Këngëtarja e njohur Ermira Kola, megjithëse i ka munguar për një periudhë skenave muzikore, nuk është tërhequr nga pasioni i saj, kënga. Me zërin e ngrohtë dhe të thellë, emri i këngëtares Ermira Kola na sjell gjithmonë ndërmend serenatat e bukura korçare, të cilave u ka qëndruar gjithnjë besnike. Prej dy vitesh ajo këndon live te Restorant Serenata Korçare, një ambient familjar, dhe me muzikë të vërtetë shqiptare. Në një intervistë për Bio Folk në Radio Ejani Ermira Kola na tregon për marrëdhënien me muzikën, aktivitetet e saj me muzikën live, por edhe për planet artistike në të ardhmen.
Ermira Kola (Foto personale)
CMG: Këndon prej dy vitesh live bashkë me këngëtarë të tjerë te Restrorant Serenata Korçare. Si ndjehesh tek ky ambjent?
Ermira Kola: Unë këtu ndjehem si në shtëpinë time, ndjehem e vlerësuar nga stafi dhe nga mysafirët që vijnë këtu, sepse e dashurojnë muzikën dhe serenatën korçare. Ne këtu kemi larmi këngësh, që çdo njeri e gjen veten dhe performojmë katër netë në javë për publikun. Jemi tre këngëtarë që këndojmë, këngëtarja Iris Bega, një këngëtare profesioniste e Ansamblit Popullor, këngëtare tiranase që përfshin gjithë trevën e Shqipërisë së mesme, por dhe baladat e bukura tiranase që unë kam filluar t’i mësoj dhe i kam shijuar. Gjithashtu kemi dhe këngëtarin Adi Kadiu, i cili këndon këngët shkodrane dhe ato italiane. Ndërsa unë interpretoj serenatat, këngët e jugut dhe muzikën greke. Kështu kemi një plotësim të natyrshëm të pozicionimit të këngëve dhe mënyrës sesi i rreshtojmë këngët për njerëzit që vijnë në këtë ambient.
Ermira Kola duke interpretuar (Foto personale)
CMG: Ti identifikohesh më tepër për serenatat korçare, por besoj që këndon dhe zhanre të tjera muzikore?
Ermira Kola: Serenata korçare nuk pëlqehet vetëm në Korçë, por në gjithë Shqipërinë, madje ne kemi ardhë në Tiranë dhe tiransit shkojnë në Korçë, sepse qyteti i Korçës është një vend që mirëpret mjaft njerëz. Ata gjejnë vendet ku këndohet kënga me kitare dhe fizarmonikë në mënyrën edhe më natyrale e origjinale të muzikës. Gjithashtu dhe ne këtu plotësojmë të gjitha dëshirat e njerëzve, të cilët nuk kanë mundësi për t’u larguar dhe sigurisht për festat familjare, ditëlindjet, përvjetorë. Kështu që çdo natë ka emocione të ndryshme.
Ermira Kola gjate nje performance ne skene (Facebook)
CMG: Është ngarkesë e madhe për ty të këndosh çdo natë muzikë live?
Ermira Kola: Sigurisht që është, sepse ne jemi familjarë, por do ta bëjmë këtë gjë sepse njerëzit prenotojnë për festat e fundvitit dhe ne jemi në shërbimin e tyre për t’i kënaqur.
CMG: Para shumë vitesh ke qenë më aktive në skenë me këngën. Ndërkohë që tashmë i je dedikuar më tepër të kënduarit live.
Ermira Kola gjate nje programi televiziv (Facebook)
Ermira Kola: Kur unë linda Xhonin, sigurisht që përkushtimi i të qenurit nënë dhe përgjegjësia e saj bëri te vetën. Kështu që vetvetiu u shkëputa pak nga puna që bëja vazhdimisht, por jo plotësisht sepse ndonjë ftesë speciale apo në televizione kam qenë pjesëmarrëse, por jo si më përpara. Unë kam dy vjet që kam filluar përsëri punën intensive, sepse skena më jep shumë emocion në performancat live. Kam shumë projekte që së shpejti do dalin në treg dhe shpresoj që të priten shumë mirë nga publiku.
CMG: E ka pasion muzikën djali juaj?
Ermira Kola: Djali im ka vesh muzike, por nuk ka zë. Ai le të bëhet çfarë të dëshirojë, sepse nuk e di nëse do bëhet artist. Unë do ta le të lirë për të ndjekur atë që ai dëshiron më shumë. Unë personalisht kam lindur me këngën, ku që në moshën 4-5 vjeçare fillova të këndoja në shtëpi dhe nuk më tha njeri të këndoja. Merrja gotten, që e përdorja si mikrofon dhe këndoja të gjitha këngët e festivalit, përveç serenatave që i dëgjoja në ambientet e festave familjare. Mua nuk më tha njeri për t’u bërë këngëtare, por bëra atë që ndjeja. Një favor i madh për mua ishte mbështetja e familjes time, që nuk ka qenë asnjëherë pengesë, por përkundrazi më ka inkurajuar për të ecur në këtë rrugë të gjatë dhe shumë të vështirë.
Ermira Kola ne interviste per CMG
CMG: Je një artiste me një përvojë të madhe në muzikë. Si e ndjen veten në mesin e këngëtarëve të rinj që kanë dalë vitet e fundit?
Ermira Kola: Unë jam Ermira Kola dhe njerëzit më duan për këtë që unë di të bëj. Në këtë botë ka vend për të gjithë. Mjafton që atë që zgjedhin ta bëjnë me dashuri, me pasion çdo ditë. Unë kam investuar dhe kjo është gjëja që unë e dashuroj deri në fund të jetës time.
CMG: Kënga juaj “Hajde me Cim Cim Ca” mbetet një nga këngët hit të repertorit tuaj dhe sot dëgjohet e pëlqehet.
Ermira Kola: Kjo këngë edhe sot kur e këndoj, të gjithë njerëzit kërcejnë, sepse të gjithë e duan këtë këngë dhe menjëherë ngrihen nga tavolina. Ndonjëherë disa këngë bëhen hite për popullin, sepse populli i do këto elemente, këto fjalë të thjeshta por të thëna bukur në një moment të bukur. Kënga po ngjiti te publiku e ke fituar suksesin.
CMG: Serenatat flejnë më tepër në shpirtin tënd sesa këngët popullore të jugut?
Ermira Kola: Patjetër, sepse si korçare që jam serenata fle tek unë, serenata ka lindur me mua. Pastaj këngët e tjera kanë ardhur në sajë të praktikës dhe dëshirës për t’i kënduar. Unë edhe për këngët e jugut kam stilin tim të të kënduarit, që pëlqehet nga i gjithë publiku.
CMG: Çmund të na thuash për këngën “Manushaqe”, që e ke interpretuar te spektakli “Këngë Moj”, ku je pritur mjaft mirë nga publiku?
Kengetarja Ermira Kola (Foto personale)
Ermira Kola: Kjo këngë është trajtuar mjaft bukur nga orkestra, që unë doja t’i përshëndesja sepse janë të mrekullueshëm të gjithë muzikantët, që harmonizohen në interpretimin e tyre aq bukur. Ato janë këngë të kënduara dhe nga të tjerë këngëtarë, por trajtimi bukur dhe e sjellja bukur është një profesionalizëm që ata e kanë.
CMG: Ke vite që je larguar nga Korça, a të sjellë nostalgji rikthimi herë pas here në qytetin e lindjes?
Ermira Kola: Me thënë të drejtën kam shumë mall dhe në Korçë shkoj shumë rrallë sepse jam e ngarkuar, por atë ditë që shkoj përpiqem që të bëj një xhiro në gjithë Korçën. Më vijnë në mendje të gjitha kujtimet në çdo rrugicë, ambient, teatri “Andon Zako Çajupi” ku unë jam rritur, pallati i kulturës, shkolla ime e muzikës, lagjia ime dhe shtëpia ime e vjetër. Kur shkoj dhe i shikoj është një nostalgji, dhe gjëja më e bukur e jetës atje ku jam rritur.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore për vitin 2024?
Ermira Kola: Dëshiroj që në vitin 2024 të realizoj disa projekte muzikore, të cilat shpresoj t’i nxjerr sa më shpejt.
CMG: Një urim për Vitin e Ri, për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj.
Ermira Kola: Përshëndes të gjithë dëgjuesit tuaj, duke i uruar që të jenë gjithmonë të gëzuar si në këto ditë të stolisura, të kenë shëndet dhe të jenë lumtur në familjet e tyre. Ardhtë sa më i mbarë viti 2024!
Intervistoi: Gazmend Agaj