Arviol Kasemi punon si tastierist prej 15 vitesh, ku ka marrë pjesë në mjaft evente muzikore brenda dhe jashtë vendit. Muzikën Arvioli e ka të trashëguar nga babai i tij, i cili ka qenë një muzikant me përvojë dhe i njohur në rrethin e artistëve. Arvioli edhe pse ka studiuar në fushën e turizmit dhe marketingut, muzikën nuk e ka lënë asnjëherë, pasi është një nga pasionet e tij më të mëdha. Ai ka tre vjet që ka hapur studion e tij muzikore, ku krijon muzikë dhe prodhon materiale muzikore në bashkëpunim me muzikantë dhe këngëtarë të ndryshëm.
Arviol Kasemi ne tastiere (Facebook)
Në një intervistë për Radio Ejani, Arviol Kasemi tregon për pasionin për muzikën, eventet ku ka marrë pjesë si dhe projektet muzikore në të ardhmen.
CMG: Si lindi pasioni për muzikën?
Arviol Kasemi: Rrugëtimi im në muzikë ka qenë shumë i hershëm, pothuajse 15 vite më parë. Ky profesion ka nisur për mua si një pasion, i trashëguar nga babai im Arben Kasemi, i cili po ashtu ka qenë një tastierist i hershëm, muzikant ndër vite që ka shëtitur në të gjithë Shqipërinë. Fillimisht nisi si pasion, por me kalimin e kohës duke punuar me babanë dhe në evente të ndryshme, u shtua dëshira dhe tashmë e shikoj si profesion. Jam ndjerë shumë mirë. Edhe pse në të njëjtën kohë vazhdoja shkollën, muzikën nuk e kam lënë.
Arviol Kasemi (Facebook)
CMG: Cila është dega që ke studiuar në universitet?
Arviol Kasemi: Unë kam mbaruar studimet në bachelor për menaxhim turizëm dhe masterin e kam bërë për menaxhim marketing.
CMG: Ke gjetur ndonjë lidhje midis muzikës, fushës së turizmit dhe marketingut?
Arviol Kasemi: Kanë lidhje sidomos me marketingun, sepse marketingu pothuajse në të gjitha fushat e jetës luan rol të rëndësishëm, pra është një rol kyç për çdo artist. Marketingu për mua ka qenë një shtysë e dëshirës sime për të marrë pjesë nëpër evente të ndryshme. Lidhja me turizmin është sepse më pëlqen të udhëtoj shumë. Prej dëshirës për të udhëtuar jam futur në shkollën e turizmit, ku mora dijet që më duheshin. Dua që muzikën ta lidh me marketingun, sepse pa një reklamë në art nuk ke shumë akses në treg. Kështu që me marketingun përparon shumë në çdo fushë të jetës.
Arviol Kasemi gjate nje eventi (Facebook)
CMG: Cilat kanë qenë eventet artistike ku ke marrë pjesë dhe si je ndjerë në to?
Arviol Kasemi: Kam marrë pjesë në shumë evente, madje edhe në vendet evropiane ku ka shqiptarë. Gjithashtu kam qenë i pranishëm dhe në gëzimet familjare, duke punuar me kolegë të ndryshëm dhe me këngëtarë të mirënjohur. Për mua ka qenë privilegj që të punoj me këngëtarë si Maja, Poni, Altin Shira dhe shumë të tjerë. Pothuajse me 80 për qind të këngëtarëve kam punuar njëherë të vetme. Jam ndjerë mirë në të gjitha eventet që kam qenë i pranishëm, me muzikantë dhe këngëtarë të ndryshëm.
CMG: Ke qenë një periudhë të gjatë në Itali për të punuar. Si ishte si eksperiencë?
Arviol Kasemi: Para dy vitesh u njoha me bashkëshorten time, Klodi Qerimaj, dhe bashkë ndërmorëm një hap tjetër. Menduam të shkonim në Itali, ngaqë ajo kishte jetuar më përpara atje. Kështu që u shkëputëm nga Shqipëria për të nisur një jetë të re në Itali. Në Shqipëri lamë punët tona, duke menduar se në Itali do të ishim më mirë. Jetuam në Itali një vit, por nuk u ndjemë mirë, sepse arti bëhet në vendin tënd. Arti në të gjitha aspektet e veta duhet shprehur atje ku ke lindur dhe je rritur, sepse muzika është ndjenjë e shpirtit dhe shpirti bën rehat aty ku ke njerëzit e tu. Ndaj, prej një viti e lamë Italinë dhe u rikthyem në Shqipëri.
CMG: Gjatë kohës që qëndrove në Itali besoj se ke bërë muzikë dhe je marrë me aktivitete muzikore atje, apo jo?
Arviol Kasemi: Kam marrë pjesë në disa koncerte dhe evente familjare. Jam ndjerë mirë dhe në Itali, por s’na ndahej shpirti nga Shqipëria, sepse këtu kemi dhe shoqërinë, ndaj dhe u khtyem.
Arviol Kasemi ne studio (Facebook)
CMG: Si erdhi bashkëpunimi me artistin Arion Bekuli në Itali?
Arviol Kasemi: Kam bërë një këngë së fundi për Arion Bekulin, “Urata e nënës”, me tekst të Arionit. Kam pak vite që e njoh Arionin. Ne vazhdojmë akoma të bashkëpunojmë dhe pse ai është larg, por i ruajmë kontaktet tona edhe më shumë në projekte të tjera. “Urata e nënës” ishte një projekt të cilin ai e kishte menduar më përpara, por që nuk i ishte dhënë rasti për ta hedhur në studio. Në momentin që isha në Itali e takova nga afër, ku regjistruam te studio e tij zërin dhe doli kënga shumë e bukur dhe e dashur për ne.
CMG: Prej vitesh ke dhe studion tënde muzikore, ku krijon muzikë. Si ka ecur ky projekt?
Arviol Kasemi: Studioja ime muzikore, sikundër është dhe pasioni im, nisi si një dëshirë e imja, sepse duke u marrë me tastierën e kam më të lehtë që të merrem dhe me kompjuterin. Studio ka qenë një ndër ëndrrat e mia të hershme, duke parë dhe muzikantët e mëdhenj që kanë studio të mëdhaja, më ka lindur dëshira për të hapur një studio. Kam gati dy-tre vite që e kam hapur. Kam bërë disa bashkëpunime me këngëtarë dhe muzikantë të ndryshëm. Një ndër ta është dhe vëllai im, Ervis Kasemi, me të cilin bëjmë projekte bashkë. Studion e kam me pasion, aty rri gjatë gjithë ditën. I përkushtohem shumë, pasi aty realizoj krijimtarinë time bashkë me kolegët e tjerë.
Arviol Kasemi.(Facebook)
CMG: Ke qenë i angazhuar nëpër festa gjatë ndërrimit të viteve?
Arviol Kasemi: Muaji dhjetor ka qenë i ngarkuar me evente për çdo artist, gjë që na bën të ndihemi mirë, sepse në Shqipëri po organizohen mjaft evente në lokale me muzikë “live”. Në natën e Vitit të Ri kam qenë në dy evente bashkë me artistin Erik Lloshi.
Dua të falënderoj të gjithë kolegët e mi që kam bashkëpunuar.
Uroj shqiptarët për një 2024 plot mbarësi, shëndet dhe gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj