Foto nga VCG
Kina zhvillon censusin mbi ekonominë kombëtare dy herë në dhjetë vjet. Ky projekt i rëndësishëm kombëtar filloi në vitin 2004 dhe në ditën e parë të vitit 2024 ka nisur puna e regjistrimit për censusin e 5-të ekonomik të vendit.
Këtë herë do të bëhen hetime të gjithanshme mbi përmasat, përfitimet dhe gjendjen e bizneseve të industrisë dytësore dhe asaj tretësore, me synim që të kuptohet qartë gjendja e ndërmarrjeve dhe bizneseve të ndryshme.
Përfshihet ekonomia e “tre të rejave”
Më parë Kina ka zhvilluar census ekonomik përkatësisht në vitet 2004, 2008, 2013 dhe 2018. Në këtë census do të shtohen hetimet mbi ekonominë e “tre të rejave” (industritë e reja, formatet e reja dhe modelet e reja të biznesit) të Kinës.
Drejtori i politikave strategjike të Institutit të Makroekonomisë të Kinës, Sheng Chaoxun, në një intervistë për CMG-në tha që ekonomia e “tre të rejave” tani është bërë motori i ri për zhvillimin ekonomik të Kinës dhe është një pjesë e rëndësishme përbërëse e produktivitetit me cilësi të re.
Sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave, në vitin 2022 vlera e shtuar e ekonomisë së “tre të rejave” ishte mbi 21 trilionë juanë, 6.5 % më shumë se në vitin 2021, duke u ngritur në 17.36 % të GDP-së, nga 15.7% që ishte në vitin 2017. Krahas kësaj, edhe treguesi i zhvillimit të forcave të reja shtytëse të ekonomisë në vitin 2022 arriti në 766.8, nga vetëm 100 që ishte në vitin 2014.
“Nga të dhënat statistikore mund të shohim qartë rritjen e përgjithshme të pesë treguesve kryesorë, pikërisht mbi ekonominë e internetit, nxitjen e inovacionit, gjallërinë ekonomike, aftësinë intelektuale dhe ndryshimin e modelit të zhvillimit. Ndër to, treguesi i ekonomisë së internetit shënoi rritje më të shpejtë dhe, për këtë arsye, në censusin ekonomik të këtij viti është përfshirë ekonomia e ‘tre të rejave’. Kështu mund të pasqyrohen në mënyrë më të gjithanshme arritjet e zhvillimit me cilësi të lartë të vendit,” shpjegon drejtori Sheng.
Foto nga VCG
Për herë të parë, hetime mbi investimet dhe prodhimin
Përveç ekonomisë së “tre të rejave”, në censusin e këtij viti do të zhvillohen për herë të parë hetimet mbi investimet dhe prodhimin e sektorëve të ndryshëm.
Me hetimet mbi investimet dhe prodhimin mund të merren të dhënat mbi strukturat e hollësishme të investimit dhe përdorimin e burimeve të tjera lidhur me sektorët dhe produktet përkatëse. Me këto të dhëna mund të bëhen studime dhe menaxhime makroekonomike. Ndërkohë, ndërmarrjet dhe bizneset mund të njohin nëpërmjet këtyre hetimeve shpenzimin e koston, përdorimin e burimeve e të pajisjeve, si edhe gjendjen e shitjes së produkteve gjatë procesit të prodhimit.
Drejtori i Qendrës së Censusit të Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Liu Wenhua u shpreh për gazetarin e CMG-së se “me hetimet mbi strukturat e investimeve, do të kuptohen më mirë lidhjet ekonomike mes sektorëve të ndryshëm të vendit. Kështu, mund të ngrihet më tej efektiviteti i punëve të censusit dhe të nxitet integrimi e lidhja e të dhënave totale dhe të dhënave strukturore”.
Inovacion në metodat e censusit
Sipas qarkores nga Këshilli i Shtetit, në censusin e 5-të ekonomik, do të përdoren metoda të reja inovative.
Së pari, do të përdoren gjerësisht të dhënat administrative të organeve e sektorëve përkatës dhe do të nxitet përdorimi i licencave dhe certifikatave elektronike gjatë mbledhjes së të dhënave.
Së dyti, do të zhvillohet censusi me kombinimin e plotësimit të formularit në internet dhe mbledhjes së të dhënave në mjedis real. Me këtë metodë të informatizuar, mund të ngrihet efektiviteti i trajtimit të të dhënave të censusit.
Së treti, do të organizohen në internet dhe me prani konkrete trajnimet për punët përkatëse dhe do të mbështeten subjektet e censusit të dërgojnë vetë të dhënat e censusit, çka mund të nxitë punët përkatëse në mënyrë më shkencore, më të rregullt dhe më efikase.
Foto nga VCG
Mbështetje shkencore dhe e saktë për modernizimin
Censusi ekonomik është një hetim i rëndësishëm për gjendjen dhe fuqinë ekonomike të vendit. Krahas censusit ekonomik, në Kinë ka edhe census kombëtar mbi popullsinë dhe bujqësinë. Këto tre censuse formojnë projektin e përgjithshëm për gjendjen e zhvillimit të Kinës.
Censusi ekonomik në fakt është një inventarizim i përgjithshëm për gjendjen reale të ekonomisë kineze, që mund të pasqyrojë në mënyrë objektive gjendjen e zhvillimit ekonomik të Kinës.
Drejtori Sheng Chaoxun u shpreh: “Me censusin ekonomik, mund të konsolidohet më tej baza e punëve statistikore dhe të nxiten reformat për modernizimin e statistikave. Kjo mund të ofrojë mbështetje shkencore dhe të saktë për përmirësimin e menaxhimit makroekonomik, hartimin në mënyrë shkencore të projekteve të zhvillimit afatgjatë e afatmesëm dhe ndërtimin e një vendi modern socialist.”
(Jiang Lei)