Më 1 janar, anija e parë gjigante turistike e prodhuar nga Kina, "Adora Magic City", nisi udhëtimin e parë komercial. Anija, që është ndërtuar pas tetë vjetësh studimi dhe pesë vjetësh projektimi, cilësohet nga mediet botërore si "një gur i rëndësishëm kilometrik i industrisë së prodhimit të anijeve të Kinës". Ajo mishëron fjalët e presidentit Xi Jinping në mesazhin e urimit të Vitit të Ri që "Kina po ofron pandërprerë risi”.
Anija gjigante turistike "Adora Magic City"(Foto:VCG)
Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), viti 2023 që sapo lamë pas, është një vit kur ekonomia kineze u rigjallërua pas ndryshimeve të masave të parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë. Pavarësisht vështirësive së shumta, çdo banor kinez ka bërë përpjekje, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm.
Në mesazhin e urimit, lideri kinez tha: “Objektivat tanë janë madhështorë, po gjithashtu edhe të thjeshtë: kërkimi i jetës më të bukur për popullin.” Sipas komentit, "jeta më e bukur" është një dëshirë e thjeshtë e Kinës për zhvillim, por është edhe shpresa e të gjithë popujve të botës.
Vitin e kaluar, bota u ndodh përsëri në zjarrin e konflikteve. Kina ndien hidhërim për humbjen e jetës së njerëzve të thjeshtë dhe sulmet e përgjakshme në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Në vitin 2023, Kina bëri përpjekje të pandërprera për përfundimin e konflikteve, për të dhënë kontribut për zhvillimin dhe për të forcuar shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve. “Sepse Kina e kupton që paqja e zhvillimi janë temat kryesore dhe bashkëpunimi me leverdi të ndërsjellë është rrugëdalja", theksohet në koment.
“Jeta e bukur" e popujve të botës kërkon së pari një mjedis paqësor dhe të qetë. Nga publikimi i dokumenteve mbi qëndrimet e Kinës për zgjidhjen e krizës së Ukrainës dhe të konfliktit Izrael-Palestinë, deri në ndërmjetësimin në nivele të ndryshme, përpjekjet e palës kineze kanë fituar gjerësisht vlerësimin e bashkësisë ndërkombëtare. Për këtë, presidenti i "Aleancës së Udhëheqjes Botërore - Klubi i Madridit” dhe ish-president i Sllovenisë, Danilo Türk, u shpreh që shumë veprime për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë botërore "janë nxitur nga Kina".
Zv. përfaqësuesi i përhershëm i Kinës Geng Shuang shtjellon qëndrimet e Kinës në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit mbi krizën e Ukrainës, qershor 2023(Foto:VCG)
Materialet e ndihmës humanitare të Kinës mbërritën në Gazë, dhjetor 2023( Foto:VCG)
Në koment thuhet se zhvillimi është zgjidhja kyçe e problemeve. Vitin e kaluar, njerëzit në shumë vende kanë vuajtur nga kriza ushqimore e energjetike dhe inflacioni. Kina, si një ndër ekonomitë kryesore të botës, realizoi një rritje prej 5.2 % të PBB-së në tre tremujorët e parë të vitit 2023, duke vijuar rolin e saj si forca më e madhe e rritjes së ekonomisë globale. Nëpërmjet Panairit të Kantonit, Ekspozitës për Tregtinë në Shërbime, Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit dhe Ekspozitës Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit, Kina ka krijuar platforma bashkëpunimi për të ndarë mundësitë e zhvillimit me botën e jashtme.
"Jeta më e bukur" kërkon edhe qeverisje më të drejtë e më të arsyeshme globale. Nga organizimi i Samitit Kinë-Azi Qendrore dhe i Forumit të tretë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë", deri në mirëpritjen e anëtarëve të rinj në BRICS dhe samitin Kinë-ShBA në San-Francisko, Kina ka bërë gjithçka brenda mundësive për të ruajtur rendin ndërkombëtar, duke rritur fuqinë e "Jugut Global" dhe duke i shtuar sigurinë e qëndrueshmërinë botës në transformim e sipër.
Banorë kinezë festojnë Vitin e Ri 2024(Foto:VCG)
Sivjet është 75-vjetori i krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Kina do të vijojë të kryejë si duhet përgjegjësitë e saj si vend i madh për drejtësinë dhe barazinë botërore, duke nxitur reformën dhe hapjen e nivelit të lartë ndaj botës së jashtme, rigjallërimin e ekonomisë botërore dhe modernizimin e vendeve të tjera me realizimin e modernizimit të stilit kinez. Në raportet e publikuara ditët e fundit nga shumë institucione ndërkombëtare vihet në dukje se, krahas përmirësimit të mëtejshëm të situatës në investime, konsum dhe eksport, makroekonomia e Kinës pritet të rimëkëmbet më tej në vitin 2024. (Zhang Yan/Artan)