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer”.
Në gjashtë muajt e fundit, 72-vjeçari ka udhëtuar edhe në Itali e Britani për të diskutuar biografinë e tij të vitit 2005 të fizikanit teorik, i njohur gjithashtu si babai i bombës atomike.
Bird është bashkautor i librit me historianin e ndjerë Martin J. Sherwin, i cili e inicioi projektin e biografisë në vitin 1980 dhe kaloi 20 vite duke bërë kërkime dhe intervista. Ai më vonë e kuptoi se, pa ndihmë shtesë, nisma e tij do të mbetej një operacion i papërfunduar, kështu që e ftoi Bird t'i bashkohej për të shkruar librin në vitin 2000. Libri me 700 faqe ka në qendër histori nga jeta e Oppenheimer-it të ndërthurura me shkencën, Luftën e Dytë Botërore dhe politikën e Luftës së Ftohtë. Libri ka marr disa çmime, duke përfshirë atë “Pulitzer” në vitin 2006 për një biografi ose autobiografi.
Pavarësisht këtyre arritjeve, ai nuk ishte një bestseller deri vonë.
“Pulitzeri është një gjë e madhe dhe është shumë bukur ta fitosh atë çmim, pasi ndihmoi në shitjen e më shumë librave. Por megjithatë ai u shit në mënyrë modeste”,- tha Bird në një intervistë ekskluzive për “China Daily”.
“Ai nuk u fut kurrë në listën e bestsellerëve të “New York Times”, apo diku tjetër. Ai mbeti në shtyp. Isha disi i zhgënjyer që nuk arriti te më shumë lexues”,- tha ai.
Ndërsa ishte përzgjedhur gjithashtu shumë herë për një film, çdo përpjekje dështoi deri në përpjekjen më të fundit nga Christopher Nolan. Pas publikimit të filmit të Nolanit “Oppenheimer” në korrik, libri më në fund gjeti rrugën e tij në listën e bestsellerëve të “New York Times”. Në fakt, libri është ende atje sot, pesë muaj më vonë. Filmi treorësh është bërë gjithashtu filmi biografik më i suksesshëm ndonjëherë, arkëtimet e të cilit vetëm në dy muaj pas publikimit arritën në 913 milionë dollarë globalisht.
Bird pranon se nuk ishte plotësisht i përgatitur për suksesin e filmit. Madje, ai dyshonte nëse Hollywood ishte në gjendje të bënte një film të tillë.
Versioni kinez i librit / foto nga "China Daily"
“Para se të telefononte Nolan, ne kishim hequr dorë. Menduam se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Kjo histori është shumë e ndërlikuar”,- tha Bird.
Vetëm kur lexoi skenarin e Nolan-it, të cilin ai e përshkroi si brilant dhe një adaptim besnik të librit, Bird filloi të ndiente shpresë.
“Ai nxjerr në pah dy linjat kryesore të historisë - triumfin shkencor që Oppenheimer pati në ndërtimin e armës dhe tragjedinë që Oppenheimer u plagos tmerrësisht nga ajo që ndodhi në 1954”,- thotë Bird.
Në atë vit, Komisioni i Energjisë Atomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës hetoi Oppenheimer-in dhe i hoqi lejen e sigurisë. Por, biografi ishte ende skeptik se filmi do të ishte një hit për audiencën, duke përmendur se shumica e të rinjve amerikanë nuk kishin dëgjuar kurrë për Oppenheimer-in.
“Unë supozoj se shumica e kinezëve nuk kishin dëgjuar kurrë për të”,-thotë ai, duke shtuar: Pse brezi i ri do të shkonte për të parë një film për një shkencëtar të panjohur?
Siç doli, suksesi i filmit ka pasur një efekt zinxhir për librin. Në fakt, efekti ka qenë aq i theksuar sa që atëherë libri është botuar në më shumë gjuhë të huaja. Bird thekson se ndërsa biografitë hedhin dritë në jetën e një personi të caktuar, disa gjëra në libër janë subjektive dhe nuk përfaqësojnë të vërtetën absolute.
“Biografët duhet të jenë të parët që pranojnë se ajo që ata shkruajnë është subjektive. Është këndvështrimi i tyre për jetën e një personi. Motivimi ynë si biograf ishte të përdornim jetën e Oppenheimer-it për të përcjellë magjepsjen që kishim me jetën e tij personale dhe historinë më të gjerë të asaj që ai jetoi, si dhe për të adresuar disa nga pyetjet e mëdha si: Ishte bomba atomike e nevojshme për t'i dhënë fund luftës? Si mendojmë sot për armët bërthamore? A mund të jetojmë me bombën”?
Kai Bird (majtas) dhe Martin J. Sherwin pas fitimit të çmimit "Pulitzeri" / foto nga "China Daily"
Bird thotë se ai dhe Sherwin ranë dakord se ajo që e bën interesante historinë e Oppenheimer-it është se ai u gjykua dhe u shkatërrua në seancën e sigurisë në vitin 1954, pavarësisht arritjeve të tij.
“Ai ishte një intelektual i madh publik. Por, gjithsesi, ai nuk u ftua as edhe për fjalime në universitete”,- tha Bird, duke shtuar se është një tragjedi që ka jehonë edhe sot, sepse po jetojmë “një moment tjetër Oppenheimer” kur kemi të bëjmë me inteligjencën artificiale, një e re, e paeksploruar në territorin e shkencës dhe teknologjisë.
“Ne kemi nevojë për shkencëtarë për të shpjeguar disa nga zgjedhjet për të cilat duhet të mendojmë, por ne nuk kemi më heronj shkencorë.
Rreth 70 apo 80 vjet më parë, ne i nderonim shkencëtarët, nderonim Albert Ajnshtajnin. Për njëfarë kohe, ne nderuam Oppenheimer-in. Ne i respektuam ata. Ne i dëgjuam ata. Por, sot, nuk mendoj se kemi dikë të tillë. Mendoj se një nga arsyet është se në vitin 1954, ne shkatërruam Oppenheimer-in në seancën sekrete dhe kjo u dërgoi një mesazh shkencëtarëve, duke i paralajmëruar ata mos të dilnin nga korsia e ngushtë e ekspertizës dhe të pretendonin se mund të bëheshin intelektualë publikë. Kjo është një nga arsyet pse libri dhe filmi kanë goditur te njerëzit. Ne kemi nevojë për më shumë Oppenheimerë”,- tha Bird.