Strategji kombëtare për goditjen e pastrimit të parave
2024-01-03 09:46:42

Pastrim parash (Foto Gazeta Monitor)jpg

Pastrim parash (Foto Gazeta Monitor)

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se Shqipëria korri sukses duke dalë nga lista gri e pastrimit të parave falë ndërveprimit të të gjithë aktorëve. Këto komente Balluku i bëri në mbledhjen vjetore të Komitetit Bashkërendues të Luftës Kundër Pastrimit të Parave. Në mbledhjen me prezencë të plotë të të gjithë aktorëve, Balluku tha se nevojitet hartimi i një strategjie kombëtare, me anë të së cilës të luftohet fenomeni i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizimit.

“Vitit 2023 ka qenë një vit padyshim i suksesshëm për Shqipërinë në këtë drejtim, jo vetëm përsa i takon vlerësimit shumë pozitiv për daljen e Shqipërisë nga lista gri e FATF, por edhe për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të legjislacionit të Bashkimit Europian. Ky moment pozitiv për Shqipërinë ka ardhur si rezultat i një pune shumë të madhe të të gjithëve ne, ku një rol mjaft të rëndësishëm ka pasur edhe konsolidimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi, edhe institucionet e reja të krijuara si SPAK, institucione të cilat kanë mbështetur punën e institucioneve tradicionale ligj zbatuese duke dhënë impaktin e daljes së Shqipërisë nga lista gri e FATF”,- tha zv.kryeministrja.

Balluku e konsideroi përpjekje të vazhdueshme luftën kundër pastrimit të parave.

Belinda Balluku (Foto Facebook) jpg

Belinda Balluku (Foto Facebook)

“Ky takim i Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave është një angazhim i përbashkët për të vijuar luftën kundër krimit financiar në përgjithësi dhe në veçanti pastrimit të parave përmes hetimeve, dënimeve, sekuestrimeve dhe konfiskimeve. Vitet e fundit e kam ndjekur nga afër progresin e Shqipërisë në kuadër të raportimeve të ICRG dhe FATF, ku për shkak të gamës së gjerë dhe gjithëpërfshirëse të masave të kërkuara dhe të realizuara nga institucionet e pranishme në këtë tryezë është vrenjtur një angazhim dhe koordinim efikas mes institucioneve tona për një përfaqësim sa më të mirë në organizmat monitoruese ndërkombëtare”,- tha ajo.

Zv. kryeministrja Balluku shpjegoi detyrimet që ka vendi për të qëndruar jashtë listës gri nga Komisioni Europian. Qeveria shqiptare ka investuar në rrijten e kapaciteteve të institucioneve dhe investimeve në sistemet teknologjike për të rritur efektivitetin e proceseve të punës. Inteligjenca artificiale do të jetë pjesë edhe e operacioneve për parandalimin e pastrimit të parave.

“Me daljen nga lista gri, Shqipëria mori përgëzime të shumta nga përfaqësuesit e vendeve të tjera për progresin domethënës të vendit, ndaj gjej rastin t’ju falënderoj të gjithë ju, secilin ekip që ka kontribuar në këtë punë të mirë dhe padyshim në përkushtimin dhe angazhimin profesional që keni treguar gjatë këtij procesi. Gjej rastin të sjell në vëmendje edhe përkujdesjen e posaçme të kryeministrit Rama dhe mbështetjen që i ka dhënë gjithë procesit duke vendosur në fokus realizmin e objektivave të kërkuara, proces ky që ka kërkuar angazhim financiar të konsiderueshëm të qeverisë shqiptare dhe kjo dëshmon përkushtimin dhe synimin tonë për konsolidimin e mëtejshëm të një shteti të sundimit të ligjit të barabartë për të gjithë. Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje rritjes së kapaciteteve institucionale të çdo institucioni si dhe investimeve në sistemet e teknologjisë së informacionit me synim rritjen e efektivitetit të proceseve të punës në përgjigje të sfidave të reja të teknologjisë mbarë botërore. Inteligjenca artificiale dhe ndërveprimi midis institucioneve në luftën kundër krimit ekonomik është një synim dhe objektiv madhor i qeverisë shqiptare”,- tha Balluku.

Aktualisht janë ndërmarrë një sërë nismash për luftimin e fenomenit, ku ndër më kryesoret janë krijimi i regjistrit të pronarëve përfitues dhe krijimi i regjistrit të llogarive banka.

“Në fokus të takimit janë disa çështje kryesore. Çështja e parë është miratimi i vlerësimit kombëtar të riskut dhe të planit të veprimit të tij. Dokumente këto shumë të rëndësishme, jo vetëm për përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare, por dhe për parashikim më të saktë të risqeve me të cilat do të përballemi, për të fokusuar aty më shumë burime që kemi në dispozicion. Ky vlerësim është realizuar pas një pune të gjatë të të gjithë institucioneve, duke përdorur metodologjinë e Këshillit të Europës, nën koordinimin e Agjencisë së Inteligjencës Financiare dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë. Ndjekja e objektivave sipas planit të veprimit do të jetë me një rëndësi parësore për të gjithë ne. Gjatë këtij viti kemi pasur dhe një riorganizim të Drejtorisë të Parandalimit të Pastrimit të Parave, duke e kthyer atë në një agjenci të mirëfilltë, e cila është mbështetur nga buxheti i shtetit edhe me shtimin e kapaciteteve njerëzore dhe ekspertëve, por, padyshim edhe atë të teknologjisë, duke e sjellë kështu në të njëjtin nivel me agjencitë e tjera të vendeve europiane, të cilat janë mbështetëse të pandalshme të të gjithë këtij procesi”,- u shpreh Balluku.

Viti që ka nisur kërkon edhe përqendrim në disa drejtime në luftën kundër pastrimit të parave.

Pastrim parash (Foto Monitor)

Pastrim parash (Foto Monitor)

“Pika e dytë e rendit të ditës do të jetë miratimi i disa fushave ku duhet të përqendrohemi gjatë vitit 2024. Padyshim ky si një funksion dhe rrjedhojë e vlerësimit të radhës së Shqipërisë nga “Manival”, i cili fillon në 2025, ashtu siç duhet çdo 8 vite. Për këtë qëllim është çmuar që të bëhen vlerësime stimuluese të ngjashme me ato të “Manival” për të gjitha fushat e efektivitetit, si dhe rekomandime të posaçme teknike që mund të kenë ndryshuar vitet e fundit, apo ku ne nuk jemi ende në nivelin e duhur. Pika e tretë e rendit të ditës do të jetë rikonceptimi i grupit teknik ndërinstitucional të punës, duke e kthyer atë në një organizëm dinamik dhe proaktiv. Me takime të rregullta periodike, duke përfshirë dhe aktorët privatë rilevantë nga sektori financiar apo i atij profesioneve të lira siç janë bankat, noterët etj., qasje e cila sjell një koordinim më të mirë të masave të marra, si dhe përfaqësim si një strukturë e vetme dhe e koordinuar në vlerësimet ndërkombëtare”,- tha Balluku.

Shqipëria duhet të hartojë një strategji të re kombëtare kundër pastrimit të parave. Kjo, sipas Ballukut, do të jetë një udhërrëfyes.

“Në pikën e katërt, synojmë të biem dakord për nevojën e një strategjie kombëtare në fushën e parandalimit dhe goditjes së pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke hartuar dhe miratuar këtë strategji brenda 6-mujorit të parë të vitit 2024. Kjo strategji do të jetë një udhërrëfyes për një sërë procesesh vlerësuese, si dhe do të rrisë efikasitetin e këtij komiteti”,- tha zv.kryeministrja Belinda Balluku.