Ejani, udhëtim me të ardhmen: Ekipi më i ri i vajzave
2023-12-31 17:15:12

Gramshi është një nga qytetet më të rinj të Shqipërisë. Ai numëron diçka më shumë se 63 vjet në ditët e tij. I krijuar në vitet 60 të shekullit të kaluar, ai nisi të frymojë, të jetojë e konkurojë në disa sfera të jetës. Sporti mbetet një dashuri e pa kundërshtueshme për gramshiotët. Prej vitesh funksionin ekipi i djemve në futboll, por edhe ekipi i vajzave në volejboll. Risia, është ekipi i vajzave në futboll, i cili është me i riu në superligën shqiptare.

Futbolli i femrave në Shqipëri numëron vetëm një dekadë e gjysmë jete, që nga aktivitetet e para. Vetëm 10 ekipe luajnë në kampionatin shqiptar, duke ditur veshtirësitë e mbajtjes së tij si dhe mentalitetin e njerëzve sipas të cilit futbolli është sport mashkullor. Në këtë kontekst, iniciativa e Gramshit që të ngrejë një ekip futbolli vajzash merr vlera krejtësisht të veçanta.

Fillimet janë përgjithsisht të vështira. Vajzat që e kanë patur pasion futbollin kanë nisur të shtohen nga dita në ditë duke u bashkuar edhe me të tjera, që e kanë pasur një lidhje me zonën. Natyrisht që të marrurit me sport, është një ogur i mire për një brez të shëndetshëm dhe larg veseve të moshës.

Tashmë Gramshi po konkuron në kampionatin e superligës. Ky është një vit prove për të ardhmen. Por optimizmi në qytet në radhët e të rinjve, është goxha i lartë. Geri, një i ri, që tashmë është shefi i klubit nuk e fsheh krenarinë e nxjerrjes së talenteve që kanë përfaqësuar edhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, me besimin se kjo udhë do të vazhdojë.

Kjo është një histori e re e vajzave dhe e sportit në qytetin e vogël të Gramshit.