Qendra e Hekurudhës pranë Punistes "LUban" në Tajlandë / foto nga CMG
Në një konkurs të robotëve për automatizimin industrial në Tajlandë, që u zhvillua në qershor 2023, grupi nga Kolegji i Teknologjisë "Ayutthaya", i përbërë nga pesë studentë, u shpall kampion. Kjo ishte hera e parë që kjo shkollë fitonte medaljen e artë në këtë konkurs kombëtar. Sipas rektores së kolegjit, Mayuree Sriraboot, ky sukses vjen nga fakti që këta pesë studentë kanë mësuar në Punishten "Luban" të Tajlandës, ndërkohë që "Ayutthaya" është përfshirë ndër kolegjet teknologjike më të mira në Tajlandë, falë krijimit të Punishtes "Luban", e para në mbarë botën.
Punishtja "Luban" jo vetëm ka përgatitur talente teknike për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë", por ka ndryshuar edhe jetën e shumë të rinjve vendës.
"Jam Teerapat Saradam, i diplomuar në Kolegjin Teknologjik 'Ayutthaya'. Kam studiuar në Punishten 'Luban', një program bashkëpunimi Kinë-Tajlandë. Ishte një nder për mua që mora pjesë në këtë program, duke studiuar në degën e mekatronikës."
Teerapat Saradam ështe ndër studentët e parë të Punishtes "Luban". Ai fitoi një bursë të plotë studimi në Kolegjin Teknologjik Profesional "Bohai" në Tianjin të Kinës. Ai i tha gazetarit të CMG-së se eksperienca e studimit në Tianjin ia zgjeroi horizontin. Saradam mendonte se studimi profesional ishte për teknikat e riparimit të makinave, por kurset në Kinë ishin më të pasura, veçanërisht ai që integronte teknologjinë inteligjente me jetën e përditshme i ka lënë përshtypje të thella. Gjatë studimit në Tianjin, Saradam projektoi së bashku me bashkëstudentët kinezë një aplikacion celulari dhe fitoi çmim në një konkurs të mjeshtërive profesionale në Tianjin.
"Ky aplikacion ndërlidh njohuritë teknologjike, estetikën dhe jetën e përditshme. Ai mund të skanojë fytyrën e klientëve dhe të analizojë se cili lloj makijazhi dhe cila ngjyrë përshtaten me këtë fytyrë, duke u krijuar kështu klientëve më shumë lehtësi në zgjedhjen e produkteve të makijazhit. Po të mos shkoja në Tianjin, mendoj se nuk do të isha në gjendje ta krijoja këtë vepër," tha Teerapat Saradam.
Studentët në Punisten "LUban" në Tajlandë / foto nga CMG
Duke kujtuar shtatë vjet të Punishtes "Luban" në Tajlandë, themeluesi i palës tajlandeze i këtij instituti dhe ish-rektori i Kolegjit Teknologjik "Ayutthaya" të Tajlandës, Jarun Youbrum, thotë:
"Punishtja 'Luban' në Tajlandë ka pasur mbështje të madhe nga pala kineze, e cila jo vetëm na ofroi pajisje të përparuara mësimdhënieje, por edhe i përgatiti mësuesit tajlandezë lidhur me metodat e mësimdhënies. Po ashtu, pala kineze jep edhe bursa për studentët tajlandezë për të studiuar në Kinë."
Klasa në Hekurudhën pranë Punistes "LUban" në Tajlandë / foto nga Xinhua
"Jam shumë i kënaqur që mora pjesë në këtë program të Punishtes 'Luban'. Nga arsimi në Kinë fitova përvojë të çmuar dhe njoha shumë miq kinezë. Kjo është një eksperiencë shumë e vyer. Arsimi profesional kinez ka ecur me hapin e kohës dhe i ka kushtuar rëndësi të madhe novacionit. Mendoj që, nëse brezi i ri i tajlandezëve ka mundësi të studiojë në Kinë dhe të kontribuojë për atdheun me njohuritë e fituara në Kinë, kjo do të jetë një gjë shumë e mirë për zhvillimin individual dhe të mbarë vendit," theksoi ai.
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë ndërmarrje kineze janë shtrirë në tregjet në vende të tjera dhe shumë prej tyre kanë bërë investime në Tajlandë. Kështu, talentet teknologjike tajlandeze, që njohin edhe kinezishten, janë shumë të kërkuar. Shumë të diplomuar nga Punishtja "Luban" kanë gjetur punë të kënaqshme.
Z. Jarun Youbrum tha: "Gjatë shtatë vjetëve të kaluar, 80 për qind e të diplomuarve në këtë kolegj janë punësuar, ndërsa 20 për qind të tjerë vazhdojnë studimet. Deri tani, kolegji kinez i bashkëpunimit regjistroi afro 500 studentë nga Punishtja 'Luban' në Tajlandë. Të rinjtë kanë shumë dëshirë të studiojnë në Kinë."
Qysh nga krijimi i Punishtes "Luban" në Tajlandë në vitin 2016 e deri më sot, kolegjet kineze kanë krijuar një numër punishtesh të tilla në bashkëpunim me mbi 20 vende në Azi, Afrikë dhe Evropë, si edhe kanë përgatitur dhjetëra mijë talente vendëse, duke i ndihmuar në punësimin e tyre. (Wang Lei/ Artan)