Ambra Hysa, shkrimtarja nga Shkodra kurorëzon dashurinë
2024-01-09 10:01:03

Ambra Hysa është një shkrimtare e re në moshë me një pasion të madh për leximin dhe shkrimin. Ajo ka publikuar disa libra, të cilët janë pritur mjaft mire dhe rrethohet nga dashamirës që i kanë lexuar dhe vlerësuar. Ambra që e vogel ka dëshiruar një dasmë si në historitë e filmave apo përrallave me të cilat është rritur.

Për Radio Ejani ajo ka ndarë të gjitha emocionet që dasma e saj i ka lënë si kujtimi më i bukur i saj .

CMG: Ambra a ishte dasma juaj momenti më i bukur i jetës?

Ambra Hysa: Dasma është një institucion më vete dhe patjeter që unë ndieja peshë kur morëm vendimin që ta kurorëzonim dashurinë tonë. Ishim sa të emocionuar,  aq edhe përgjegjës për çdo vendim që kemi marrë apo si e kemi trajtuar të gjithë ceremoninë. Ka qenë momenti më i bukur dhe më shpirtëror për mua . Dasma ishte momenti më i vërtetë që ne përjetuam së bashku.

CMG: A mund të na rrëfesh historinë e njohjes me bashkëshortin?

Ambra Hysa: Është një nga rrëfimet që e bëj me tepër dëshirë. Unë guxoj të them që ai është njeriu më i përsosur që njoh. Gjithmonë ka qenë ashtu . Fillimisht ne kemi qenë shokë shumë të mire dhe ai përpiqej të më shikonte në dritën e syrit për çdo gjë, të më ndihmonte deri sa në një moment mes nesh lindi diçka. Në fakt ka qenë emocion i cili kishte lindur prej kohësh, por ne hezitonim t'ia pranonim vetes, na pëlqente ideja të ishim thjesht shokë deri në momentin që po kaloheshin limitet e një shoqërie. Ne kemi qenë për njëri- tjetrin force, shpresë dhe motiv.

CMG: Çfarë e mban një marrëdhënie në çift të shëndetshme?

Ambra Hysa: Një marrëdhënie është e shëndetshme kur të dy njerëzit janë të mirëorganizuar dhe çdo gjë rreth tyre merr zbehje përballë partnerit, i cili padiskutim është prioriteti kryesor. Dy njerëz duhet të jenë të butë për të mirëkuptuar njëri-tjetrin dhe për ta mbajtur atë fort në rrugëtimin e jetës dhe të një marrëdhënieje. Nga aspekti personal, partneri im më ka bërë gjithmonë që të ndihem si një vlerë e artë për të. Më ka suportuar, ka nxjerrë tek unë versionin më të mirë dhe jemi sot në një marrëdhënie të shëndetshme, e cila ushqehet çdo ditë nga dashuria.

CMG: A kishte emocione kur ti veshe vellon e bardhë?

Ambra Hysa: Kisha shumë emocion, por e kisha ëndërruar dhe nuk i dhashë shansin emocioneve që të më mposhtnin apo hutonin. Isha e vetëdijshme që ajo natë do ishte me një ngarkesë të lartë emocionale, por e përballova me sukses .

CMG: A je ti një njeri që dëshiron të shkojë çdo gjë sipas parashikimeve, apo i lë gjërat të rrjedhin vetë ?

Ambra Hysa: Unë as që e mendoj dot që gjërat t’i lë të rrjedhin natyrshëm. Në dasmën time unë isha nuse dhe organizator njëkohësisht sepse kam një tentativë për të pasur në kontroll çdo gjë dhe nuk mund t'i lija gjërat në momentin e fundit .

CMG: Cili ishte momenti më i vështirë në dasmë ?

Ambra Hysa: Unë kam përgatitur çdo gjë vetë dhe nëse do cilësoja një moment të vështirë është fakti që isha atje me organizimin deri në momentin që u vesha si nuse. Por momenti më i sikletshëm ishte fakti që dasma u realizua në qiell të hapur dhe kisha tërë kohës sikletin mos ndoshta do të bjerë shi. Por, unë e cilësoj si një moment të bekuar të jetës sime, i cili erdhi në kohën e duhur dhe momentin më të realizuar të jetës sime .

CMG:  Ju keni thënë që historinë tuaj të dashurisë dhe dasmës do e shkruani në një libër ?

Ambra Hysa: Po sepse mora aq shumë dashuri dhe vëmendje dhe plotësova një ëndërr aq të hershme saqë mendoj se kam çfarë të shkruaj për ne. Në çdo libër që kam nxjerrë jam përpjekur që të fus nga pak veten, ndërsa tani mendoj se është momenti që njerëzit të dinë vërtet një histori të bukur dashurie e cila u kurorëzua. Ky libër do t'i dedikohet bashkëshortit tim dhe do të titullohet “ Një dekadë dashurie”.

Është atmosfera dhe mënyra sesi jam ndjerë, ajo ishte nata më e bukur e jetës tonë, zemra më gufonte nga lumturia, kam ndjerë dehjen e lumturisë. Gjithçka ishte magjike, siç kam ëndërruar…Nën qiellin plot me yje, nën dritën e hënës, mes trëndafilave të bardhë, pamjen madhështore e cila përqafohet aq ëmbëlsisht nga natyra…liqeni dhe perëndimi gjatë fillimit të ceremonisë dhe muzika në sfond. Romantike, ashtu siç jam edhe unë.

Do të mbaj mend gjithmonë si jam ndjerë, unë isha një nuse që po e realizoja dasmën në shtëpinë time, edhe pse një shtëpi biznesi…ajo mbetet shtëpia ime dhe ndjesia ishte e bukur, më kthente pas në kohë, por më jepte edhe shumë siguri. Kam menaxhuar çdo detaj të dasmës time, por bashkë me bashkëshortin e kemi shijuar shumë dhe kemi kurorëzuar dashurinë tonë 10 vjeçare. Ne jemi rrituar bashkë dhe dashuria jonë është një nga ato historitë që frymëzojnë për të shkruar një libër…

CMG: Çfarë vlerëson më tepër në jetë ?

Ambra Hysa: Diellin që na ngroh çdo ditë !

Intervistoi Megi Latifi