Telenovelat kineze ndiqen globalisht nga fansat
2024-01-08 10:55:40

Një burrë i pasur me pamje të bukur jep dhurata bujare për dashurinë e zonjës së tij, ndërsa e ndjek atë me vendosmëri. Tingëllon e njohur? Kjo do të ishte formula, që përcjellin kudo dramat romantike televizive. Tani, drama të ngjashme po përgatiten nga aplikacionet kineze si mini-video që zgjasin vetëm disa minuta, të cilat kanë gjetur një bazë të gjerë fansash në mbarë botën.

Me një kohëzgjatje prej 1-2 minuta për episod dhe rreth 60-80 episode që përbëjnë një serial, historitë e dashurisë janë si grepa për të mbajtur audiencën të angazhuar. Merrni shembullin e serialit në trend “Mos u divorco”, në qendër të të cilit është një trashëgimtare sekrete miliardere. Në vetëm 10 minuta, shikuesit mund të kalojnë nëpër një komplot të ndërlikuar që përfshin martesa të detyruara dhe luftën për trashëgimi.

CFP

CFP

Pavarësisht se komploti u quajt “i ndërlikuar” dhe “Historitë e Wattpad të shkruara nga një 12-vjeçar”, shfaqja fitoi popullaritet në mesin e audiencës në SHBA dhe u bë hit në “ReelShort”, një platformë transmetimi video e “Crazy Maple Studio” me qendër në Kaliforni, në pronësi të ofruesit kinez të përmbajtjes digjitale “COL Group”.

Më 11 nëntor, aplikacioni tejkaloi “TikTok” për t'u bërë aplikacioni më i popullarizuar argëtues në dyqanin e aplikacioneve të “Apple” në SHBA. Të dhënat më të fundit nga platforma e analizës së aplikacioneve “Appfigures” tregojnë se “ReelShort” u shkarkua rreth 2 milionë herë në nëntor 2023 në SHBA, gjë që i solli kompanisë afërsisht 5 milionë dollarë të ardhura në një muaj, përmes abonimeve, blerjeve brenda aplikacionit dhe reklamave.

“ReelShort” nuk është i vetmi aplikacion kinez që bën sipërmarrje jashtë shtetit. Aplikacione të tilla si “GoodShort”, “FlexTV”, “ShortTV” dhe “99TV” kanë hyrë të gjithë në tregjet e Amerikës së Veriut dhe Azisë Juglindore, duke sjellë një rritje të prodhimit të mini dramave.

CFP

CFP

“Shumica e shikuesve jashtë shtetit të telenovelave kineze janë gra të moshës 20 deri në 50 vjeç. Prandaj, përmbajtja popullore priret të jetë më e orientuar nga femrat. Publiku i Amerikës së Veriut shijon histori romantike rreth ujqërve, vampirëve, drejtorëve ekzekutivë dhe mafies. Në Azinë Juglindore, njerëzve u pëlqejnë historitë për etikën familjare”, tha Liu Jinlong, drejtues i biznesit jashtë shtetit të “Jiuzhou Culture”.

“Jiuzhou Culture” lançoi dy platforma telenovelash që u shërbejnë audiencave ndërkombëtare këtë vit, “99TV” dhe “ShortTV”, ku e para synon tregjet e Azisë Juglindore dhe e dyta kryesisht për SHBA-në, Kanadanë dhe Australinë.

Kompania tani ofron drama kineze me titra në gjuhë të huaj të krijuara nga sistemi AIGC i kompanisë, duke mundësuar prodhimin masiv.

Drejtori ekzekutiv dhe analisti kryesor në konsulencën “iiMedia Research”, Zhang Yi, tha se kjo strategji synon të krijojë telenovela me temë kulturore dhe të përmbushë kërkesat e menjëhershme, të fragmentuara argëtuese të audiencës në një mënyrë me kosto efektive.

CFP

CFP

“Telenovelat me fantazi dashurie nuk janë të reja. Megjithatë, stili unik i aplikacioneve kineze ka injektuar energji të re në treg. Për krijuesit e përmbajtjes, historitë janë të ngjashme, por struktura ka ndryshuar për t'iu përshtatur më mirë dëshirës së audiencës për shpejtësi dhe efikasitet tregimtari”, bëri të ditur “Cypress Bai”, i njohur për skenare telenovelash dygjuhëshe në Kaliforni.

Pavarësisht një bumi biznesi, Liu i “Jiuzhou Culture” vuri në dukje se sfidat në tregimin ndërkulturor, si p.sh. preferencat e audiencës për përmbajtjen, kërkesat e ndryshme ligjore, të të drejtave të autorit dhe rregullatore në vende dhe rajone të ndryshme, mbeten ende një problem.