Pekin, zhvillohet aktiviteti i shkëmbimeve në pingpong mes të rinjve kinezë dhe amerikanë
2024-01-09 13:09:05


Foto nga Shoqata për Miqësinë me Vendet e Huaja  e Pekinit

Me rastin e 45-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe ShBA-së, Shoqata për Miqësinë me Vendet e Huaja  e Pekinit ftoi një delegacion prej 18 vetash nga Virxhinia e ShBA-së për të vizituar kryeqytetin kinez nga 4 deri më 8 janar, duke zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Sporteve të Pekinit aktivitetin e shkëmbimeve në pingpong mes të rinjve kinezë dhe amerikanë. Ky aktivitet ishte me temë“Ecim përsëri në rrugën e pingpongut drejt së ardhmes".

Të shtunën, në pallatin e sportit të Universitetit Tsinghua, dashamirësit e pingpongut nga Universiteti i Virxhinias dhe Universiteti Tsinghua organizuan një ndeshje miqësore emocionuese.

Zv.sekretari i përgjithshëm i Shoqatës për Miqësinë me Vendet e Huaja të Pekinit, Zhi Jianjun, u shpreh se "diplomacia e pingpongut ndërmjet Kinës e ShBA-së" ishte preludi i normalizimit të marrëdhënieve kino-amerikane. Sipas tij, ky aktivitet shkëmbimesh mes të rinjve kinezë dhe amerikanë synonte të përdorte edhe një herë pingpongun si një mjet për t'i bërë homazh historisë, për të vazhduar miqësinë, për të ndërtuar një platformë për të rinjtë e të dy vendeve për t'u njohur me njëri-tjetrin dhe për të ofruar energjinë e popujve dhe gjallërinë e të rinjve në zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve kino-amerikane.

Foto nga Shoqata për Miqësinë me Vendet e Huaja  e Pekinit

Zv.drejtori administrativ i Çështjeve Globale i Universitetit të Virxhinias Stephen D. Mull shprehu kënaqësinë që drejtoi këtë delegacion që vizitoi Kinën:

“Kur po mendoja se si të sillja sa më shumë studentë amerikanë në Kinë, m'u kujtua 'diplomacia e pingpongut' në historinë diplomatike, e cila është historia e vizitës së ekipit amerikan të pingpongut në Kinë më 1971. I pyeta miqtë tanë kinezë nëse mund të sillnim një ekip tjetër pingpongu për të vizituar Kinën dhe ata ranë dakord me shumë entuziazëm. Kështu që ne erdhëm këtu jo vetëm për të luajtur pingpong, por edhe për të mbajtur disa kurse për historinë dhe kulturën kineze. Ne mund t'i zgjidhim çështjet midis ShBA-së dhe Kinës nëpërmjet bashkëpunimit."

Një studente në vitin e 4-t nga Universiteti i Virxhinias, Mage, tha se ka studiuar për 10 vjet gjuhën kineze dhe kjo është hera e 4-t që viziton Kinën. Ajo u shpreh që i pëlqen të luajë pingpong dhe shpreson të mësojë gjuhën kineze e të shkëmbejë mendime mbi teknikat e pingpongut me studentët e Universitetit Tsinghua.

“Jam shumë e kënaqur që pata këtë rast. Mendoj se niveli im në pingpong nuk është i lartë, prandaj jam pak në tension, por shpresoj të ruaj lidhjet me studentët e Universitetit Tsinhua, sepse ata mund të më ndihmojnë të ngre aftësinë time. Mendoj se pingpongu mund të ndihmojë në përmirësimin e marrdhënieve tona. Kemi parë që pingpongu ndihmoi në promovimin e marrëdhënieve kino-amerikane në 1971, kështu që shpresoj se mund të ndihmojë në promovimin e marrëdhënieve kino-amerikane edhe sot. Mendoj se komunikimi është shumë i rëndësishëm. Unë e njoh më mirë kulturën kineze dhe shokët e mi të Universitetit Tsinghua mund ta njohin më mirë kulturën amerikane, kështu që mendoj se kjo do të na ndihmojë të komunikojmë,”vuri në dukje ajo.

Foto nga Shoqata për Miqësinë me Vendet e Huaja  e Pekinit

Studenti i vitit të 4-t në Universitetin Tsinhua, Yu Hongbo, tha se në vitin 1971 delegacioni amerikan i pingpongut vizitoi Universitetin Tsinghua dhe zhvilloi një ndeshje miqësore. Brezi i ri i sotëm duhet të trashëgojë frymën e "diplomacisë së pingpongut" dhe të promovojë shkëmbimet e vazhdueshme miqësore ndërmjet popujve të të dy vendeve.

"Këtë herë formuam ekipe dyshe të përzier me studentët nga Universiteti i Virxhinias për të komunikuar dhe luajtur pingpong së bashku. Mendoj se është gjithashtu një gjë shumë kuptimplotë dhe e lumtur. Me ndihmën e sportit, ne mund të afrohemi më shumë dhe mund të  shkëmbejmë mendimet tona me njëri-tjetrin e dashurinë tonë për sportin. Gjatë pushimeve ndërmjet lojërave, ne biseduam edhe për shumë aspekte të tjera, duke përfshirë pasionet e njëri-tjetrit, situatat e studimit të përditshëm etj. Me këtë aktivitet ne mund të kuptojmë më mirë mendimet e miqve të rinj amerikanë dhe të vendosim njëfarë themeli për shkëmbimet dhe bashkëpunimin më të mirë në të ardhmen," u shpreh ai.

Foto nga Shoqata për Miqësinë me Vendet e Huaja  e Pekini

Zv.drejtori administrativ i Çështjeve Globale i Universitetit të Virxhinias Stephen D. Mull shpreson se ky aktivitet do të japë kontribut për nxitjen e miqësisë mes popullit kinez dhe popullit amerikan.

"Marrëdhëniet kino-amerikane janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe. Duhet të punojmë së bashku me qëndrim miqësor e konstruktiv për të zgjidhur problemet dhe duhet të shtohen kontaktet mes popujve. Shpresojmë se kontributi ynë mund të ndihmojë në nxitjen e këtij procesi. Jam shumë i kënaqur që e filluam këtë proces këtu dhe studentët do ta mbajnë mend gjithmonë këtë," tha ai.