Një vit i ri kalendarik, në raport me librin nuk është as më shumë e as më pak se një rikujtesë për botimet apo autorët e tyre. Viti 2023 në letërsinë shqipe u shoqërua me botime të librave fiksion, historikë, apo rrëfime joletrare. Një numër i madh shtëpish botuese në vend janë në garë për të sjellë autorët më të mirë dhe për të shkuar sa më shpejt pranë lexuesit. Çdo vit organzohen panaire, biseda promovuese, aktivitete të ndryshme për librin. Kjo ndodhi edhe gjatë vitit 2023. E tani, ndërsa kemi hyrë në një vit të ri, ne do ju rikujtojmë botimet më të mira, më të vlerësuara dhe të shitura të botimeve shqipe.
Foto Shtepia e Librit
“Një ëngjëll veshë me frak” nga Stefan Çapaliku
“Një engjëll veshë me frak” është botuar nga Shtëpia Botuese Gjergj Fishta dhe së fundmi mori edhe vlerësimin si romani më i mirë për vitin 2022. Në qendër të romanit është figura e kompozitorit shkodran Prenk Jakova, i cili në roman ka emrin Pol Gjakova. Në 192 faqet e tij romani merret eskluzivisht me fatin e një muzikanti dhe kompozitori, duke rrëmuar në jetën private dhe profesionale të tij. E gjithë ngjarja tregohet nga bashkëkohësit dhe bashkëpjestarët në ngjarje. Figura e Pol Gjakovës, e parë nga prespektivat e të tjerëve, shndërrohet në strumbullarin e atmosferës së Shkodrës së viteve ’50, që duket se po jep shpirt. Ai ka shkruar operan e parë shqiptare dhe e ka vënë në skenën e qytetit të tij me një trupë amatore. Kompozitori është një personazh që josh. Tek ai gërshetohet një botë e jashtëzakonshme artistike me një personalitet tejet origjinal njerëzor dhe me një histori jete tronditëse.
Foto Shtepia e Librit
“Apostulli” nga Ilir Ikonomi
Apostulli është libri i parë i një biografie të re për Fan Nolin. Në këtë vëllim prej 430 faqesh, botim i UET Press, Ikonomi na jep një përshkrim realist dhe me ngjyra të gjalla të Fan Stilian Nolit, në periudhën që fillon me arritjen e tij në Amerikë në vitin 1906 dhe mbaron në vitin 1920, kur ai u largua për në Shqipëri. Si personazh i shumanshëm, autorit i është dashur të shkrijë në libër një material biografik që ngërthen disa fusha njëherazi. Jeta e Nolit jepet e lidhur ngushtë me sfondin historik të Shqipërisë. Lexuesi ka rast të krijojë një ide të mirë se nëpër çfarë ndryshimesh po kalonin fatet e vendit në atë periudhë tronditjesh gjeopolitike që përjetonte Ballkani.
Foto Shtepia e Librit
“Komploti” nga Ben Blushi
Ben Blushi vjen para lexuesit me nje tjeter roman futurist distopik: Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Romani përshkruhet nga konspiracion dhe situata të pazakonta, ndërsa fundi i tij është befasues dhe i paimagjinueshëm për të gjithë.
Foto Shtepia e Librit
“Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar”, Pëllumb Xhufi
Ky libër historik i historianit Pëllumb Xhufi prezanton një pamje të gjysmës së dytë të shek. XVII. Përmes fakteve, dokumentave dhe analizave të hollësishme, historiani prezanton një tablo të zymtë të Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare. Bëhet fjalë për kohën kur ishte mbyllur periudha e kryengritjeve antiosmane, që për dy shekuj i veçoi shqiptarët si protagonistë mes popujve të tjerë të Ballkanit, por ishin komprometuar rëndë marrëdhëniet me fuqitë e Perëndimit, në radhë të parë me Venedikun, që i kishte nxitur e i kishte përdorur kryengritjet e tyre për të përfunduar paqe të leverdisshme me Portën e Lartë, duke i lënë kryengritësit vetëm përballë hakmarrjes osmane. Gjithashtu, shqiptarët ndiheshin të braktisur edhe nga paria e vendit.
Libri i karakterit historik është një botim i Diturisë dhe ka 366 faqe.
“Takimet e mia me…”, Blendi Fevziu
Personazhe me peshë në jetën e popullit tonë, që i ka njohur gjatë punës dhe ka biseduar me ta, përbëjnë fokusin e librit të gazetarit Blendi Fevziu. Në këtë libër ai bisedon me ta dhe depërton në sekretet më të thella të vendimeve që kanë shenjuar historinë. Ky libër është një homazh për ta, sa ç’është edhe një kontribut për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për historinë e vendit të tyre, për shoqërinë, për personazhet që e dominuan jetën e qytetit në kohë e forma të ndryshme dhe që tani kanë hapur rrugën për një udhëtim të ri. Shumica e personazheve nuk jetojnë më. Një pjesë tjetër janë tërhequr me kohë nga jeta aktive. Ka të tjerë që janë ende në kulmet e karrierës dhe fuqisë së tyre politike. Libri është një botim i UET PRESS dhe ka 376 faqe.
Foto Bukinist
“Frashër i shquar, i panjohur”, Thomas Frashëri
Në këtë libër vjen historia e një prej familjeve më të shquara të historisë së Shqipërisë, por njëherësh e njohur edhe në Perandorinë Osmane, – shkruar nga Thomas Frashëri, – me fakte që dalin për herë të parë para publikut. Nuk është thjesht një histori familjare…Ky botim është përgatitur me një cilësi të lartë nga shtëpia botuese Onufri dhe ka 870 faqe.
“Parisi vret” nga Mira Meksi
Libri rrëfen gjarje dhe aventura të pabesueshme dashurore dhe ezoterike, duke krijuar një thriller të jashtëza- konshëm magjik që merr jetë në faqet e këtij romani të shkruar mjeshtërisht nga Mira Meksi. Romani është botuar nga Onufri dhe ka 200 faqe. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1990 dhe kanë në qendër shkrimtarin e njohur Martin Gjergji, i cili merr një ftesë të papritur dhe plot mister nga Ministria e Jashtme e Francës. Ndërkohë, një nga vajzat më të bukura dhe më interesante të kryeqytetit shqiptar dërgohet inkonjito nga policia e fshehtë e Tiranës në Paris, me një mision delikat që lidhet me Martin Gjergjin. Por romani ka edhe një linjë tjetër: letra që papa Paulus Secundus i dërgon Skënderbeut më 1468 është e kyçur me “kodin djallëzor” dhe pret të deshifrohet nga një kriptolog i famshëm. Të gjitha këto ngjarje e bëjnë romanin e Mira Meksit, tejet interesant.
“Vito”nga Bashkim Hoxha
Është një roman për jetën, një roman që denoncon absurdin e shoqërisë dhe që vjen nga shkrimtari dhe gazetari Bashkim Hoxha. Në librin e tij të fundit Bashkim Hoxha sjell shumë aspekte nga realiteti i trishtë shqiptar, i kontrasteve të thella që ekzistojnë në zonat e largëta, të marrëdhënieve të shtetit me individin, të marrëdhënieve njerëzore mes banorëve të një komuniteti. Në qendër të romanit është një vajtojëse me emrin Vito, e cila duhet të qajë të vdekurit, por njëkohësisht i bën jehonë jetës. Romani është botuar nga Onufri dhe ka 143 faqe.
“Rrethimi” nga Tom Kuka
Është Lufta e Parë Ballkanike, malazezët kanë rrethuar Shkodrën, kurse serbët kanë pushtuar tokat nga fusha e Zadrimës deri në Portin e Shëngjinit. Një qytet i tërë është zënë në grackë. Kush është brenda rrethimit, jeton nën rrebeshin e bombardimeve, të zisë së urisë dhe ngricës. Personazhi kryesor në roman është Kolë Laca i cili me aparatin e tij fotografik duhet të fotografojë këtë gjëmë. Aparati i tij nuk përjetëson vetëm kronikën e qytetit, por edhe fatin e tij.
Libri është botuar nga Pegi dhe ka 206 faqe.
Neritana Kraja