Turizmi dimëror në veriun e Shqipërisë (Foto revista Monitor)
Nëse krahasojmë turizmin veror me atë dimëror në Shqipëri, vërejmë një hendek të madh. Rezultatet e sezonit turistik veror të këtij viti e ngritën Shqipërinë në krye të klasifikimeve ndërkombëtare për turizmin. Ndërkohë turizmi dimëror mbetet ende larg këtyre realizimeve. Sipas ekspertëve, turizmi dimëror në Shqipëri ka mbetur prapa vendeve të rajonit, të cilat kanë traditë në këtë lloj turizmi dhe po ecin me ritme të shpejta. Turizmi dimëror është i vështirë, elitar, kërkon shpenzime dhe investime në infrastrukturën e stacioneve të skive. Shqipëria si një vend malor ka mjaft stacione të turizmit dimëror, të cilat gjatë muajve të ftohtë janë të populluara nga vizitorë. Ndër këto, destinacionet më të preferuara të turizmit dimëror në Shqipëri janë:
-Voskopoja, e cila ndodhet shumë afër qytetit të Korçës, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit, ku ka disa hotele të cilësisë së lartë. Moti me dëborë, ajri i pastër, pyjet përreth, ushqimi i pasur tradicional e bëjnë këtë qytezë ndër më të preferuarat e turizmit dimëror në Shqipëri.
Pamje nga Razma (Foto 24 orë lajme)
-Fshati i Razmës, rreth 40 km në veri të Shkodrës është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin dhe skitë. Fshati të ofron mundësi akomodimi në hotele dhe bujtina.
-Lugina e Valbonës, pranë qytetit të Bajram Currit, është një destinacion shumë i vizituar. Ky destinacion konsiderohet si “Mrekullia e Alpeve Shqiptare”. Tashmë është shumë i vizituar jo vetëm nga të huajt, por edhe nga mjaft shqiptarë, të etur për aventurë dhe që duan të eksplorojnë bukurinë malore.
Turizmi dimëror në Valbonë (Foto Gazeta Si)
-Parku Kombëtar i Thethi gjendet në Alpet Shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Në Theth janë 10 banesa të përshtatura për turizëm, me dhoma me kushte normale, ku 6 janë tip hanesh, ndërsa katër janë banesa të zakonshme, tipike për zonën dhe janë përshtatur për turizëm.
-Dajti është një tjetër destinacion për turizmin e bardhë. Është shumë pranë Tiranës dhe mjaft i vizitueshëm në stinën e dimrit. Ka një alternativë komode për të mbërritur në Dajt, ajo me teleferik.
-Dardha, është një fshat i thellë në zonën e Korçës, midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore, në një lartësi 1 344 m. Sportet dimërore, sidomos skitë, tërheqin turistë të apasionuar pas tyre. Ka një pistë skish që ka mbetur akoma faza amatore dhe nuk është investuar për ta bërë atraktive për turistin e apasionuar pas skive.
- Tomorri është mali më i veçantë në Shqipëri dhe më enigmatiku. Është quajtur froni i perëndive për lartësinë,egërsinë, bukurinë dhe enigmën e tij. Turisti duke udhëtuar drejt tij, mund të shfrytëzojë kanionet e lumit Osum, shpellat e rrjedhës së tij, mund të njihet me monumente kulture të vjetra si ura, kisha e teqe, por mund të ushtrojë dhe sportin e skive apo të gjahut dimëror.
Ekspertja e turizmit Flora Xhemani Baba në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton gjendjen e turizmit dimëror në këtë sezon si dhe të rejat nga turizmi festiv, që përkon me Krishtlindjen dhe kremtimin e Vitit të Ri
CMG: Jemi në fund të vitit 2023, një vit i suksesshëm turistik për Shqipërinë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro ka deklaruar për mediat se “Shtatori është mbyllur me 1.1 milion vizitorë të huaj, duke shënuar 30 për qind më shumë se viti i kaluar. Shqipëria me 28 mijë km katrorë sipërfaqe dhe 2.8 milionë banorë përshkohet, jetohet, eksperimentohet, udhëtohet nga gati 5 fishi i popullsisë së saj”. Cili është bilanci i turizmit shqiptar në vitin 2023?
Flora Xhemani Baba: Përpos çdo lloj bilanci të shifrave për numrin e vizitorëve dhe gjithçka që vjen si pasojë e kësaj, ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Nëse deri në 2022 i referoheshim vitit 2018 si më i miri i Shqipërisë në turizëm, tani viti më i mbarë është 2023.
Ky vit e ka tejkaluar 2019 dhe nëse i referohemi shifrave, ne po pretendojmë të shkojmë në 10 milion turistë, që janë 5 fishi i popullsisë. Por edhe nëse do të ishte kjo shifër 5 milion përsëri do të ishte mjaft e mire, sepse pavarësisht se sa para kanë shpenzuar turistët, përderisa kanë ardhur këtu sigurisht që kanë shpenzuar. Madje edhe turistët që kanë kaluar tranzit në vendin tone përsëri kanë shpenzuar. Gjithçka që ka hyrë si rrjedhë turistike në Shqipëri është pozitive.
Ndërkohë nëse ndalemi te strategjia e turizmit, për fat të keq ende nuk e kemi akoma siç duhet pasi është e papërfunduar, pavarësisht grupeve të interesit që ndahen midis turoperatorëve dhe hoteleve, agjencive e shoqatavetë turizmit, të cilat po bëjnë përpjekjet e tyre për ta përfunduar strategjinë dhe ligjin e turizmit.
Bëhet fjalë për t’i hapur rrugën llojit të turizmit që duhet të bëjmë, si kulturor, natyror, alternativ, masiv, të ndërtojmë resorte siç po ndërtohen në bregdet apo të bëhet turizmi alternativ, që përfshin agroturizmin, turizmin e aventurës dhe të natyrës.
CMG: Kemi folur në një intervistë të mëparshme për llojet e turizmit. Cili nga këto lloje ka qenë më i përhapuri në Shqipëri gjatë vitit 2023?
Flora Xhemani Baba: Është fakt i pamohueshëm që në Shqipëri tashmë po lëvrohen të gjitha llojet e turizmit, pa përjashtim.
CMG: Një turist, apo një grup turistik e ka shansin që të lëvrojë disa lloje turizmi?
Flora Xhemani Baba: Patjetër, tre ose katër lloje. Mendoj se ka dale në pah turizmi i përvojave si trend dhe jo si numër dominues i të ardhurash, sepse aktualisht ne turizmin masiv ose bregdetar e kemi numrin një edhe pse në vija të përgjithëshme është turizmi më i shkurtër pasi zgjat 4-5 muaj. Por ky lloj turizmi sjell të ardhurat më të mëdha në ekonomi. Ndërkohë agroturizmi, turizmi i përvojave që janë një paketë, turizmi i aventurës dhe natyrës janë gjithashtu një paketë, sepse kur shkon të bujtësh në një shtëpi në Alpe, ushtron turizmin e aventurës, duke bërë ngjitje në mal, vizita në shpella dhe kanione.
Ekspertja Flora Xhemani Baba në intervistë për CMG
CMG: Ta përcaktojmë termin turizëm i përvojave
Flora Xhemani Baba: Turizmi i përvojave do të thotë që një individ apo një çift, e një grup prej 4-5 personash merr përvojën që dëshiron. Nuk bëhet fjalë për turizmin masiv all inclusive. Që të ofrosh turizëm përvojash numri duhet të jetë i vogël.
CMG: Cilat janë përvojat?
Flora Xhemani Baba: Përvojat janë nga më të larmishmet. Turisti si fillim ka shansin të bujtë në një shtëpi tradicionale, e cila të përshfaq zakonet dhe traditat e atij vendi. Nëse viziton një bujtinë në Tepelenë gjëja e pare që turisti shikon janë kostumet popullore, ku janë të veshur dhe njerëzit e shtëpisë që shërbejnë, por dhe kuzhina vendëse, traditat
CMG: Pra kur turisti shqiptar apo i huaj largohet nga kjo bujtinë ai merr informacion dhe përvojë, që nuk e ka njohur më pare
Flora Xhemani Baba: Patjetër. Përmes turizmit të përvojave mund të zbulosh copëza nga jeta e përditëshme e zones që viziton. Për shembull në Sarandë ka agjenci turistike të cilat ofrojnë ture krejtësisht të veçanta për të vizituar shtëpi që nuk janë bujtina, por aty takon një banore të moshuar, që mbledh lakrat dhe gatuan byrekun. Turistët mund të gatuajnë bashkë me këtë gjyshe byrekun. Ndërsa në Berat ka kurse gatimi, ku e gjithë përvoja e të gatuarit të një ushqimi tradicional si byrek, gliko, ëmbëlsira të ndryshme u ofrohet dhe turistëve.
CMG: Duke u rritur shifrat e turizmit kur arrihet një sasi, fokusi kthehet tek cilësia. Ndërsa pasi arrihet cilësia fokusi ndalet tek e veçanta, krahasuar me të tjerët.
Flora Xhemani Baba: Në fakt kjo ka ndodhur. Pavarësisht se në shifra monetare nuk e kalojnë dot turizmin masiv, por kjo është një linjë shumë interesante që po zhvillohet, duke u ushqyer në çdo drejtim.
Në momentin që kemi probleme të theksuara në transportin publik, në infrastrukturën rrugore, në menaxhimin e mjedisit, nga ana tjetër po ndërtohen rrugë, po rimodelohen qytetet e vogla, që sjellin turizmin alternativ, po mbështetet rivitalizimi i shtëpive të vjetra në fshatrat karakteristike të vendit, ka përvoja që e bëjnë shumë interesante dhe janë ture që blihen nga të huajt. Ata janë gati jo vetëm të paguajnë për këtë gjë, por të paguajnë mire. Një tur alternativ ka një kosto prej 100-150 euro në ditë, një shifër kjo që nuk e arrin as turizmi all inclusive.
Nëse do të ushqenim strategji për rivitalizimin e fshatrave të thellë të vendit për të përmirësuar nivelin e jetesës së zonave rurale dhe për të rikthyer jetën në këto zona, të cilat po braktisen në masë, kjo do të kontribuonte në rijetësimin e tyre. Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Turizmit po shkon drejt strategjisë së “ tourism to people for people”.
CMG: Ka informacione nga mediat, por dhe turoperatorët për një rritje në vitin 2023 të numrit të turistëve nga Azia në përgjithësi dhe Kina në veçanti. Komenti juaj për këtë
Flora Xhemani Baba: Është në fakt edhe kjo një prurje mjaft interesante, e cila u ndërpre nga pandemia Covid 19, por nga ana tjetër u ushqye nga pandemia. Janë dy linja interesante që vijnë nga Lindja e Mesme dhe e Largët. Gjatë vitit 2020 Shqipëria ka qenë një nga vendet e pakta që qëndroi hapur gjatë pandemisë dhe ata turistë që donin të lëviznin e kishin mundësinë me linjat direkte. Kështu Shqipëria njohu turizmin e Lindjes së Mesme, turizmin nga vendet arabe, i cili është interesant por pak i çuditshëm për ne sepse ata nuk kërkojnë guide, mund të negociojnë çmimet e hoteleve, por shpenzojnë shumë në ekskursione, e cila çalon disi në turizmin shqiptar.
Edhe turistët e huaj kulturorë që vijnë, ndonëse paguajnë turin por nuk shpenzojnë shumë për suvenire, ndryshe nga turistët arabë, që janë të pëlqyeshëm për tregun shqiptar.
Ndërsa turistët nga Kina njohën një lulëzim me ardhjen e tyre deri në vitin 2019 dhe kemi pare grupe turistësh kulturorë, të cilët edhe nga qasja e miqësisë së dikurshme, kanë interes të njohin vendodhjen e ish Metalurgjikut të Elbasanit, të hidrocentraleve, ku Kina ka kontribuar në ndërtimin e tyre, gjatë periudhës së industrializimit të vendit tone. Këto janë lidhje njerëzore që i bën turistët kinezë kuriozë për ta vizituar Shqipërinë.
Për fat të mire në 2023 ka patur një rigjallërim të turistëve nga Kina. Kjo duhet pare periozisht nga turoperatorët shqiptarë. Ne kemi një marrëdhënie tregtare shumë aktive me Kinën, e cila ndikon.
CMG: Edhe heqja e vizave të udhëtimit midis dy vendeve është një lehtësi që mund të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve nga Kina në Shqipëri.
Flora Xhemani Baba. Turistët kinezë kanë një veçanti të favorshme për ne sepse nuk janë të pasionuar pas turizmit bregdetar. Për këtë arësye turoperatorët tanë nuk kanë pse ua ofrojnë këtë lloj turizmi me synim për të rritur fluksin e turistëve gjatë sezonit veror, ku ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme pritëse. Gjatë këtij viti në verë ka patur prenotim të pothua të gjitha njësive pritëse të turistëve në bregdet.
Për këtë arësye me lloje të tjera turizmi të ofruarea turistëve nga Kina mund të mbushen boshllëqet që na krijojen gjatë vjeshtës dhe pranverës kur ka turizëm kulturor, por nuk është në kapacitete 100 për qind. Kjo do të thotë që ka vende për turistët nga Kina. Një tjetër ofertë për këta turistë mund të jetë gjatë dimrit, kur mund të mbushet kryeqyteti, sidomos në festat e fundvitit. Tashmë po krijohen tregjet e Krishtlindjes në qytete të tjera të vendit, ndaj turistët nga Kina mund të vizitojnë me këtë rast Shkodrën, Sarandën apo qytete të tjera.
Në këtë mënyrë shoqërohet turizmi dimëror dhe festiv me turizmin kulturor.
CMG: Ndalemi te turizmi dimëror sepse jemi në sezonin e dimrit. Ku është më i zhvilluar turizmi dimëror në Shqipëri? A frekuentohen destinacionet tona dimërore edhe nga turistë të huaj?
Flora Xhemani Baba: Ende jo, sepse numri i turistëve të huaj që mund të qarkullojnë gjatë dhjetorit dhe janarit në Shqipëri nuk është kaq i madh, por vit pas viti ndodh një dukuri interesante që mund të shërbejë si “një grep”, që do të sjellë dhe turistët e huaj. Korça, si pionierja e modeleve dhe trendeve të reja në turizëm ka sjellë vazhdimisht shfaqje të kënaqshme në turizmin dimëror, për të ushqyer ofertën e saj turistike.
Korça është ndër të paktat qytete që është e vizitueshme dhe ka çfarë të tregojë në aspektin e turizmit dimëror. Janë destinacione malore dhe Peshkopia e Puka, por nuk kanë qenë qytete ekskluzivisht turistike.
Aktualisht edhe me ndjekjen e modelit të Korçës është zgjuar tregu i Krishtlindjeve (Christmas Market) dhe pothuajse e gjithë Shqipëria e ka një të tillë. Ky turizëm festiv ka ardhur nga Korça, e përqafoi Tirana, Berati.
CMG: Edhe Shkodra ka ngritur një treg të tillë festiv dhe është zbukuruar për fundvitin
Flora Xhemani Baba: Midis datës 4-6 dhjetor kur u ndezën dritat e festave në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe u krijua një zinxhir festash, që mund të tërheqë me hallkat e tij turistë në të gjithë vendin. Këto shtëpiza Krishtlindjesh ofrojnë produkte festive, por dhe prodhime lokale, suvenire.
Kryeqyteti i festave këtë vit është Shkodra. Ky treg i organizuar shumë bukur i mungonte këtij qyteti. Prej më se 10 vjetësh në Shkodër qendra historike është konsoliduar, ndërkohë që të njejtën zone e ka dhe Vlora, Korça, si dhe Berati.
Numri i fundit i revistës Travel Balkans
CMG: Si po shkon revista turistike “ Travel Magazine-Balkans” që ju botoni?
Flora Xhemani Baba: Revista gjeneron ide të reja, tregje të reja dhe ajo është një revistë rajonale dhe kemi folur shpesh për destinacionet ballkanike të cilat janë në fokusin e turistëve shqiptarë. Në numrin e ri kemi ofruar një listë me 10 resortet më të mira alpine në Ballkan, si alternativa për t’u vizituar në Shqipëri, Kosovë, Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Këto destinacione vizitohen dendur gjatë dimrit nga shqiptarët sepse në paketat turistike të agjencive shqiptare janë Kolashini, Mavrova, Parku Pelister, Sharri, Brezovica dhe Prevalla. Një tjetër alternative është Bansko në Bullgari për turizmin dimëror.
Shtetet ballkanike kanë revistat e tyre turistike, ndonëse jo të gjitha, ndaj ne përpiqemi të mbulojmë informacione me revistën tone dhe deri tani ia kemi dale. Revista është e kërkueshme dhe shpresoj të vazhdojmë kështu me gjithë vështirësitë që ka tregu.
Intervistoi Eda Merepeza