Valentina Sinani është këngëtare e njohur e këngës popullore myzeqare. Ajo ka një karrierë të gjatë muzikore dhe ka interpretuar me mjeshtëri artistike këngët e tabanit popullor të trevës së saj. Valentina prej vitesh jeton me familjen në Greqi, ku është angazhuar me koncerte për bashkëatdhetarët tanë. Në një intervistë për Radio Ejani ajo tregon për ecurinë e karrierës së saj muzikore ndër vite, si dhe projektet në vazhdim.
Valentina Sinani duke interpretuar gjate nje koncerti (Foto personale)
CMG: Si ka nisur karriera juaj me këngën popullore?
Valentina Sinani: Talenti im për muzikën u spikat në moshën e fëmijërisë, ku angazhimet fillestare u reflektuan në vitet e shkollës. Unë u rrita me këngën, dhe dita-ditës falë talentit, përkushtimit dhe dashurisë për muzikën fillova të angazhohesha dhe të këndoja.
Valentina Sinani gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Kur je ngjitur për herë të parë në skenë?
Valentina Sinani: Angazhimet e mia me këngën filluan në vitet e shkollës dhe u ngjita për herë të parë në skenën e teatrit të Bylisit në moshën 14 vjeçare në vitin 1979, në konkurimin e shkollave të mesme, ku u dallova si një zë i bukur.
Valentina Sinani gjate nje aktiviteti. (Foto personale)
CMG: Sa këngë përmban repertori juaj muzikor gjatë viteve të karrierës?
Valentina Sinani: Repertori im muzikor është i gjerë dhe i larmishëm nga të gjitha trevat shqiptare, por tabani im është kënga myzeqare. Si soliste kam kënduar me ansamble folklorike, siç ishin në atë kohë me ndërmarrjen e Povelshës, dhe si profesioniste me grupin e këngës qytetare fierake. Pastaj kam qenë me estradën e Fierit, me ansamblin Myzeqeja dhe deri në vitin 1995 kur u shkëputa për arsye familjare sepse shkova në emigrim. Pasi u rritën fëmijët fillova përsëri në vitin 2019, kur ju ktheva përsëri këngës dhe kam publikuar këngë të reja dhe po rimbledh edhe këngët e vjetra.
Valentina Sinani gjate nje koncerti ne vitin 1983 (Foto personale)
CMG: Si kanë qenë vitet e emigrimit për ju si artiste?
Valentina Sinani: Vitet në emigrim me të vërtetë kanë qenë të vështira, sepse iu përkushtuam më shumë punës dhe arsimimit të fëmijëve tanë. Kjo ishte dhe arsyeja që unë u shkëputa nga kënga dhe iu përkushtova familjes, derisa fëmijët e mi dolën në jetë dhe unë u riktheve përsëri te kënga.
CMG: Ke marrë pjesë në koncertet që organizohen në Greqi për bashkëatdhetarët?
Valentina Sinani: Sigurisht që kam dhënë kontributin tim artistik jo vetëm për publikun shqiptar këtu në Greqi, por dhe në diasporë. Gjithashtu kam patur dhe shumë ftesa në SHBA, por për arsye personale nuk është bërë e mundur që të shkoja. Unë vazhdoj të jap kontributin tim në aktivitetet që zhvillohen nga komuniteti shqiptar në Greqi.
Valentina Sinani me grupin muzikor (Foto personale)
CMG: Si është atmosfera e festave shqiptare në Greqi?
Valentina Sinani: Në festat që organizojmë këtu mblidhen shumë dashamirës të artit, dhe ne ndjehemi shumë krenarë dhe të vlerësuar që këndojmë për ta.
CMG: Cila është veçantia e këngëve myzeraqe në dallim nga trevat e tjera?
Valentina Sinani: Kënga myzeqare dallohet shumë nga trevat e tjera, jo vetëm për pasurinë e madhe folklorike të këtij vendi të bekuar, por për trashëgiminë gojë më gojë nga një brez në tjetrin të kulturës, traditave dhe të këngëve të mirëfillta folklorike të krahinës tonë. Kënga myzeqare dallohet gjithashtu nga lirika e mrekullueshme që ka, e gërshetuar kjo edhe me elementët muzikore.
CMG: Cilën këngë do të veçoje si më të dashurën nga repertori i këngëve tuaja?
Valentina Sinani: Padyshim që çdo këngë ka rëndësinë dhe veçantinë e saj, por që nuk mund të ndaj asnjë, sepse i dua si nëna fëmijët e saj. Dua të veçoj këngën myzeqare “Kjo nëna nuk më le”, të cilën e kam interpretuar në koncertin e parë të themelimit të grupit të këngës qytetare fierake dhe më përcjell emocione sepse aty fillon edhe karriera ime profesionale si këngëtare.
Valentina Sinani me veshje popullore (Foto personale)
CMG: Përveç interpretimeve si soliste a ke realizuar duete me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore?
Valentina Sinani: Kam realizuar disa duete, ku doja të përmendja atë me të ndjerin Vilson Shaho, me Artistin e Popullit Mentor Xhemali, si dhe kam dhënë dhe dy koncerte të përbashkëta në Fier në atë kohë. Gjithashtu kam patur një duet të sukseshëm me Natasha Stefën, e cila e ka lënë karrierën e këngës. Unë mirëpres dhe këngëtarë të tjerë që dëshirojnë të bashkëpunojnë me mua.
CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve të reja popullore?
Valentina Sinani: Çdo këngë ka dinamikën e saj të veçantë dhe shumë nga tekstet e këngëve të mia kanë si autor bashkëshortin tim Artan Nushi, por njëkohësisht kam bashkëpunuar me Fran Ukcamaj, si dhe jam bazuar kryesisht në tekstet popullore. Ndërkohë që ndër muzikantët dhe instrumentistët kanë qenë Astrit Dalipi, Jani Tase, dirigjenti Nikollaq Bulo, Ferit Hoxha, Nikollaq Nushi, Dhimitër Shqefa, Genci Malaj, Armando Dhimitri si dhe klarinetisti Marsel Gjino. Këta janë emra të njohur dhe bashkëpunimi ka qenë i suksesshëm.
Valentina Sinani ne duet me Mentor Xhemalin (Foto personale)
CMG: Do dëshiroje të riktheheshe në një koncert recital në qytetin e Fierit për artdashësit tuaj?
Valentina Sinani: Do të dëshiroja shumë që të bëja një koncert recital dhe të ngjitesha përsëri në atë skenë që më ka munguar shumë.
CMG: Cili ka qenë emocioni që ke përjetuar kur je veshur me kostumin popullor tradicional të Myzeqesë?
Valentina Sinani: Veshjet popullore janë një thesar i çmuar i traditës dhe kulturës sonë popullore. Ata dallohen për llojshmërinë e ngjyrave si dhe mesazhin që përcjellin nga historia. Unë do të veçoja gunën me rrëke, që shpreh karakterin myzeqar dhe shqiptar. Guna me rrëke është e përbërë nga dymbëdhjetë vija, që tregojnë gjakun dhe vijat që tregojnë ujin, hapësira e saj. Guna me rrëke është një perlë e prezantuar si një karakter i qartë i myzeqarëve, madje unike në Myzeqe, në Shqipëri, Ballkan apo Europë.
Valentina Sinani ne skene ne citet 80-te (Foto personale)
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për vitin 2024?
Valentina Sinani: Kam disa projekte, por pikësynimi im është që çdo produksion muzikor të preferohet nga publiku artdashës. Kam shumë këngë të publikuara në kanalin YouTube dhe rrjetet sociale, ku kam marrë shumë pëlqime dhe klikime. Unë vazhdoj të punoj dhe besoj se së shpejti do të nxjerr diçka të bukur.
Intervistoi: Gazmend Agaj