Tre ditë para ndërrimit të viteve, Orkestra e Harqeve e Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”, në Durrës” organizoi një koncert festiv, ku u luajtën pjesë nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj.
Në kuadër të 70-të vjetorit të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Qendra Kulturore “Aleksandër Moisiu” organizoi shumë evente gjatë fundvitit, ndët të cilat edhe një koncert gala me interpretimin virtuoz nga Orkestra e Harqeve Durrës.
Kjo mbrëmje e veçantë e përgatitur me mjaft përkushtim artistik, u dhuroi artdashësve të Durrësit një atmosferë të ngrohtë festive.
Pas çdo pjese të interpretuar, ndihej pjesëmarrja e publikut që e shoqëronte orkestrën me duartrokitje.
Koncerti erdhi nën dirigjimin e Petrika Afezolli, me interpretim nga mexo-sopranoja Olta Juba.
Mexo-sopranoja Olta Juba (Foto nga Facebook)
Programi artistik koncertor karakterizonte risi, orkestrim e interpretim jo vetëm dinamik, por edhe emocional, i cili dallohej nga dirigjimi elegant i Petrika Afezollit si dhe vitaliteti i Orkestrës së Harqeve.
Në program bënin pjesë “Suitë ballkanike” nga Moni Kuriçi, “Mesnatë” nga S.Kushta, “B’esame mucho” e C. Velazkues, “Karmen- Habanera” nga Bize, “Serenadë për Orkestër Harqesh” nga J. Suk.
Premiera e kësaj mbrëmjeje orkestrale ishte vepra e kompozitorit durrsak Moni Kuriçi “Suitë ballkanike”, si dhe vepra e njohur “Serenadë” e kompozitorit çek Josef Suk.
Koncerti mori formën e vet edhe me interpertimin e këngëve e pjesëve operistike kur në skenë u ngjit mexi-sopranoja e talentuar Olta Juba.
Orkestra e Harqeve Durrës (Foto nga Facebook)
Ajo interpretoi një pjesë nga opera “Karmen”, të cilën publiku e përshëndeti me duartrokitje të shumta.
Publiku durrsak i cili pati mundësinë e hyrjes së lirë, tejmbushi sallën e Pallatit të Kulturës duke duartrokitur pas çdo pjese të interpretuar nga artistët.
Galaja koncertore nga Orkestra e Harqeve Durrës ishte një mbrëmje dhe dhuratë magjie, ku momentet festive të fundvitit kaluan me emocione të bukura, performancë të shkëlqyer, muzikë të mirë dhe art të vërtetë.
Përgatiti: Sava Lena