MJK: Konfrontimi midis kampeve nuk do të sjellë rezultate të mira
2024-01-03 21:00:26

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të mërkurën në një konferencë shtypi se bota nuk mund të kthehet në një gjendje mbylljeje e izolimi dhe nuk mund të ndahet artificialisht. As praktika e përfitimit duke dëmtuar vendet fqinje, as mendësia e konfrontimit mes kampeve dhe as arroganca egoiste nuk do të kenë rezultate të mira në fund.

Foto: VCG

Sipas njoftimeve, drejtorja menaxhuese e FMN-së Kristalina Georgieva tha të martën në një intervistë se, për shkak të rritjes së kufizimeve të sigurisë kombëtare, ekonomia globale do të ndahet përgjatë linjave gjeopolitike. Vendet priren të përfshihen në grupe të ndryshme të udhëhequra përkatësisht nga ShBA-ja dhe Kina. Nëse kjo vazhdon, do ta pakësonte GDP-në globale me 7 për qind.

Për këtë, zëdhënësi i diplomacisë kineze tha se njerëzimi ka vetëm një Tokë dhe vetëm një të ardhme të përbashkët. Qoftë për t’u përballur me sfidat aktuale a për të krijuar një të ardhme të bukur, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkëpunojë. Ajo që i duhet botës më shumë është bashkimi, dhe ajo që duhet të parandalohet më shumë është ndarja, u shpreh Wang. Thelbi i luftës tregtare, i luftës teknologjike dhe ‘shkëputjes’ është politizimi, instrumentalizmi dhe kthimi në armë i çështjeve ekonomiko-tregtare, për të monopolizuar epërsitë e veta të zhvillimit, për të penguar zhvillimin dhe përparimin e tregjeve të reja e të vendeve në zhvillim dhe për t’u hequr 7 miliardë njerëzve të drejtën për një jetë të lumtur. Kjo nuk është as e moralshme, as e qëndrueshme dhe do të ndikojë mbi interesat e përgjithshme të komunitetit ndërkombëtar, vuri në dukje ai.

foto: VCG

foto: VCG

 “Ne duhet të mbrojmë globalizimin ekonomik, të kundërshtojmë me vendosmëri antiglobalizimin dhe pansigurinë, të kundërshtojmë të gjitha format e unilateralizmit e të proteksionizmit, të promovojmë të drejta, mundësi e rregulla të barabarta për të gjitha vendet, të sigurojmë të drejtat e barabarta të zhvillimit të të gjitha vendeve dhe të nxitim zhvillimin dhe lulëzimin e përbashkët,” theksoi Wang Wenbin. (Li Huailiang/Artan)