"Libri, miku më i mirë”, në Lushnje ndahen certifikata për lexuesit
2024-01-09 09:55:07

Kryetare e Bashkisë Lushnje Eriselda Sefa & Gilberta Simoni  (Foto nga instagrami i bibliotekës Lushnje)

Fundviti solli në bibliotekën e qytetit të Lushnjes  veprimtarinë "Libri, miku më i mirë".Të ftuar ishin grupmosha të ndryshme që e frekuentojnë bibliotekën. E pranishme ishte dhe Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes Eriselda Sefa. Në fillim të këtij aktiviteti u bë prezantimi i historikut të bibliotekës së këtij qyteti. Gjithashtu u ndanë certifikata dhe dhurata simbolike për lexuesit më të mirë të vitit, që nga mosha e tretë dhe deri tek lexuesit e rinj. Kryetarja e Bashkisë Sefa, në fund të takimit falenderoi stafin e bibliotekës, për punën e mirë që kanë bërë.

Ndër të tjera Eriselda Sefa, u shpreh për të pranishmit: “Jam shumë e lumtur që në këtë bibliotekë të realizojmë, atë që dëshironim që unë dhe stafi im, të krijonim jo vetëm kushte infrastrukturore për të gjithë lexuesit e bashkisë sonë, por edhe ta bënim një ambjent të ngrohtë, që të gjitha moshat të ndjehen mirë, kur vijnë të shfletojnë librin, fondin arkivor, por edhe për të marrë sa më shumë informacione. Gjatë vitit 2023 bashkia ka realizuar shumë projekte, por ato që mua më emocionojnë dhe më bëjnë që të ndjehem krenare për gjithë stafin tim, është kjo bibliotekë, ku bashkë me qendrën rinore, janë dy investimet që kanë pasur impaktin më të madh tek të gjithë qytetarët”

Ndërsa një ndër lexueset më të mira të librit për vitet 2022-2023, që u vlerësua edhe me certifikatë është edhe Gilberta Simoni, mësuese dhe gazetare. Në intervistë për Radio Ejani, ajo flet për vlerësimin në këtë aktivitet.  

Gilberta Simoni me nxënëset e saj në aktivitetin e mbajtur në bibliotekë (Foto nga instagrami i bibliotekës Lushnje)

CMG: Me rastin e  festave të fundvitit në qytetin e Lushnjes u mbajt në bibliotekën e qytetit aktiviteti “Miku më i mirë i librit”, ku Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes Eriselda Sefa, ju dhuroi një certifikatë vlerësimi, si një ndër lexueset më të mira të vitit 2022-2023. Si erdhi tek ty ky vlerësim?

Gilberta Simoni: Më kapi në befasi çmimi, por edhe më kënaqi. Unë në bibliotekën e Lushnjes shkoj shpesh, kam shkuar tek biblioteka e vjetër, tani vijoj të shkoj edhe tek biblioteka e re. Përveç bibliotekës  personale që kam në shtëpi, shpeshherë marr libra në biblitekën e qytetit tim dhe i rikthej sepse nuk mund t’i kemi në shtëpi librat e të gjithë autorëve, prandaj ekzistojnë edhe bibliotekat e qyteteve. Biblioteka e Lushnjes është shumë e gjerë me shumë autorë sepse aty kanë dhuruar libra të ndryshëm, për ta bërë shumë të pasur atë bibliotekë. U kënaqa që përveç meje, në aktivitet kishte edhe lexues të rinj, ku edhe disa prej tyre u vlerësuan me certifikata. Kjo tregon se kjo traditë e leximit nuk mbaron vetëm tek mosha ime, por vazhdon edhe tek moshat më të reja dhe kjo është një sfidë që u hapet moshave më të reja sepse ata janë shumë të përfshirë në teknologji, kanë lënë mënjanë librat. Për këtë arsye, për t’ju ardhur edhe më afër, është hapur edhe biblioteka digjitale, por e gjitha ka të bëjë me dëshirën për të lexuar.

CMG: Cili është mesazhi yt si lexuese, si mësuese dhe si gazetare?

Gilberta Simoni: Unë kam filluar të lexoj që kur kam qenë tre vjeçe. Ma kanë edukuar prindërit dëshirën për të lexuar dhe ata vazhdojnë edhe sot të jenë të apasionuar pas librave. Ndërtuan bibliotekën e tyre, më pas e pasurova unë me librat që i shtova. Unë vijoj të lexoj, momentalisht kam në dorë librin “Njeriu që qesh” nga Viktor Hygo. Leximi vazhdon, nuk ndalon, të shoqëron gjithë jetën, të ndërton karakterin, të hap horizonte të reja, të pasuron fjalorin, të bën të aftë që në debate të ndryshme që t’i përballosh, gjithashtu unë mendoj se leximi të bën edhe të bukur. Si mësuese ua këshilloj nxënësve, të rinjve, fëmijëve duke cituar edhe një thënie të një shkrimtari amerikan; “Përpara se të flasësh, mendo dhe përpara se të mendosh, lexo”. Nëse ata duan të ecin përpara në jetë, atëherë duhet të hapin librat dhe të lexojnë. Ndërsa si gazetare, mund të them se në fushën e gazetarisë nuk mund të ecësh përpara nëse nuk ke njohuri për shumë fusha të tjera, sepse nëse do të jesh një gazetar i kompletuar, një gazetar i cili ecën me kohën duhet gjithashtu edhe të lexojë.  

Foto nga instagrami i bibliotekës Lushnje

"Libri, miku më i mirë” është aktiviteti që u organizua me rastin e festave të dhjetorit në ambientet e bibliotekës së qytetit të Lushnjes. Por cili është historiku i kësaj biblioteke?

Përpjekjet e para për ngritjen e bibliotekës në qytetin e Lushnjës datojnë në fund të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Në atë kohë anëtarët e Shoqënisë Artistike-Letrare-Sportive ‘Kongresi i Lushnjes’ shprehën mendimin për ngritjen e një biblioteke në qendër të qytetit.

 Në fillim ideja ishte e mirë, por për t’u realizuar duheshin fonde, të cilat nuk ishin dhe gjetja e librave ishte një  tjetër sfidë. Librat e shkruar në gjuhën shqipe në qytetin e Lushnjes kanë qarkulluar dorazi dhe pjesa më e madhe e tyre, vinte nga biblioteka e Manastirit të Ardenicës, e cila ishte në funksion që nga fillimi i shekullit të 18-të. Pas shumë përpjekjesh më 30 maj të vitit 1946 u bë e mundur hapja e bibliotekës dhe sigurimi i librave u bë në mënyrë vullnetare. Midis  atyre që dhuruan libra ishte dhe mësuesi atdhetar Esat Libohova, i cili librat e shumtë personalë ia dhuroi bibliotekës së qytetit. Ky gjest i tij u shoqërua edhe me të tjera dhurime, duke plotësuar kështu nevojën kryesore për libra.

Biblioteka zinte vetëm një dhomë në ndërtesën e ish Nënprefekturës në katin e dytë të saj. Kjo bibliotekë qëndroi aty deri në vitin 1971, për t’u zhvendosur në një ndërtesë tjetër në katin e parë të pallatit 5 katësh të ish-kinema “Liria”, në mjediset e ish Klubi Sportiv “Traktori'” deri në vitin 2005. Ndërsa në vitin 2006 biblioteka u vendos përfundimisht në katin e dytë të Muzeut Historik të qytetit, vend në të cilin ndodhet edhe sot. Në fondin e tanishëm veç letërsisë shqiptare e asaj të huaj, biblioteka shërben me fjalorë të shumëllojshëm dhe në disa gjuhë dhe koleksiones gazetash mbi 60 vjeçare. Biblioteka publike në fondin e saj ruan dy atlase në gjuhën ruse të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Biblioteka ka ndërtuar marrëdhënie të ndërsjella me autorë, botues dhe institucione brenda e jashtë vendit. Fondi i librit të dhuruar dhe të blerë shtohet në vijimësi. Aty mund të gjesh literaturë nga Kuvendi i Shqipërisë, Banka Kombëtare, OSBE, UNICEF etj.

Intervistoi: Sava Lena