Interkoneksioni Shqipëri-Maqedoni e Veriut bashkon tregjet energjitikë në rajon
2024-01-09 09:42:45

Energjetika (Foto Shqiptarja.com)

Energjetika (Foto Shqiptarja.com)

Me 20 dhjetor të vitit të kaluar  ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inaguroi në Elbasan nisjen e ndërtimit të linjës së interkoneksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Linja përfaqëson një projekt tejet të rëndësishëm për sistemin elektroenergjetik të Shqipërisë dhe atë rajonal. Punimet dhe veprat e artit të kësaj linje përfshijnë si Shqipërinë, ashtu dhe Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri, projekti do të realizojë:

• Ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV midis Elbasanit dhe Qafë – Thanës
• Ndërtimin e linjës së transmetimit 400 kV ndërmjet Elbasanit dhe Fierit.
• Ndërtimin e nënstacionit 400 kV Elbasan 3.
• Zgjerimin dhe përforcimin e nënstacionit Fier.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto Faxweb)

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto Faxweb)

Sistemet energjetike të të dy vendeve nuk kanë qenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë deri më sot. Për rrjedhojë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, edhe pse me nevoja të mëdha, nuk kanë mundur të kenë shkëmbim të energjisë elektrike.

Ky projekt shënon një etapë të re për të dy kompanitë shtetërore të transmetimit të energjisë, OST në Shqipëri dhe MEPSO në Maqedoninë e Veriut, pasi po hyjnë në një proces që jo vetëm do të lidhë të dy sistemet, por do t’i hapë rrugë edhe bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe më tej me vendet e BE-së.

Projekti në Shqipëri do të kushtojë 70 milionë euro, me një financim prej 55 milionë euro nga banka shtetërore gjermane e zhvillimit  KFW. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, i pranishëm në ceremoninë e nisjes së ndërtimit të linjës, u shpreh se ky projekt do të ndikojë edhe në punësim dhe se kjo linjë transmetimi është në përputhje me objektivat e BE, për mbrojtjen e mjedisit.

ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku theksoi në nisjen e punimeve se:

“Këtu ndodhemi në Korridorin e VIII-të, i cili  ka disa kompontentë. Korridori i VIII-të është një korridor energjitik, hekurudhor, korridori i sigurisë evopriane, pasi lidh Detin Mesdhe me Detin e Zi. Shqipëria është një nga hallkat më të rëndësishme të këtij Korridori. Kjo linjë interkonjeksioni 400 kilovolt(kV), i shton kapacitetet tona transmetuese me 1500 megavat/orë, duke na dhënë komoditet të jashtëzakonshëm për ato që do të kemi në të ardhmen. Të gjitha këto kapacitete kanë nevojë për kapacitete transmetuese. Nga burimet në të cilat ne prodhojmë, kemi nevojë për linjat e transmetimit, që të kalojmë në linjat e shpërndarjes.

Linja e interkoneksionit Shqipëri-RMV( Foto Faktoje.al)

Linja e interkoneksionit Shqipëri-RMV( Foto Faktoje.al)

Shqipëria është në ditën më të mirë sa i takon projekteve energjitike. Vetëm pak ditë më parë, na u aprovua 10 milionë euro për ndërtimin e një parku fotovoltaik. Bëhet fjalë për Parkun Fotovoltaik të Belshit prej 50 Megavat”.

Linja e interkonjeksionit 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, ndërtimi i së cilës nisi konkretisht në Elbasan më 20 dhjetor 2023, linjë e quajtur ndryshe si “Via Egnatia në energjine elektrike”, është pjesë e Korridorit të VIII-të, si infrastrukturë themelore ndërkufitare energjitike.

Përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga kjo linjë transmetimi do të jenë të mëdha. Ajo do t’i mundësojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të shkëmbyer energji, në tregjet përkatëse. Shqipëria mund të shesë tepricën e saj energjitike drejt Maqedonisë së Veriut dhe partnerëve të tjerë në rajon, ç’ka përfaqëson burim shtesë të ardhurash.

Linja është gjithashtu peësë e korridorit trans-evropian të energjisë elektrike, pasi do të ofrojë lidhjen mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, drejt Italisë. Duke qenë pjesë e infrastrukturës për Korridorin e 8-të Evropian, ky projekt do të krijojë mundësi shumë të mira për lidhjen me rrjetin italian, përmes linjave nënujore.

Kjo linjë e re transmetimi, së bashku me nënstacionet e Elbasanit dhe Fierit, do të bëjë të mundur transmetimin e energjisë së rinovueshme, brenda për brenda Shqipërisë por edhe përtej kufijve të saj.

Nga takimi për linjën e interkoneksionit (Foto Gazeta Dita)

Nga takimi për linjën e interkoneksionit (Foto Gazeta Dita)

Me vënien në operim të linjës 400kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, do të plotësohet një ndër objektivat kryesorë të qeverisë së Shqipërisë, që është shndërrimi i vendit në një vend eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030.

Fatos Çoçoli