Është vetëm 4 vjeçe, por me origjinalitetin e saj dhe mënyrën se si komunikon me audiencën, Megan Alickolli është kthyer në një personazh shumë të dashur. Mamaja e saj, Dorela, tregon për Radio Ejani se gjithçka ka qenë e rastësishme dhe se nuk e kishte në planet e saj që vajza të bëhej virale. Sot, ajo po kujdeset më së miri për imazhin e vajzës, duke treguar dhe shumë kujdes për shkak të moshës. Së bashku, nënë e bijë ndajnë edhe një kartolinë urimi.
CMG: Dorela si ka qenë momenti kur jeni bërë nënë?
Dorela Koldashi dhe Megan Alickolli ( foto personale) 3
Dorela Koldashi: Ka qenë një nga momentet më magjike. Megan ka qenë shumë e dëshiruar dhe e prisja me shumë emocion e dashuri. Ka qenë një fëmijë shumë i shëndetshëm kur lindi. Ka qenë bekim për ne.
CMG: A ka diferenca për rritjen e fëmijëve dikur dhe sot?
Dorela Koldashi: Ka disa diferenca të cilat janë të dallueshme. Unë jam rritur në një familje të vogël, me dy prindër mësues. Sot e kam shembullin e duhur për të qenë një nënë e mirë. Në ditët e sotme ndryshon mënyra se si rritet një fëmijë dhe mënyra se si perceptojmë ne vetë fëmijët se si rriten apo zhvillohen. Ka disa fraza që unë ia them vajzës sime, të cilat dikur m’i thoshte ime ëmë. Mendoj se procesi vjen duke ndryshuar në varësi të kohës, por deri diku prindërimi është i trashëguar. Nëse je rritur në një familje që të kanë trajtuar mirë, patjetër që edhe ti do t’i trajtosh mirë fëmijët e tu.
CMG: Ke pasur mbështetje në fillim kur ke lindur vajzën?
Dorela Koldashi dhe Megan Alickolli ( foto personale)
Dorela Koldashi: Unë e kam shijuar procesin e lindjes së vajzës, sepse ka qenë një gjë që e kam dëshiruar shumë. Jam e fiksuar pas saj dhe kam dëshiruar që çdo proces ta bëja vetë. Kam pasur mbështetjen e familjarëve, edhe pse kam dëshiruar që t’ia dilja vetë në mënyrën më të mirë të mundshme. S’mund të mohohet mbështjetja nga bashkëshorti, po ashtu si unë, pa eksperincë në këtë fushë. Ne jemi prindër të rinj. Fillimisht jam përpjekur që të lexoj shumë mbi procesin e lindjes dhe gjithë zhvillimin e prindërimit. Të dy ne kemi pasur besimin e plotë se do t’ia dilnim dhe kështu ndodhi.
CMG: Si vendosët për të zgjedhur emrin Megan për vajzën tuaj?
Dorela Koldashi: Unë dhe partneri im kemi qenë të fiksuar për të gjetur një emër të veçantë. Të dy dëshironim një vajzë. Edhe pse jam munduar për të gjetur një emër për vajzën, atë e gjeti bashkëshorti im. Ne dëshironim një emër me potencial të lartë për të, por edhe që t’i shkonte si e vogël, adoleshente edhe kur të rritet. Dëshirat tona u plotësuan tërësisht dhe sot shohim që kemi një vajzë aq të këndshme, e cila padiskutim do të rritet me shumë dashuri.
CMG: A e kishit menduar ndonjëherë që Megan do të bëhej kaq e dashur për publikun?
Dorela Koldashi dhe Megan Alickolli ( foto personale)2
Dorela Koldashi: Jo asnjëherë. Ne e kemi shijuar rritjen e saj. Falë shkathtësisë që ka është evidentuar në rrjet. Ajo tërheq për mënyrën se si flet, humorin që ka dhe mbi të gjitha sinqeritetin.
CMG: Megan është shumë skenike dhe tashmë kanë filluar edhe bashkëpunimet me bizneset.
Dorela Koldashi: Kërkesa ka pasur shumë. Unë jam një nënë shumë e angazhuar dhe e dua shumë jetën. Megan duhet të ketë një jetë të bukur fëmijërore, më pas do të ketë kohë për të punuar. Nuk i kam thënë jo bashkëpunimeve, por kam lënë Meganin të zgjedhë. Nëse ajo dëshiron të bëjë diçka, unë jam thjesht aty për ta mbështetur dhe jo sforcuar, pasi është thjesht një fëmijë.
CMG: Megan, ty të pëlqen që je e famshme në rrjete sociale?
Megan Alickolli: Po, sepse të gjithë më njohin dhe më përshëndesin.
CMG: Dorela, kjo bisedë do të jetë edhe si një kartolinë. Pas shumë vitesh, çfarë do të doje që Megan të lexonte?
Megan Alickolli ( foto personale)
Dorela Koldashi: Kur të rritet do t’i thosha, edhe pse ia them edhe tani, që të jetë e bindur në veten e vet. Ne i themi shpesh se është e bukur, është e mirë, ndërsa ajo në çdo hap që hedh na pyet nëse jemi krenarë për të. Dua ta edukoj me këtë frymë. Dua që ajo të jetë një vajzë e pavarur dhe ta dojë shumë veten. Mamin do ta ketë përhërë në krah.