Investimet e huaja në Shqipëri fluks i lartë në tremujorin e tretë të vitit 2023
2024-01-08 10:16:14

Investimet e huaja (Foto Monitor)

Investimet e huaja (Foto Monitor)

Sipas statistikave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë fluksi i investimeve për tremujorin e tretë të vitit 2023 ka shënuar një nivel prej 404 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të shkuar ky tregues rezulton me rritje 17%, ose thuasje 60 milionë euro më shumë. Për 9-mujorin 2023, vlera progresive e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 1 miliardë e 88 milionë euro, shifër kjo 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas këtyre të dhënave Holanda vijon të kryesojë me peshën më të lartë të Investimeve Direkte, por edhe sa i përket shtimit të volumit të tyre në bazë vjetore. Nga 76.8 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit të shkuar, fluksi për të njëjtin tremujor të këtij viti rritet në 86.9 milionë euro.

Në një intervistë për Abc News ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj tha se fluksi i të hyrave në euro është një tregues i rëndësishëm, por tregu i pasurive të paluajtshme duhet parë dhe si investim individual dhe jo domosdoshmërisht si një zë buxhetor, që kontribuon në fuqizimin e mëtejshëm të ekonomisë.

‘Katër janë zërat ose treguesit kryesore të investimeve të huaja në Shqipëri për zërin e pasurive të paluajtshme. Edhe pse ka një rënie të vogël rreth 1.3% krahasuar me 1 vit më parë ato janë 20% të të gjithë totalit të investimeve, ndërkohë zërat e tjerë që lidhen me industrinë nxjerrëse që lidhet me investimet në energji investime në kapital financiar, janë ato që mbajnë peshën e investimeve të huaja. Ajo çka unë do veçoja në këtë rast lidhet me faktin se investimet e huaja direkte vijojnë të jenë në aspektin e pasurive të paluajtshme janë individuale, janë qytetarë të huaj, të cilët zgjedhin, qoftë dhe rezidentë shqiptarë në vende të huaja por duke qenë se ata e sjellin paranë në Shqipëri atëherë në këtë rast realizojnë një investim të huaj, pasi vijnë nga jashtë nga vendi i origjinës nga vendi i rezidencës. Këto janë investime individuale të cilat kanë një fund dhe nuk mund të jenë të vazhdueshme. Edhe pse kanë një zë të fuqishëm në ekonomi nuk e ndihmojnë shumë për të shkuar përpara” - u shpreh Nunaj.

Teuta Nunaj (Foto Linkedin)

Teuta Nunaj (Foto Linkedin)

Ekspertja jep edhe arsye që lidhen me anën financiare.

‘Ndërkohë ajo çfarë është tjetër element themeltar ku lidhet me investimet e huaja në pjesën financiare, lidhet në bazë të një rregulli ose rregullatori që ka vendosur Banka e Shqipërisë kundrejt institucioneve të bankave të nivelit të dytë që ka detyruar rritjen e kapitalit të tyre financiar. Kjo ka bërë që kompanitë që fitimet e tyre i kanë në lekë, kur ata i riivnestojnë janë sërish investime të huaja për faktin se janë banka të huaja dhe këtu kemi anën pozitive që një pjesë e parave qëndrojnë në Shqipëri. Fitimet që nxjerrin bankat qëndrojnë dhe nuk ndiqet më ajo politikë e kalimit të të gjithë fitimit në vende të origjinës. Këtu janë dy arsye që do të thotë që ky zhvillim nuk ka ardhur si pasojë e zhvillimit të ekonomisë, ka ardhur si pasojë e vendosjes së një rregulli nga ana e bankës qendrore, ndërkohë për zërat e tjerë që është industria nxjerrëse dhe energjia edhe pse kanë një rënie kanë një rol të rëndësishëm”- shtoi ajo.

Me shqetësim shihet pjesa që mungojnë investimet e mëdha.

‘Nëse do ta analizojnë në tërësi kjo rritje nuk ka ardhur si pasojë e një zhvillimi ekonomik të vendit, nuk ka investime të mëdha madhore si rasti i TAP që ishte ndër më të mëdhatë në Shqipëri, janë investime të detyruara. Së pari në ligjin në pjesën e sektorit financiar dhe e dyta në sektorin e pasurive të paluajtshme janë investime individuale. Raportet tregojnë se ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë për të bërë biznes kjo e deklaruar edhe nga dhomat e tregtisë që janë në Shqipëri.

‘Kjo ndikuar edhe nga dalja e Shqipërisë nga listës gri, por edhe falë raporteve që bëjnë institucionet ndërkombëtare për një ekonomi të qëndrueshme dhe të gjitha këto në këtë rast e nxisin një investitor të huaj të investojë në Shqipëri kapitalin e tyre. Fushat që janë më atraktive, duke qenë se ka dhe një mbështetje nga ana e qeverisë në aspektin e projekteve dhe zhvillimit infrastrukturor siç është turizmi. Por nuk duhet lënë mënjanë as sektori i energjisë pasi është shumë dobiprurës dhe ka potenciale shume të mëdha zhvillimi dhe as sektorin e nxjerrjes së mineraleve dhe këtu duhet të synohet jo vetëm nxjerrja e mineralit dhe eksporti si lëndë e parë por edhe përpunimi i tij në mënyrë që ti rritet vlera këtij produkti dhe mundësia e hapjes së vendeve të reja të punës.  Unë gjithmonë do ta gjykoja se një sektor shumë i rëndësishëm për investime mbetet dhe bujqësia, për të gjithë gamën dhe jo vetëm për punonjësit e shumtë që ka, por edhe për mundësitë e shumta që ka sektori i bujqësisë në Shqipëri”

Banka e Shqipërisë (Foto Abc News)

Banka e Shqipërisë (Foto Abc News)

Një atraksion për të investuar të huajt në Shqipëri mbetet turizmi.

‘Turizmi shihet me interes, sepse investimet në këtë sektor janë shtuar, ardhja e markave pra kompanive të mëdha të hotelerisë nuk vijnë në mënyrë individuale por vijnë me sigurinë e kompanive shqiptare që janë në këtë sektor apo të kompanive të huaja që janë në këtë sektor dhe kjo bën ato që të marrin riskun për të sjell markën e tyre. Sjellja e markës së tyre janë garanci për një turizëm elitar pasi do të ofrojnë një shërbim që e ofrojnë në çdo vend të botës në kompanitë e tyre ose në hotelet e tyre apo restorantet e tyre. Ai turizëm ekonomik që është tashmë të kthehet në turizëm elitar dhe kjo do sillte të ardhura më të mëdha, ata do shpenzojnë më shumë dhe kjo do të rriste të ardhura”, tha Nunaj.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se investitori i dytë më i madh i huaj këtë vit është Italia. Për 9-mujorin investimet italiane kishin vlerën e 151 milionë eurove. Flukset e investimeve italiane janë rritur me 54% krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Ndërsa stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.39 miliardë euro, në rritje me 26% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë Kosova për këtë vit renditet në vendin e katërt në listën e investitorëve të huaj, me një fluks investimesh të reja prej 50 milionë eurosh për 9-mujorin.