Në Algjeri, shumë fëmijë vendas janë quajtur si "Chinois" nga prindërit e tyre, që do të thotë "kinez" në gjuhën franceze. Që prej vitit 1963, kur Kina dërgoi ekipin e parë mjekësor në Algjeri, stafi kinez ka ndihmuar 2.07 milionë të porsalindur në këtë vend dhe ka diagnostikuar e trajtuar më shumë se 27 milionë pacientë, duke u bërë një mikrokozmos i gjashtë dekadave të ndihmës mjekësore jashtë vendit nga Kina.
Kohët e fundit, në Pekin u mbajt takimi i 60-vjetorit dhe vlerësimit të ekipeve mjekësore kineze jashtë vendit. Presidenti kinez Xi Jinping u takua me përfaqësuesit e konferencës. Zyrtarët e lartë kinezë njohën plotësisht arritjet e punës mjekësore të ndihmës së huaj dhe i inkurajuan ata që të "japin kontribut më të madh për nxitjen e ndërtimit të një komuniteti të shëndetit njerëzor”.
Në fillim të viteve ’60-të të shekullit të kaluar, Kina nuk ishte e pasur. Por për Algjerinë që sapo kishte shpallur pavarësinë dhe kërkoi ndihmë urgjente nga bota, Kina ishte e para që dërgoi ekipet e saj mjekësore.
Në vitin 2011, në Tanzani ndodhi një aksident ujor që tronditi botën. Operacioni treditor i shpëtimit nga ekipi mjekësor kinez, bëri që më shumë se 400 të lënduar të shërohen njëri pas tjetrit. Në vitin 2014, kur shpërtheu virusi ebola në Afrikë, ekipet mjekësore të ndihmës së huaj dhe ekspertë nga shumë vende u evakuuan. Megjithatë ekipi mjekësor kinez që ishte në Guinea, u bë ekipi i parë mjekësor që iu dha Medalja e Republikës nga presidenti i këtij vendi afrikan. Edhe pas shpërthimit të epidemisë COVID-19, Kina dërgoi shpejt 38 ekipe ekspertësh mjekësorë në 34 vende, duke nisur ndihmën më intensive dhe më të gjerë humanitare në histori.
Sipas të dhënave statistikore, Kina ka dërguar 30 mijë punonjës mjekësorë në 76 vende dhe rajone, duke ndihmuar në ndërtimin e mbi 130 objekteve mjekësore dhe shëndetësore dhe diagnostikuar e trajtuar afro 300 milionë pacientë.
Sot, si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina është e përkushtuar të përdorë zhvillimin e saj për të ndihmuar vendet e tjera në zhvillim të arrijnë modernizimin, duke përfshirë edhe ndihmën mjekësore. (Xu Guang)