Në Studio Ejani 5 Janar 2024 Antonela Hako, sipërmarrëse e sukseshme dhe bamirëse
2024-01-05 09:54:21

Antonela Hako ( foto Abc News)

Antonela Hako ( foto Abc News)

Antonela Hako është një grua e sukseshme në shoqërinë shqiptare. Themeluese e kompanisë 'Hako sh.p.k' ajo është  njëherësh drejtuese e Dhomës Ekonomike të Gruas.

Antonela ka nisur të drejtojë edhe shitjen dhe marketingun e kompanisë. Për sipërmarrësen, sekreti i një biznesi është komunikimi sa më i afërt me burimet njerëzore dhe respekti për stafin me të cilin punon.  A është e lehtë të bësh biznes në industrinë ushqimore? Antonela Hako shprehet se është një nga bizneset më të vështira, por ajo sfidon duke e kërkuar suksesin tek kënaqësia që i jep konsumatorit shqiptar. Plot bindje dhe përgjegjësi ajo premton më shumë prodhim vendas. Dëshira për ndryshime e Antonela Hakos e ka një objektiv, “të konsumohet shqip”, siç thotë ajo.

Antonela Hako ( foto personale)

Antonela Hako ( foto personale)

CMG: Antonela si ka qenë fëmijëria juaj dhe cilat janë episodet që ju shoqërojnë edhe sot ?
Antonela Hako:  Kam një histori, e cila sa herë  ma risjellin në vëmendje më zgjon kujtime aq të shtrenjta por edhe të dhimbshme. Deri në moshën 5 vjeçare  isha e lumtur dhe gëzoja një fëmijëri të shëndetshme tek e cila mbështetem sot për të folur. Ndërsa po në ato vite ndodhi edhe kthesa më e madhe në jetën time. Babi im vdiq në moshë të re. Ishte humbja më e madhe në familjen tonë që na la pasoja të mëdha shpirtërore. Ai e humbi jetën në formë të padrejtë dhe shumë të shpejtë nga stresi dhe presioni që i është dashur të përballej në atë kohë.

Ka qenë e dhimbshme vdekja e tij sepse  ka dhënë frymën e fundit në krahët e mi dhe kjo më ka dhënë goditje të fortë edhe në kujtimet e mia. Fëmijëria më pas ka pasur edhe momente të tjera të bukura. Ka qenë e bukur sepse ne kemi qenë 3 fëmije në familje, që ishim dhe jemi shumë të lidhur me njëri -tjetrin dhe e duam dhe vlerësojmë shumë dashurinë për jetën. Lexonim shumë, shkonim në sporte dhe na lidhte çdo gjë bashkë. Kemi pasur dhe vijojmë të kemi me njëri tjetrin një frymë të lartë tolerance, të cilën e kemi ushqyer nga nëna jonë dhe e trashëgojmë edhe sot. Ajo që mua ma ushqen zemrën edhe sot është që ende ruaj kontakte të forta me miqtë e shkollës dhe shpesh takohemi e bisedojmë për mënyrën se si jeta ka vrapuar pa u ndalur. U rrita pa një prind, por me një nënë të fortë. Sot kam një mirënjohje të thellë për durimin e nënës sime, e cila na bëri të jemi të fortë dhe të dashur me këdo.

CMG: Cila ka qenë mbështetja juaj më e madhe në jetë ?
Antonela Hako: E citova pak faktin që unë kisha dhe vijoj të kem një lidhje të jashtëzakonshme me nënën time dhe falë kontributit të saj mirërritjen tonë cilësore. Një grua e fortë, e cila përballë çdo vështirësie nuk u ndal kurrë për të treguar lodhjen e saj. Me maturinë dhe qetësinë e duhur ajo na përcolli vlerat më të larta që duhet të ketë një njeri në jetë dhe këto vlera sot ne i shfaqim në shoqëri.

Me rritjen nuk mund të them që motra dhe vëllai nuk kanë qenë objektiv për jetën time. Ata kanë qenë aty  përmes seriozitetit apo humorit një ndërthurje, që e kanë bërë për të më lehtësuar gjithçka që kam pasur nevojë. Vatra e familjes është aq e ngrohtë sa kurrkush nuk mund të zëvendësojë askënd.

Po ashtu edhe bashkëshorti im ka qenë një nga suportet më të mëdha në jetën time. Jo vetëm në aspektin e biznesit, pasi biznesi ka marrë jetë falë të dyve. Partneri im ka qenë aty për mua gjithnjë kur kam pasur nevojë. Më ka treguar se sa e shtrejtë dhe e fortë duhet të jetë dashuria dhe respekti ndaj vetes. Më ka zgjuar dhe zhvilluar ëndrrat dhe  i ka bërë ato më të forta, duke u dhënë jetë në kuptimin e plotë të fjalës. Këta kanë qenë njerëzit dhe vijojnë të jenë udhërrëfyesit e mi të përhershëm.

Antonela Hako ( foto personale)

Antonela Hako ( foto personale)

CMG:  Si ka zënë fill historia e biznesit tuaj ?
Antonela Hako: Biznesi ynë ka nisur në një moment të vështirë të jetës sonë. Si shumë të rinj, fati i të cilëve fillimisht nisi në emigrim e më pas u rikthyen në Shqipëri, ashtu ishim edhe ne. Emigruam në një vend të huaj, por ëndrrat dhe synimet ishin përherë të riktheheshim dhe jetën ta zhvillonim këtu në atdhe. Dashuria e këtij vendi na thërriste për të bërë më pas hapin më të rëndësishëm që ishte themelimi i kompanisë "Hako sh.p.k".

Jemi kthyer në Shqipëri në vitin 1994. Ajo që ne bëmë si fillim ishte që vizituam vendin tonë për të kuptuar nëse ishte apo jo në zhvillimin apo standardet e duhura tashmë. Aty kuptuam që Shqipëria kishte ecur dhe ishte në një klimë të favorshme biznesi. Patjetër që edhe për ne mbetet një sfidë pasi shkëputëm çdo gjë që kishin krijuar dhe u rikthzem në Shqipëri për të bërë biznes.

E nisëm punën në një dyqan të vogël diku pranë gjimnazit "Partizani".  Kujtoj që e kemi nisur me produkte shumë të vogla, të cilat i mungonin tregut dhe ishin risi për kohën e atëhershme. Më pas këto produkte i zhvilluam dhe pasi pati një masivitet pranueshmërie për to, vendosëm që të ishim më tepër prezent në treg me më shumë produkte.

Ndërtuam një dyqan edhe më të madh. Ato para qe ne kishim mbledhur nga dyqani ynë i vogël i zhvilluam dhe blemë më shumë hapësirë, më shumë mjete dhe mbi të gjitha u shtuam në staf. Kur u rritëm  më shumë, atëherë u themelua vërtet kompania. Përveç shtimit të gëzimit që ne arritëm një hap aq të madh u shtua edhe përgjegjësia. Fillimisht ne përdorem çfarë mundëm për ta ngritur atë hapësirë gjigante, por me kalimin e kohës përsosëm prodhimin dhe mënyrën e të prodhuarit.

Kështu që historiku edhe i imi si drejtuese dhe si një nga krijuesit daton bashkë me HAKO-n. Jam rritur bashkë me HAKO-n.

Antonela Hako ( foto personale)

Antonela Hako ( foto personale)

CMG: Cila është lumturia më e madhe që keni marrë nga kompania?
Antonela Hako: Lumturia është shumë relative, por për mua lumturi do te mbetet në të gjitha kohërat momenti kur makineritë e vjetra zëvëndësonin të rejat dhe kështu ne rriteshim në kompani.

CMG: Cila ka qenë sfida juaj më e madhe në kompani?
Antonela Hako: Sfidë është çdo vendimmarrje për të ndryshuar strukturën në tregun tonë, sepse jemi një kompani aq e madhe saqë patjetër do kemi edhe momente tepër sfiduese, të cilat do të na marrin kohë dhe mundim deri në arritjen e një rezultati final.

CMG: Cilat janë tiparet tuaja si grua në karrierë që nuk kanë ndryshuar kurrë ?
Antonela Hako:  Unë e fus veten tek njerëzit e thjeshtë që e duan jetën dhe bëjnë çdo gjë në formën më të rregullt dhe të natyrshme të mundshme. Vishem thjesht dhe jetoj thjeshtë. E dua veten dhe botën që më rrethon dhe ja shquaj mirësitë që zoti më ka dhënë. Një nga vlerësimet më të mëdha që marr shpesh është që nuk kam ndryshuar dhe kështu kam qenë përherë. Për këtë mirënjohja i shkon mamit tim, e cila ka ushqyer tek unë ndjenjën e barazisë dhe të dëshirës së mirë për të arritur gjëra në  jetë .

CMG: Çfarë roli ka pasur bashkëshorti juaj në rrugëtim e biznesit?
Antonela Hako:  Të dy ne i kemi vendosur gurët e themelit në këtë biznes. Ai është vizioni, njeriu i mençur, unë krahu i djathtë që mbështes pa frikë. Të guximshëm të dy. Gjithashtu ai ka pasur fatin të trajnohet jashtë dhe falë zanatit të tij si inxhinier, ai ka ditur të bëjë zbërthimet dhe ndikimin e elementëve përbërës të produkteve. Kështu garantojmë produkte të sigurta për konsumatorët. Ka treguar dashamirësinë për të më ofruar gjithçka që më duhej në momentin e duhur dhe kjo ma ka bërë jetën edhe më të bukur.

Antonela Hako ( foto personale)

Antonela Hako ( foto personale)

CMG: Cilat janë vlerat e Hakos ndryshe nga kompanitë e tjera ?
Antonela Hako: Hako nuk shet, por prodhon. Çdo produkt i yni është një shije e dëshiruar dhe e kërkuar nga vetë konsumatori dhe ne jemi përpjekur, madje kemi qenë të parët, që jemi përqasur tek klienti në bazë të normave dhe standardeve europiane.

Besimi tek njerëzit, përgjegjësia shumë e madhe dhe transparenca me klientin. Klienti i Hako-s konsumon atë që paguan dhe që i përshtatet shijes që ka zgjedhur. Ai është i sigurtë për standartin dhe i garantuar për përmbajtjen.

CMG: Kush ju ka udhëzuar drejt biznesit?
Antonela Hako: Kam mësuar çdo gjë vetë sepse në atë kohë nuk ka pasur as udhërrëfyes dhe as njerëz të përgatitur mjaftueshëm në këtë sektor. Hako është rritur bashkë me dijet tona për atë kompani pasi jemi përpjekur të marrim në formën e drejtpërdrejtë, shembujt më pozitive të mundshëm dhe ti përkthejmë ato në arritje.

CMG: Një nga asetet tuaja është edhe bamirësia. Nga kush e keni trashëguar atë ?

Antonela Hako: Unë do të doja shumë që filantropia të mos bërtitej. E di kur e ndjej unë veten të vlerësuar? Filantropia është diçka e brendshme, them se ka të bëjë me besimim, me mënyrën si je rritur, me çfarë edukate të kanë përcjellë prindërit. Nëna ime e mbante derën gjithmonë hapur për njerëzit. Vjehra ime po ashtu dhe sa herë mundet ndan me njerëzit çfarëdo të ketë mundësi.

CMG: A është e vështirë të jesh grua në karrierë ?
Antonela Hako: Që prej momentit që mora drejtimin e Dhomës Ekonomike të Gruas kjo pyetje më është bërë shpesh. Gratë flasin shumë për këtë temë, por është duke u luftuar pak .Gruaja është në çdo hallkë të vendimarrjes dhe duhet të jetë e përfaqësuar kudo . Gratë janë të fuqishme, por nuk e dinë apo nuk e njohin çfarë fuqie ato kanë . Mendoj dhe vazhdoj të them me forcë se sa më shumë të mbështesin njëra -tjetrën, aq më shumë do të arrijnë në jetën e tyre .

Intervistoi  Megi Latifi