Festina Mejzini është një këngëtare nga Gjakova, e cila muzikën e ka të trashëguar nga gjyshi i saj artisti Mazllom Mejzini. Dalja e saj e parë në një skenë të madhe ka qenë në vitet 2011- 2012 në talent show-n "X- Factor", dhe që atëherë ka marrë pjesë në festivale dhe evenimente të ndryshme.
Në një intervistë në Radio Ejani, Festina tregon se publiku e ka pëlqyer këngën “Melos” dhe e ka duartrokitur shumë në prezantimin e saj në Fest'62. Gjithashtu ajo flet për planet e saj artistike këtë vit.
Festina Mejzini në intervistë për Radio Ejani (Foto nga instagrami)
CMG: Ti konkurove në natën e parë të Fest’62, me këngën me motive shqiptare “Melos” me autor teksti, muzikë dhe orkestracion nga Sokol Marsi. Si ishte për ty ky konkurim?
Festina Mejzini: Gjithmonë konkurimi në festivalin e Rtsh-së është një emocion më vete sepse performon me një orkestër të madhe dhe gjithmonë e ka veçantinë si festival. Kjo për faktin se është një ndjenjë e veçantë të performojmë në Shqipëri, në një festival kombëtar, që ndiqet kudo ku ka shqiptarë. Për mua është një krenari dhe privilegj më vete të jem pjesmarrëse në këtë festival.
CMG: Në momentin e parë që dëgjova se kënga titullohej “Melos”, pasi këtë herë këngët nuk u bënë publike, mendova se do jetë një këngë me motive shqiptare, e që do pëlqehet nga publiku.
Festina Mejzini: Unë kur marr pjesë në një kompeticion të tillë zakonisht motivi është që të shkojmë në Eurovizion, çmimi i festivalit gjithashtu është një krenari më vete, por edhe që kënga të pritet mirë nga publiku. Që në fillim titulli ka goditur dhe që në momentin e parë njerëzit ishin kuriozë të dinin si është kënga. Më bëhet shumë qejfi që kënga u prit jashtzakonisht mire. Emocionet për mua kanë qenë më të mëdha pas performancës së parë, gjë që s’më ka ndodhur asnjëherë, por ndoshta ritmi i melosit tonë shqiptar vlonte ndryshe në mua dhe ishte shumë interesante. Paraqitja ime u prit jashtëzakonisht mirë dhe kënga po vazhdon të suportohet gjithandej, si nga publiku shqiptar, ashtu edhe nga ai i huaj.
CMG: Është punuar me shumë kujdes dhe veshja, ku motivet shqiptare janë ndërthurur mjaft mirë me modernen, duke e përshtatur me këngën.
Festina Mejzini: E vërtetë. Jemi munduar ta kombinojmë modernen me veshjen tradicionale tonën. Kam parë që është komentuar dhe nëpër rrjete sociale si veshje e guximshme dhe shumë interesante.
CMG: Sa i përket këngës, si erdhi idea për bashkëpunim me autorin Sokol Marsi?
Festina Mejzini: Profesor Sokol Marsin e kam njohur prej vitesh sepse ka qenë pjesë e festivaleve. Edhe ai më ka ndjekur, kur unë fitova çmimin e tretë disa vite më parë me këngën e profesor Flamur Shehut. Sa i përket këngës së profesor Sokol Marsit, ishte ideja e tij për këtë bashkëpunim, i cili më zgjodhi që të interpretoja këngën e tij. I jam falenderuese shumë që më besoi ta këndoja unë një këngë të tillë.
Festina Mejzini në Fest'62 (Foto nga instagrami)
CMG: Si e prite në momentin e parë?
Festina Mejzini: Ishte një këngë që në momentin e parë që e kam dëgjuar më ka tërhequr sepse ishte brumi i muzikës shqiptare dhe ka ritëm 100% shqiptar. Muzikantët e dinë që menjëherë kur dëgjohet një këngë që ka ritëm tipik shqiptar, qëllon direkt në shenjë. Edhe unë jam mësuar me muzikë shqiptare, jam rritur me një familje ku muzika gjithmonë ka qenë prezente dhe për mua menjëherë me të dëgjuar, më pëlqeu shumë si këngë.
CMG: Në këtë festival ti ke konkurruar bashkë me artiste që kanë qenë dikur në juri, mentore kur garoje në talent show-n ‘X-Factor’. Si u ndjeve në këtë festival përballë Besa Kokëdhimës dhe Vesa Lumës?
Festina Mejzini: Pyetje shumë interesante. Besa ka qenë në audicionin tim të parë kur kam qenë në Shqipëri, por këtë herë ishte emocion më vete të performoja me to dhe të isha në një nivel me njerëz që më kanë zbuluar si talent, është vërtetë krenari.
CMG: Të komplimentuan pas interpretmit?
Festina Mejzini: Me Besën kam një farë kimie, një lidhje shumë të mirë me të si artiste. Pas performancës e komplimentuam njëra- tjetrën.
Edhe Vesa gjithashtu më komplimentoi menjëherë pas performancës, më ka uruar suksese. I falenderoj shumë se ndoshta kanë qenë njerëzit e parë që mua më kanë përkrahur që në fillimet e mia. Gjithashtu edhe Big Basta ka bërë këngën time të parë me videoklip, e ma dhuroi këngën. Për mua ështe shumë kënaqësi që në ato fillime kam pasur mbështëtjen e artistëve.
CMG: Festina si do ta komentoje shprehjen që nxënësi bëhet më i mirë se mësuesi?
Festina Mejzini: E kisha dëgjuar me parë por tani më duket interesante. Shumë mirë, ndoshta dal më mirë se mësuesit (qesh).
CMG: Festina, 13 vite më parë kur dole për herë të parë në skenën e “X -Factor”, konkurove mes shumë të rinjve, me ëndrra të mëdha për tu bërë një yll, e famshme dhe besoj se i ke arritur. Sjell ndër mend tani një koment të Alban Skenderajt, kur ai theksoi se ke një zë shumë të vecantë dhe je orgjinale. Madje u fol edhe për një duet atëherë që ende nuk është bërë … A ke insistuar për ta realizuar atë duet?
Festina Mejzini: Alban Skenderaj mbetet fansi i parë i imi që përveç mentores time Juliana Pashaj, ka qenë një fans i zjarrtë i imi që e ka shprehur dhe publikisht disa herë nëpër audicionet e “x -factor” kur filluan netën live. Ai më ka dhënë një shtytje që unë të mos dal jashtë kornizave të mia artistike. Jam munduar gjithmonë të mbahem brenda kornizave, të mbaj atë stil dhe mos dal jashtë Festinës.
Sa i takon duetit, kjo i takon të pyetet Albani. E përshëndes dhe i them se më pyesin gazetarët, por unë s’di se çfarë përgjigje tu jap. Unë e mirëpres me kënaqësi dhe nder.
CMG: Festina, përpos pjesëmarrjeve të tua në Festivale, gjithashtu ke pasur bashkëpunime me producentë suedezë. Na trego për këtë.
Festina Mejzini: Shumë e vërtetë. Para një viti e gjysmë kam publikuar këngën time me videoklip, të punuar nga producentë suedezë, të grupit ABBA, Celine Dion, Britney Spears,etj. Kam punuar këngën e parë me sukses. Ata kishin dëgjuar shumë rastësisht zërin tim gjatë pjesëmarrjeve të mia në festivalin e RTSh-së, nëpër rrjetet sociale ku spikatën emrin tim. E kishin dëgjuar nëpër video dhe u pëlqeu zëri im. Më dërguan disa demo dhe njëra nga ato që më pëlqeu ishte materiali i këngës “Te Amo”, e cila gjendet në YouTube Spotify, e në të gjitha platformat digitale. Jam shumë e lumtur që kam punuar me një grup të mrekullueshëm suedez, kam qenë edhe në Suedi. Jam ndarë me përshtypje shumë të mira, njerëz të mirë,të thjeshtë, dhe muzikantë të mrekullueshëm. Të gjithë e dimë se muzikantët më të mirë në Evropë janë suedezët, madje Eurovisionin çdo tre vite po e fiton Suedia.
Florent Abrashi dhe Festina Mejzini në natën e Nostalgjisë në Fest'62 (Foto nga instagrami)
CMG: A do të kesh bashkëpunime në vazhdim me ata producentë?
Festina Mejzini: Unë jam gjithmonë në kontakt me ta. Sa i përket këngëve, ato janë në anglisht dhe problemi tek ne është për t’i përshtatur në gjuhën shqipe. Gjithsesi do mundohemi të jemi sa më afër publikut, që të bëjmë disa pjesë shqip, e disa në anglisht, në mënyrë që të jemi sa më aktiv.
CMG: Në “X-Factory”, 13 vite më parë ke shprehur dëshirën të këndoje një këngë të gjyshit. Tashmë ajo dëshirë pritet të realizohet?
Festina Mejzini: Është e vërtetë. Është një ndjenjë, një emocion i jashtëzakonshëm dhe shpresoj t’ja arrij me sukses. Atë pasuri që ka lënë gjyshi do mundohem ta risjell për publikun në një frymë të re në muzikën shqiptare. Do të vijë një album me këngët e tij, por edhe një koncert recital. Do të ketë edhe shumë surpriza, që nuk dua t’i zbuloj tani.
Intervistoi: Sava Lena