Pritshmëritë e vitit turistik 2024
2024-01-05 10:12:10

Aeroporti i Rinasit )Foto Dosja.al)

Aeroporti i Rinasit )Foto Dosja.al)

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, që rregjistron hyrjet dhe daljet nga Shqipëria të vizitorëve të huaj dhe të qytetarëve shqiptarë, të cilat i disponon Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, deri në mbrëmjen e 25 dhjetorit 2023,  numri i vizitorëve të huaj të regjistruar në vendin tonë ishte 10 milionë e 11 mijë e 500 vetë. Në këtë mënyrë, Shqipëria ka arritur rekordin e 10 milionë vizitorëve të huaj për vitin 2023, shumica turistë, duke shënuar vitin më të mirë turistik në vend.

Shifrat e larta të vizitorëve të huaj edhe gjatë muajve të dimrit nëntor-dhjetor 2023, konfirmuan trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairet ndërkombëtare “Fitur” në Madrid, Spanjë dhe në Panairin “ITB” në Berlin, Gjermani, në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit për vitin 2025 me një program promovues njëvjeçar.

Ministria e Turizmit thekson se, përveç turistëve nga Kosova, të cilët mbajnë sërisht vendin e parë për nga numri, gjatë 11 muajve janar-nëntor të vitit 2023, turistë të shumtë kanë ardhur nga Spanja, Turqia, Mali i Zi dhe Franca.

Sipas INSTAT, për periudhën janar-nëntor 2023, kanë vizituar Shqipërinë 2.5 herë më shumë spanjollë, se sa në janar-nëntor 2022. Krahasuar po me njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2022, viizitorët nga Turqia kanë pasur rritje prej 167 përqind, ata nga Mali i Zi 71 përqind, nga Franca 65 përqind më shumë, e kështu me rradhë.

Turistët nga Azia kanë pësuar një shtim të ndjeshëm, ku spikasin vizitorët nga Kina me 163 përqind më shumë se periudha janar-nëntor 2022. Të gjitha këto shifra dëshmojnë për një turizëm të detit, të natyrës, kulturor dhe historik shumë të suksesshëm gjatë vitit 2023 në Shqipëri. Operatorët turistikë besojnë se kjo do të shërbejë si një bazë e fuqishme, për të patur një industri turistike akoma dhe më të zhvilluar gjatë këtij viti. Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë trajton këtë temë në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

Eksperti i turizmit Besnik Vathi

Eksperti i turizmit Besnik Vathi

CMG: Z. Vathi, a do ta kishit menduar që në fund të këtij viti do të flisnim për rreth 10 milionë vizitorë të huaj në vendin tonë, shumica turistë? 

Besnik Vathi: Ju falenderoj për interesin që tregoni drejt industrisë së turizmit.E vërteta është që unë e kam pritur që të ketë rritje. Madje, edhe bashkë e kemi diskutuar. Unë nisem nga disa faktorë, sinqerisht, të rëndësishëm, që kanë bërë revolucion në industrinë e turizmit.

Së pari, është trafiku ajror. Trafiku ajror në Shqipëri është rritur mjaft, janë futur aktorë të tjerë, shoqeri ajrore low cost(me kosto të ulët). Ka ardhur një kompani e dytë “low cost”, përveç një kompanie të madhe, e cila rriti në mënyrë të ndjeshme trafikun ajror në Shqipëri.

Nëse në vitin 2019, ne numëronim rreth 29-30 qytete në botë, ku Shqipëria kishte fluturime direkte, sot ne numërojmë mbi 80-90 qytete, ku Shqipëria ka fluturime direkte. Pra, gati 3 herë më shumë.

Ndërtimi i këtyre urave lidhëse ka dhënë më shumë mundësi që turistët e huaj, pra të huajtë, të kenë më shumë mundësi për të ardhur në Shqipëri.

Ky është faktori i parë.

Faktori i dytë: Të gjithë ata emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë, që sot janë natyralizuar me pasaporta të huaja, kanë më shumë mundësi për të ardhur, jo më një herë apo dy herë gjatë vitit, por edhe më shpesh, duke rritur në mënyrë të ndjeshme ardhjet e tyre, dhe natyrshëm, edhe numrat e vizitorëve të huaj në fund.

Por, nuk ka ndodhur vetëm kjo. Nuk duhet parë vetëm kjo anë e medaljes, duhet të shohim edhe krahun tjetër. Edhe shqiptarët, pothuajse me të njëjtat shifra, 25 –30 përqind  më shumë, kanë lëvizur jashtë vendit. Pra, janë shtuar më shumë lëvizjet turistike në të dy krahët, jashtë-brënda apo brënda-jashtë.

Natyrshëm, këtu nuk ka të bëjë thjesht me marketingun më të madh, lojën më të madhe, ndërhyrjen më të madhe. Nëse është ndërhyrë nga qeveria për të nxitur këto kompani ajrore “low cost” që të vijnë në Shqipëri, të operojnë në Shqipëri, natyrisht është sukses dhe ndërhyrje e jashtëzakonshme. Këtu e shikoj unë mundësi që patëm për rritje shumë më të madhe të shifrave gjatë vitit 2023.

CMG: Të gjitha bilancet janë pozitive në turizëm. Është rritur edhe numri i netëve të qëndrimit për turist. Duhet të flemë mbi dafina?

Besnik Vathi: Ne shpesh shohim disa shifra të analizuara dhe të nxjerra me statistika, që për mendimin, tim kanë gabime të shumta. Nëse ne themi që është rritur numri i netëve turistike, ndoshta gëzohemi edhe pa shkak. Nëse statistikat do të ishin të sakta, do të duhet të bënim analiza të sakta. E them këtë, pasi në statistika ka shumë problematika.

I vetmi burim statistikor që ne kemi sot për shifrat janë vetëm hyrjet në kufi. Hyrjet në kufi nuk na thonë aspak sa netë kanë fjetur, sa herë kanë lëvizur, ku kanë lëvizur, ku kanë shkuar, sa kanë qëndruar nëpër shtëpira, sa kanë qëndruar nëpër hotele. Pra, është e pamundur të bësh analiza të sakta mbi shifra të mangëta.

Shoh nga informaliteti apo nga mungesa e marrjes korrekte të të dhënave, pa folur për kryqëzimin e ndryshëm të të dhënave nga burime të ndryshme.

Nuk ka vrojtime statistikore me zgjedhje, për t'u nxjerrë analiza të ndryshme. Siç thashë, mungojnë shumë të dhëna pavaresisht se numri i netëve është tregues kryesor, por numri i netëve turistike duhet të dalë vetëm e vetëm, kur të dhënat janë shumë më të sakta dhe pa gabime të shumta nëpër grumbullime dhe dhënie të dhënash.

CMG: Cilat janë risitë e projektligjit që ka përgatitur Ministria e Turizmit, me ndryshime në Ligjin për Turizmin, në gjykimin tuaj?

Besnik Vathi: Unë e kam parë atë projektligj. Madje, kam dërguar dhe unë propozimet e mia për rishikimin e shumë ndryshimeve që janë parashikuar të bëhen.

Është një projektligj që synon të përditësojë ndryshimet që kanë ndodhur, apo mangësitë që kishte ligji i parë. Unë mendoj se deri më tani, nëse nuk merren parasysh propozimet e bëra nga biznesi turistik, përsëri përditësimi do të jetë i mangët.

Fatkeqësisht, morëm përgjigje që rreth 90 përqind e ndryshimeve të propozuara nuk u morën parasysh. Shpresojmë që ndoshta, në analizat e mëvonshme, të rishikohen dhe të merren parasysh.

CMG: A do të ndihmojë ligji i ri në uljen e informalitetit në turizmin shqiptar, që, për hir të së vërtetës, është shumë i lartë?

Besnik Vathi: Unë nuk mendoj që informalitetin e zgjidh ligji i turizimit. Informaliteti është pjesë e dy faktorëve.

Faktori i parë është kontrolli shtetëror i gjithanshëm në të gjitha hallkat, jo thjesht drejtimi nga Ministria e Turizimit.

Faktori i dytë janë disa nxitësa, që kanë qëllim uljen e këtij informaliteti. Këto i jep shteti. Për shembull, informalitetin e ka ulur shumë ulja e taksës së TVSH-së. Mblidhet sot më shumë TVSH-ja, me përqindje 3 herë më të ulët, sesa mblidhej TVSH me 20%.

Pra, ne e shohim që përgjithësisht faktorët nxitës, mund t’i shtojnë të ardhurat. Mund të shtohen të ardhurat, qoftë me regjistrimet që mund të bëhen. Mund të shtohen të ardhurat, nëse jepen incentivat për turistët e deklaruar, për netët e fjetjes të deklaruara, nga sa mund të shtohen ato, duke pritur dhe duke rregulluar me ligje që s'kanë të bëjnë me to.

Pamje nga Ksamili (Foto AlbInfo)

Pamje nga Ksamili (Foto AlbInfo)


CMG: Perveç ligjit të ri, si mund ta ndihmojnë më shumë programet qeveritare turizmin tonë për këtë vit 2024?

Besnik Vathi: Unë do doja që të këtë ndërhyrje pak më të zgjuara, më të shkathëta. Ne shohim në rajon që një apartament në Maqedoninë e Veriut nuk rri pa e regjistruar dhe nuk të merr para cash. Pse? Sepse raporton dhe në raportimet që japin janë të interesuar edhe operatorët e huaj që çdo gjë ta kenë të regjistruar, pasi në fund të vitit për çdo turist që sjellin, marrin shpërblime, marrin incentive.

Pra, duhet të shkojë në raport të drejtë krijimi dhe dhënia e incentivave, me rritjen e kontrollit shtetëror në këto biznese.

CMG: Disa specialistë flasin për efekt bumerang në turizëm. A i druheni ju një efekti të tillë në turizmin tonë gjatë këtij viti?

Besnik Vathi: Unë nuk kam frikë për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj. Nuk arrij dot ta kuptoj frikën e shumë personazheve në këtë fushë, pasi këtu nuk bëhet fjalë që Shqipëria e mbërriti mbingopjen.

Ne mund të japim disa shifra, sado joreale të jenë dhe sado informalitet të ketë. Për shembull, Koeficienti i Shfrytëzimit Hotelier në Shqipëri raportohet 20%. Po 80%, çfarë është? Është mangësi.

Pra, Shqipëria ka kapacitete, ka mundësi të presë më shumë. Natyrshëm, bumerang do të ishte, nëse do të na mungojë organizimi ,qoftë në transport, që ka pasur problematika, qoftë në ndërhyrjen e policisë per sigurinë, apo në ndërhyrjen dhe kujdesin shëndetësor në zonat ku rritet ndjeshëm trafiku.

Por, në përgjithësi Shqipëria nuk është se ka pasur rritje të ndjeshme te këtyre problematikave, në periudha piku të turistëve.

Shqipëria ka pasur me kompanitë “low cost”  rritje të ndjeshme gjatë gjithë vitit. Ka patur më shumë hyrje dhe vizitorë edhe në dhjetor 2023, edhe në janar-shkurt, edhe në pranverë, edhe në vjeshtë, jo thjesht në atë periudhë të verës, kur krijohet mbingopje.

CMG: A i kemi politikat e duhura, për të nxitur turizmin tek ne?

Besnik Vathi: Unë dëgjova që Ministria do të përgatisë strategjinë e re të turizimit, me ndihmën e kompanive private, të huaja apo të financimeve nga organizmat donatore.

Është një iniciativë e mirë, por gjithnjë unë përsëri kthehem te statistika. Të ndërtosh politika të sakta, së pari duhet të kesh statistika të sakta, me qëllim që të nxjellësh analiza: Nga do i marrin turistët? Kush gjeneron turistë me të ardhura të larta? Ku duhen promovuar? Si duhen promovuar? Çfarë aksionesh duhen ndërmarrë?

Këtu, unë mendoj se jemi mbrapa, pasi shoh hapa mbrapa në promovimin e Shqipërisë. Për shembull, rasti më i habitshëm, që unë nuk arrij ta kuptoj, është që në vitin 2019, Ministria e Turizmit, me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, ka marrë pjesë te rreth 15-20 panaire. Në vitin 2023, ne kemi marrë pjesë vetëm në 1 panair. Dhe, e quajmë sukses të madh që vitin tjetër do marrim pjesë në 2 panaire, në një kohë kur Maqedonia e Veriut merr pjesë në 35 panaire, Bosnja dhe Hercegovina në 50 panaire, Mali i Zi në 40 të tjera.

Mund të nisemi edhe nga buxheti që parashikohet për promovimin e Shqipërisë. Me sa kam dëgjuar, në buxhetin këtij viti 2024, ka një ulje rreth 10% të një shifre, që ishte 800 mijë euro. Pra, nëse buxheti ne vitin 2023 ishte 800 mijë euro me 10 milione vizitorë të huaj, Maqedonia e Veriut në 2023 shpenzoi 1.7 milionë euro për rreth 1 milionë turistë, jo vizitorë, pasi ata nuk i kalkulojnë vizitorët. Franca, për 70 milionë turistë, shpenzon 77 milionë Euro. Turqia, për 50 milionë turistë, shpenzon 180 milionë euro, pra afërsisht rreth 3.5 euro për person.

Normalisht, ne, edhe sikur të mos kemi 10 milion turistë (jo vizitorë), në qoftë se kemi 6 milion apo 7 milion, le të shpenzojmë 6 milionë euro për promovimin.

Turiste te huaj ne Tirane ( Foto Lajme.al)

Turiste te huaj ne Tirane ( Foto Lajme.al)

CMG: Një prognozë tuajën, ju lutem për vitin turistik 2024, për pronotimet e këtij viti.

Besnik Vathi: Natyrshëm që unë mendoj se do të kemi rritje përsëri edhe gjatë këtij viti.

Do të ketë, pasi ne dëgjojmë planet e kompanive ajrore që do të zgjerojnë destinacionet, do të rrisin frekuencat. Dhe natyrshëm, këto biznese nuk operojnë pa nxitur, pa punuar që kjo rritje të jetë. Dhe unë shpresoj që edhe 2024-a do të ketë rritje të ndjeshme dhe pronotime natyrshëm që do të ketë.

Ne si sektor operojmë me një numër shumë më të ulët, me përqindje shumë më të ulët me promotimet që shikojmë, pasi pjesa më e madhe e kësaj lëvizje masive është lëvizje individuale.