foto nga VCG
Kina ka vendosur të ndërmarrë sanksione ndaj pesë kompanive amerikane të mbrojtjes për shkak të përfshirjes së tyre në shitjen e armëve në rajonin e Tajvanit të Kinës, njoftoi të dielën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Zëdhënësi e njoftoi vendimin kur u pyet për kundërmasat e Kinës ndaj shitjeve të reja të armëve të shpallura së fundmi nga ShBA-ja në Tajvan dhe sanksionimit të bizneseve dhe individëve kinezë me pretekste të ndryshme.
foto nga VCG
Zëdhënësi tha se shitjet e armëve të ShBA-së në rajonin e Tajvanit të Kinës janë në shkelje të hapur të parimit të “Një Kine” dhe tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, veçanërisht atë të 17 gushtit të vitit 1982. Shitja e armëve në rajonin e Tajvanit të Kinës dhe sanksionet e njëanshme e të paligjshme që ShBA-ja ka vendosur ndaj kompanive dhe individëve kinezë nën pretekste të ndryshme, dëmtojnë seriozisht sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës.
Zëdhënësi tha se shitjet e armëve nga pala amerikane dhe sanksionet e njëanshme të paligjshme gjithashtu minojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe shkelin të drejtat dhe interesat e ligjshme të kompanive dhe individëve kinezë. Kina shpreh keqardhjen dhe i kundërshton me vendosmëri këto veprime, duke ndërmarrë nisma solemne ndaj ShBA-së.
Zëdhënësi tha se në përgjigje të veprimeve shumë të gabuara të ndërmarra nga ShBA-ja dhe në përputhje me Ligjin kinez kundër Sanksioneve të Huaja, Kina ka vendosur të sanksionojë pesë kompani të industrisë së mbrojtjes amerikane, përkatësisht “BAE Systems Land and Armament”, “Alliant Techsystems Operation”, “AeroVironment”, “ViaSat” dhe “Data Link Solutions”.
foto nga VCG
Kundërmasat konsistojnë në ngrirjen e pronave të këtyre kompanive në Kinë, duke përfshirë pasurinë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme dhe ndalimin e organizatave dhe individëve në Kinë për transaksione dhe bashkëpunim me ta, tha zëdhënësi.
“Dëshiroj të theksoj se qeveria kineze mbetet e palëkundur në vendosmërinë tonë për të mbrojtur sovranitetin kombëtar, sigurinë dhe integritetin territorial dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të kompanive dhe qytetarëve kinezë.” - tha zëdhënësi.
Kina i kërkon palës amerikane që t'i përmbahet parimit të “Një Kine” dhe tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, të ndalojë armatimin e Tajvanit dhe të mos shënjestrojë Kinën me sanksione të njëanshme e të paligjshme, tha zëdhënësi, duke vënë në dukje se “përndryshe do të ketë përgjigje të fortë dhe të vendosur nga Kina”. (Fang Xiaoyu/Laçi)