Gentian Alimadhi jeton prej 30 vitesh në Itali dhe ushtron profesionin e avokatit prej gati dy dekadash në Parma. Ai si shumë shqiptarë të tjerë ka mbërritur si emigrant klandestin me anije në Itali. I lindur në Fier, Gentiani shkoi në Itali me një nga anijet që zbarkuan në Puglia në vitin 1993. Aty është diplomuar më pas si avokat si dhe ka pasur eksperiencat e tij të para profesionale. Vitet e tij të para në Itali ishin të vështira, ku ditën punonte në fabrikë, ndërsa natën studionte për t’u diplomuar si avokat. Gentiani njihet edhe si animatori i parë i komunitetit shqiptar në Parma, si president i shoqatës “Skënderbeu”, që mori në vitin 2011-të çmimin “Sant’Ilario”, ndër çmimet më të larta të këtij qyteti. Në një intervistë për Radio Ejani Alimadhi tregon për sfidat si emigrant klandestin në Itali, studimet për drejtësi në Universitetin e Parmës dhe punë e tij si avokat.
CMG: Kur je larguar nga Shqipëria dhe si u integrove me jetën në Itali?
Gentian Alimadhi: Nuk ka qenë i thejshtë integrimi si për çdo shqiptar. Unë kam ardhur në Itali në maj të vitit 1993, kur braktisa Universitetin e Tiranës teksa studioja për inxhinieri ndërtimi me shpresën që të kaloja në arkitekturë, por nuk ishte e lehtë sepse isha në dilemë për të lënë shkollën në Shqipëri dhe për të ardhur në Itali. Ndërkohë që vëllai im i madh kishte ardhë në Itali me anijet e vitit 1991. Prindërit nuk donin të më linin dhe më thonin të rrija në Shqipëri sepse isha djali i pleqërisë. Unë me lejen e qëndrimit të vëllait, ku i ndërrova fotografinë dhe me permeson e vëllait kam ndenjur 6-7 muaj në dilemë, duke pyetur miqtë dhe të afërmit sesi duhej të veproja. Disa prej tyre më thanë të rrija dhe të zbuloja dhe unë të panjohurën, ku erdha si klandestin në Itali.
CMG: Sa i vështirë ka qenë punësimi në shtetin italian?
Gentian Alimadhi: Unë kam pasur fatin të gjeja punë shumë shpejt. Shumë pak ditë kam qëndruar pa punë, sepse dy djemtë e xhaxhait tim kishin një biznes, një fabrikë ku merrnin sandale dhe çizme plastike. Kështu që unë i kërkova favor dhe më mori djali i xhaxhait në punë, duke më thënë se kishin nevojë vetëm një muaj sepse nuk e dinte sesi do punoja. Kur ai e pa që unë punoja shumë, dhe isha shumë i dedikuar në punën në fabrikë, më tha për të bërë dokumentat që të qëndroja në Itali. Kështu që djali i xhaxhait më ka mbajtur tre vjet si klandestin në fabrikë, ku ishte shumë e vështirë sepse në zonë industriale mund të kishte kontrolle. Si përfudim në fund të vitit 1995 bëra dokumentat. Kështu që puna nuk më ka munguar, por thjesht më lodhi shumë sepse prisja të gjeja në Itali gjëra më të bukura, por që gjeta një realitet tjetër. Në vitet e para të them të drejtën më mungoi pak universiteti dhe ambienti i Tiranës.
CMG: Ke studiuar në fakultetin e drejtësisë në Itali, ku prej vitesh ushtron profesionin e avokatit.
Gentian Alimadhi: Në momentin që unë kisha dokumentat shikoja përpara për të bërë diçka tjetër. Kështu që lindi sfida për të rimarrë në dorë të ardhmen time, që mbase e abandonova në Shqipëri, duke braktisur universitetin. Unë shkova në universitetin e Parmës të shikoja nëse ishte fakulteti i arkitekturës, por nuk ishte në Parma në vitin 1996, dhe si zgjedhje të dytë mora juridikun sepse kjo degë nuk e kishte të detyrueshme prezencën në leksione. Kisha të drejtë të punoja në fabrikë, të studioja dhe të jepja provimet. Kështu që fillova studimet në degën e drejtësisë, ku mbarova universitetin në vitin 2002. Pastaj vazhdova me praktikat, mora titullin e avokatit dhe hapa zyrën time në vitin 2005 dhe kam 18 vjet që ushtroj profesionin e avokatit në Parma.
CMG: Si ka qenë si eksperiencë ky profesion në një vend të huaj?
Gentian Alimadhi: Normalisht si të gjitha profesionet e tjera, njeriu rritet, piqet dhe pasurohet nga ekperiencat e punës që bën. Puna e avokatit është një nga punët dhe porfesionet më fisnike, ku ti ndihmon njerëz dhe mundohesh që të zbatosh ligjin, të respektohet ligji përsa i përket rasteve të personave të ndryshëm. Unë kam pasur eksperienca të bukura, ku kanë qenë familje pa shpresë që janë sistemuar dhe kanë ecur përpara, që tani më falenderojnë. Gjithashtu dhe raste të personave të tjerë që janë akuzuar padrejtësisht. Pra unë si avokat bëj penalen, aksidentin në rast që dikush mund të marrë një dëmshpërblim të duhur për një dëmtim të ndodhur në një aksiident rrugor apo në punë dhe kjo krijon kënaqësi për atë person që përfiton. Puna jonë varet me rezultatet që arrin dhe nga opinion që krijohet.
CMG: Falsim për eksperiencën tuaj si aktivist i parë në komunitetin shqiptar në Itali?
Gentian Alimadhi: Unë sapo bëra dokumentat bashkë me shokët, studentët dhe punëtorë të ndryshëm krijuam shoqatën “Zëri i Shqiponjës”, ku më vonë e transformuam në shoqatën “Skënderbe”. Jemi aktivizuar me aktivitete të ndryshme me sfond kulturor, që të tregonim nga vinin dhe kush ishim, që kishim historinë, gjuhën dhe kulturën tonë. Kështu që arritëm të paktën në Parma dhe këtu afër që të ndryshonim opinionin publik me koncerte, ekspozita të ndryshme dhe kostume popullore. Arritëm të tregojmë që jemi europianë dhe merituam respektin e tyre. Besoj se komuniteti shqiptar i Parmës dhe kudo në Itali ka qenë një nga komunitetet më të integruara, që nuk e ka ndjerë paragjykimin nga italianët. Flasim për një qytet të vogël ku dhe paragjykimet mund të jenë të dukshme, sepse nuk jemi në Milano ku është një qytet metropol. Na është dashur të punojmë shumë me vendosmërinë dhe përulshmërinë tonë, për t’i treguar se kush ishim ne, që ishim punëtorë, studentë dhe ishim njerëz që kishim krijuar familjet këtu. Besoj se puna që kemi bërë të gjithë bashkë ka qenë pozitive.
CMG: Në vitin 2011 ke marrë si President i shoqatës “Skënderbeu” çmimin “Sant’Ilario, më i larti i qytetit. Si je ndjerë me këtë vlerësim?
Gentian Alimadhi: Ky ishte një çmim që unë personalisht nuk e prisja, dhe pse në momentin që e mora ja dedikova gjithë komunitetit, sepse ishte një çmim i komunitetit dhe jo i imi personal. Kjo ishte një gjë e madhe për komunitetin, madje ishte kurorëzimi i gjithë asaj pune të mirë që kishim bërë. Unë isha i pari i huaj që mora këë çmim, dhe që nuk kisha lindur në këtë qytet, sepse ishte çmimi më i madh dhe për mua 13 janari ishte një ditë feste. Kështu që u paraqita në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve me shumë emocione. Është një çmim që i jep prestigj komunitetit tone dhe ishte mëse i merituar.
CMG: E viziton shpesh Shqipërinë dhe për çfarë të merr malli më shumë për vendlindjen?
Gentian Alimadhi: Unë nuk mund të shkëputem nga Shqipëria, sepse kujtimet dhe nostalgjia ndikon, si Fieri apo Tirana, por dhe Korça e Skrapari ku kam pasur fshatrat e gjyshërve që më mungojnë shumë. Dua që të sjell fëmijët atje dhe të bredhin në ato male, t’u tregoj dhe t’u fus dashurinë për vendin. Fëmijët e mi janë djem shqiptarë, dhe pse të dy kanë lindur këtu dhe ndjehen shqiptarë më shumë se mua, por dua t’i sjell atje për t’u treguar Shqipërinë e bukur. Unë vij në Shqipëri më tepër sepse pjesën tjetër të familjes e kam në SHBA, kështu që vij vetëm për punë në Shqipëri dhe shpesh për turizëm. Unë vjeshtën e kaluar kam ardhur tre herë në Shqipëri, ku mora pjesë dhe në Samitin e Diasporës. Shqipëria më mungon dhe jam shumë i interesuar për lajmet që të informohem për gjithçka në atë vend. Shpresoj që çdogjë të shkojë mirë dhe shqiptarët mos të marrin rrugët e emigrimit siç i morëm ne në vitet 90-të.
CMG: Ke kandiduar për kryebashkiak të qytetit të Parmës. Si ka qenë ky moment për ty?
Gentian Alimadhi: Kanë qenë propozime të të tjerëve, si për çmimin “Sant’Ilario, ashtu dhe kërkesa për tu kandiduar. Normalisht këtë rast ma thanë mua përpara, sepse nuk mund të kandidohesha pa dijeninë time. Ishim një grup nga komuniteti italian dhe i huaj, që më thanë ta provoja sepse do ishte një gjë interesante dhe diçka e re për mua. Të them të drejtën deri në momentin e fundit hezitova sepse e mora pak me frikë. Besoj se drejtuam një fushatë elektorale dinjitoze dhe me vlera, duke respektuar kundërshtarët dhe kjo ndikoi pozitivisht në moralin dhe opinionin që shumë italianë mund të kishin në drejtim të shqiptarëve, sepse arritëm ta drejtonim në mënyrë sa më korrekte dhe pse ishim të bindur që nuk do ishte e lehtë për të fituar, sepse Parma dhe shumë vende të tjera të Italisë nuk ishin akoma gati. Megjithatë ishte një nismë e vlefshme, sepse hapi rrugën e shumë kandidaturave të tjera nga ana e bashkëkombsave tanë. Ky ishte hap i suksesshëm që vjen pasi njerëzit arrijnë të integrohen dhe të kenë një punë të mirë. Komuniteti shqiptar po e tregon që është komuniteti më i integruar dhe i asimiluar me atë italian, dhe më duken se këto zhvillime janë shumë të natyrshme dhe të paevitueshme.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Gentian Alimadhi: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, që dëgjojnë me dëshirë gjithmonë.