Jaka: Kapitali njerëzor të mbetet në Shqipëri, biznesi dhe qeveria të hartojnë politika
2024-01-04 10:34:25

Profesion (Foto Atural Hearing Centers)

Profesion (Foto Atural Hearing Centers)

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, është ndalur gjerësisht te problemet e rekrutimit të punonjësve, si një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet sipërmarrja dhe që kërkon zgjidhje si problem nga Dhoma ekonomike që drejton.

Z. Jaka thotë se nëse do të kishte një mirëmenaxhim, Shqipëria nuk do të kishte nevojë të rekrutonte punonjës nga jashtë, por mund të shfrytëzonte kapacitetet që ka, duke frenuar emigrimin me politikat e duhura.

“Shqipëria në kushtet aktuale nuk mendoj që ka nevojë për të kërkuar kapital njerëzor nga jashtë, nëse do të shfrytëzoheshin siç duhet resurset që ne kemi brenda territorit tonë, pra duke shfrytëzuar kapitalin njerëzor shqiptar, në mënyrë që mos të kemi një ikje të tyre për t’u stabilizuar jashtë. Kjo vjen gjithmonë nëse kemi një ofertë të mirë, pra një kapital njerëzor të specializuar në mënyrën e duhur, me ekspertizën e duhur, në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit. Pse duhet të rrijë në Shqipëri me një pagë të pakënaqshme nëse ka një ofertë në një tjetër vend të BE-së, apo qoftë dhe të Ballkanit Perëndimor që plotëson dhe nevojat dhe kërkesat ekonomike?”,- deklaroi Jaka.

Rrugët për të nxitur kapitalin njerëzor të qëndrojë në Shqipëri, për Jakën janë të qarta.

“Në këtë këndvështrim, është sfidë për sipërmarrjen në radhë të parë, për të ridimensionuar gjithë biznesin e tyre dhe për të parë analizën e kostos dhe benefitit, por nga ana tjetër është dhe një binom, për të arritur që ky kapital njerëzor të ngelet në shqipëri. Qeveria duhet të ndërmarrë politika, qoftë nëpërmjet aftësimit të kapitalit njerëzor për punësim sipas profesioneve të kërkuara të biznesit, qoftë për subvencionet që mund të bëjë për sigurimet shoqërore apo për pagat e ndryshme, apo lehtësirat tatimore që do të bëjnë pagat sidomos për ekspertët të domosdoshëm në ekonominë e vendit, por pse jo të mundësojë dhe shkurtim të sistemit fiskal kur kemi të bëjmë me punësimet fillestare të sapo diplomuarve”,- tha Jaka.

Për të arrritur një menaxhim të mirë të situatës sipas sipërmarrësve kërkohet një angazhim qeveri-biznes.

“Nevojitet një kombinim i saktë i qeverisë nga njëra anë dhe sipërmarrjes nga ana tjetër. Tashmë nuk jemi në vitet ‘90 apo 2000, kur biznesi kërkonte më shumë nuhatje apo muskuj sesa laps, sot jemi në një kohë tjetër, jemi në kohën digjitale, jemi në kohën e ekonomisë globale, jemi në kohën ku kapitali njerëzor mund të punojë edhe nga shtëpia dhe mund të pranojë ofertën në anë të tjera të botës, ku mund të punojë dhe 24 orë nëse i reziston gjumit, sepse 12 orë punon për një zonë ku koha është në kohë pune dhe pjesa tjetër punon në kohën tjetër. Pra, kemi të bëjmë me një analizë të qartë që qeveria dhe biznesi duhet të hartojnë së bashku politika, në mënyrë që të jetë sa më e vogël kërkesa për kapital njerëzor të importuar. Mendoj se kur ka vullnet, çdo gjë realizohet. Vullneti i mirë i bazuar në nevoja konkrete mundëson që të ketë dhe rezultate konkrete”,- u shpreh Jaka.

Nikolin-Jaka (Foto Dhoma e Tregtise dhe Industrise Tirane)

Nikolin-Jaka (Foto Dhoma e Tregtise dhe Industrise Tirane)

Në një intervistë për “Tv Scan”, Jaka ndalet te nevojat që ka Dhoma e Tregtisë, duke pasur parasysh nevojat që ka tregu i punës.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë është Dhoma më e madhe në Shqipëri. Ajo ka përgjegjësinë për peshën specifike të sipërmarrjes shqiptare që zë qarku i Tiranës, gjithmonë avangard, duke pasur në radhë të parë një strategji të qartë në shërbim të sipërmarrjes së Tiranës, por pse jo dhe në shërbim të gjithë sipërmarrjeve që operojnë në territorin e Shqipërisë. Dhoma e Tregtisë është shumë e kujdesshme për të krijuar marrëdhëniet e duhura, dy dhe shumëpalëshe, për të mundësuar lehtësinë e të bërit biznes, por edhe për të ndërmjetësuar dhe për të mbështetur sipërmarrjet, sidomos lidhur me tregun e punës, tregun e kapitalit njerëzor si dhe mundësitë reale për rekrutimet e duhura, duke gjetur dhe specialistët e duhur që i kërkohet ekonomisë dhe sipërmarrjeve në Shqipëri”,- deklaroi kreu i Dhomës së Tregtisë.

Prej vitesh janë organizuar panaire, pikërisht për të përputhur kërkuesit me ofertuesit e punës.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Dhoma e Tregtisë ka rreth 12 vite që organizon panairin “Work and study”. Është shumë e rëndësishme që rinia shqiptare dhe shqiptarët të kuptojnë që duhet të orientohen në mënyrë strategjike dhe me përfitime për qasjet e tyre, për diplomat që do të marrin, në mënyrë që t’i shërbejnë në radhë të parë vetës së tyre, familjes, por edhe ekonomisë së vendit dhe zhvillimit ekonomik. Vazhdon ende të ketë një qasje frekuentimesh për universitetet në Shqipëri, por edhe jashtë, duke mos qenë të orientuar qartësisht se ku janë nevojat e tregut dhe kërkesat e tregut për punësim. Ndërsa mund të dalin juristë dhe ekonomistë pa fund, ndërkohë që tregu vuan për inxhinierë, për ekspertë të ndryshëm, për agronomë, edhe për profesionet që mbase mund të ishin më të prekshëm dhe më shumë të dukshëm për ekonominë dhe industritë e vendit”,- theksoi ai.

Orientimi i tregut të punës që në fakultet është domosdoshmëri për z. Jaka, duke deklaruar: “Rekrutimi i kapitalit njerëzor nga jashtë është më se normale, nuk është vetëm Shqipëria që e bën një gjë të tillë. Madje, ne jemi të fundit që e implementojmë një gjë të tillë. Tregun e punës nuk e komandon dot, pasi kapitali njerëzor është i orientuar për të siguruar vendin më të mirë dhe për të siguruar të ardhme më të mirë, për vetë dhe familjen. Ajo çfarë ne kemi parë si sfidë është krijimi i mundësive reale për një klimë pozitive të rekrutimit të kapitalit njerëzor”.