Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk (Foto ATSH)
Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se ka gjurmë të krimeve të luftës dhe ndoshta edhe krimeve kundër njerëzimit në luftën e Gazës.
Türk përmendi sulmin ndaj Izraelit më 7 tetor, duke përfshirë të shtënat pa dallim në Izrael dhe veprimet ushtarake kundër objekteve civile, citon “ATSH”.
“Nëse shikoni se si reagoi Izraeli, kam shqetësime të mëdha për pajtueshmërinë e tij me të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar humanitar”,- tha ai lidhur me përgjigjen e Izraelit.
Ai shtoi se 70% e të prekurve nga bombardimet e rënda izraelite ishin gra dhe të mitur.
“Mund të supozohet se shumica e atyre që janë plagosur janë civilë. Për më tepër, ndëshkimi kolektiv i palestinezëve është një krim lufte. Sigurisht, gjykatat duhet të gjykojnë përfundimisht se kush ka kryer cilat vepra”,- theksoi ai.
Türk tha se ka të dhëna se mund të jenë kryer krime kundër njerëzimit.
“Në funksion të bombardimeve joproporcionale dhe shumë të rënda, të kombinuara me mungesën e ndihmës efektive humanitare, ka shqetësime serioze që duhet të shqyrtohen më nga afër”,- tha ai. (Elona)